Gërvalla, të huajve: Regjimi i Vuçiqit, kërcënim për Evropën – s’bën të mendojmë se gjithçka është OK

Aktuale

Gërvalla, të huajve: Regjimi i Vuçiqit, kërcënim për Evropën – s’bën të mendojmë se gjithçka është OK

Më: 27 shtator 2023 Në ora: 18:00 Përditësuar në ora: 18:18 më 27.09.2023
Foto nga takimi

Gërvalla, të huajve: Regjimi i Vuçiqit, kërcënim për Evropën – s’bën të mendojmë se gjithçka është OK

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të pranojë se politika e zbutjes ndaj Serbisë ka dështuar.

Ky reagim i Gërvallës vjen pasi sot autoritetet e Kosovës konfirmuan se një nga terroristët e vrarë që mori pjesë në sulmin kriminal në Banjskë ka shërbyer si truprojë e shefit të Shërbimit Sekret të Serbisë, Aleksandar Vulin, në vitin 2013.

“Nevojitet një ndryshim thelbësor. Regjimi i Vuçiqit përbën një kërcënim për paqen dhe stabilitetin e Evropës. Këtë herë, ne nuk mund ta përballojmë të kthehemi sikur gjithçka është në rregull”, tha Gërvalla.

Tutje, Gërvalla tha se tek ish-truproja e Vulinit, autoritetet e Kosovës gjetën një certifikatë që e lidh drejtpërdrejt ushtrinë serbe.

Ngjarjet në veri, Kurti dhe Gërvalla takojnë Korin Diplomatik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kanë pritur sot në një takim të përbashkët ambasadorët dhe diplomatët e akredituar në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, temë qendrore e këtij takimi ishte sulmi terrorist mbi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, nga i cili u vra në krye të detyrës, rreshteri i Policisë, tash Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Në adresimin e tyre para diplomatëve ndërkombëtar, kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla, i njoftuan ata mbi zhvillimet më të fundit sa i përket situatës së sigurisë në vend, prezantuan qëndrimet zyrtare të Republikës së Kosovës karshi këtij sulmi terrorist dhe njëherazi kërkuan, që komuniteti ndërkombëtar të dënojë fuqishëm veprimet destabilizuese të institucioneve shtetërore të Serbisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në komunikatë më tej thuhet se gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla, theksuan se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës edhe një herë kanë dëshmuar profesionalizëm dhe maturi, duke treguar se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim dhe paralelisht me këtë angazhimin e tyre për garantimin e integritetit territorial, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.

Në përfundim të takimit, kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla kanë ripërsëritur qëndrimin se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të bashkëpunuar ngushtë dhe bashkërenduar veprimet ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe shteteve partnere, aleate dhe mike për të siguruar paqe dhe siguri në vend dhe rajon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat