Idrizi: Dr. Gërxhaliu ishte adresa e parë për gratë e dhunuara gjatë luftës

Aktuale

Idrizi: Dr. Gërxhaliu ishte adresa e parë për gratë e dhunuara gjatë luftës

Më: 27 shtator 2023 Në ora: 17:38
Ferit Idrizi

Komuna e Vushtrrisë ka mbajtur mbledhje komemorative për nder të mjekut dhe ish-ushtarit të UÇK-së, Shukri Gërxhaliu, i cili u nda nga jeta, dje në moshën 70-vjeçare.

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, tha se Gërxhaliu dha një kontribut të madh për familjen, për qytetin e për atdheun.Idrizi tha se mjeku ka qenë adresa e parë ku gratë e dhunuara gjatë luftës gjetën trajtim mjekësor dhe human. Përveç ndihmës, ai i kishte inkurajuar ato që të dokumentonin këto krime ndaj tyre e kishte dëshmuar edhe vetë disa herë në Gjykatën e Hagës.

Për të gjitha këto vepra, Idrizi e vlerësoi lart kontributin e mjekut, tashmë të ndjerë.

“E ndajmë dhimbjen e pikëllimin por e përkujtojmë me krenari jetën dhe veprën e intelektualit, atdhetari e luftëtarit të lirisë, Dr. Shukri Gërxhaliu”, tha Idrizi.

“Doktori dha një kontribut të madh për familjen, për qytetin e për atdheun, duke rrugëtuar drejtë dhe pastër deri në përfundimin e jetës së tij”, tha Idrizi, i cili përmendi edhe pjesëmarrjen e Gërxhaliut në protestat e vitit 1981.

“Mjeku kishte qenë adresa e parë ku gratë e dhunuara gjatë luftës gjetën trajtim mjekësor dhe human. Përveç ndihmës, ai i kishte inkurajuar ato që të dokumentonin këto krime ndaj tyre e i kishte adresuar në organizata ndërkombëtare”.

Në emër të familjes, vajza e doktorit, Gonxhe Gërxhaliu, falënderoi të gjithë të pranishmit.

“Në emër të familjes së madhe Gërxhaliu ju falënderoj që ishit sot këtu për të ndarë me ne dhimbjen për humbjen tonë të madhe”, tha ajo.

Gërxhaliu kishte dëshmuar në Hagë për gratë e dhunuara nga forcat serbe, gjatë luftës në Kosovë.

Më 20 shkurt të këtij viti, Dr. Shukri Gërxhaliu, u nderua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me Medaljen Presidenciale te Meritave për kontributin e dhënë gjatë luftës në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat