Vrasje, tentim vrasje e fajde: Kush janë vëllezërit Përlazeri nga Prizreni që ndodhen në burgje – Njëri u arrestua para dy ditësh

Aktuale

Vrasje, tentim vrasje e fajde: Kush janë vëllezërit Përlazeri nga Prizreni që ndodhen në burgje – Njëri u arrestua para dy ditësh

Më: 27 shtator 2023 Në ora: 18:23
Bërnard dhe Ndrec Përlazeri

Dy vëllezërit Bërnard dhe Ndrec Përlazeri nga Prizreni janë emra të njohur për organet e rendit në Kosovë, për shkak të të kaluarës së tyre të pasur kriminale, me plot vepra penale, që në një formë apo në një tjetër lidhen me fajde.

Vrasje, tentim vrasje e armëmbajtje pa leje janë veprat për të cilat vëllezërit Përlazeri para disa vitesh janë ulur në bankën e të akuzuarve.

Ndrec Përlazeri është arrestuar së fundmi nga Policia në Prizren, pasi për një kohë goxha të gjatë ka arritur ta shijojë lirinë nga arratia dhe të mos e vuajë dënimin për veprat penale “Vrasje në tentativë” e “Fajde” për të cilat ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me rreth 3 vjet burgim.

Gazeta raportoi gjatë ditës së djeshme për arrestimin e 55-vjeçarit, i cili është arrestuar të hënën në rrugën “Papa Gjon Pali II” në Prizren, në bazë të tri urdhëresave të lëshuara nga Gjykata Themelore atje.

I dënuari Përlazer, i cili arriti t’i ikë drejtësisë, sipas informacioneve që posedon Sinjali, kishte përdorur dokumente të shtetit të Suedisë me identitet tjetër, duke u paraqitur si Gjon Perdeda.

Por tashmë i njëjti ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hajvali të Prishtinës, ku do të vuajë dënimin me burgim.

Prapa grilave ndodhet edhe vëllai i tij, Bërnardi, i cili është i dënuar për vrasjen e Hekuran Morinës, si dhe për një rast tjetër që po ashtu lidhet me të ndjerin Morina.

Kush janë Bërnard dhe Ndrec Përlazeri dhe çka dihet për rastet në të cilat janë përfshirë?

Një letër e shkruar dhe e nënshkruar me dorë e ku flitej për një borxh prej 70 mijë eurosh, ishte bërë mollë sherri ndërmjet Bërnard Përlazerit dhe Hekuran Morinës.

 “Beg Morina i murr te Bernard Përlazri me 22.01.2015, 70 000 Euro Borgj. Mrena 6 mujve mu kthy borgji”, ky është teksti që përmbante letra e cila pretendohej se u nënshkrua nga dhënësi i borxhit, Bërnard Përlazeri dhe marrësi Beg Morina (që atë kohë nuk jetonte më).

Përlazeri, në janar të vitit 2015, kishte shkuar për t’ia kërkuar Hekuranit borxhin prej 70 mijë eurosh që gjoja e ka trashëguar nga babai i tij.

Morina, i cili bashkë me vëllezërit kishte refuzuar t’i jepte paratë duke mos pranuar të ketë trashëguar ndonjë borxh nga babai i tij. Por, Përlazeri kishte insistuar të kundërtën, duke ia treguar po këtë letër si dëshmi, për çka Hekuran Morina kishte denoncuar Përlazerin në Polici.

Më pas, Përlazeri ishte arrestuar më 23 mars 2015 dhe ishte mbajtur gjashtë muaj në paraburgim, për t’u lënë në liri – me detyrim paraqitje në Polici – më 3 shtator të po atij viti.

Por pas disa muajsh, më 7 shtator 2015, Përlazeri akuzohet se pasi kishte përcjellë lëvizjet e të ndjerit Hekuran Morina dhe vëllait të tij Fadilit, në lagjen “Bazhdarhane” të Prizrenit, dhe së bashku me nipat e tij, kishte qëlluar mbi ta duke vrarë Hekuranin dhe plagosur rëndë Fadilin.

Pas vrasjes së Morinës, Përlazeri ishte arratisur për një kohë dhe gjithashtu ishte suspenduar përkohësisht drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Nexhmedin Krasniqi.

Për këtë rast, ndaj të njëjtit, Gjykata kishte shqiptuar dënim prej 20 vjetësh burgim për vrasje të rëndë dhe 3 vjet burgim për armëmbajtje pa leje, ndërsa dënimin unik ia ka shqiptuar në lartësi prej 22 vjetësh burgim efektiv.

Ndërsa për rastin e marsit, Bërnard Përlazeri ishte dënuar me dy vjet burgim efektiv dhe dy mijë euro gjobë. Ndërsa, dy të akuzuarit tjerë, Pashk dhe Jozef Përlazeri, të cilët akuzoheshin për të njëjtën vepër penale, janë liruar nga akuza.

Për çka akuzohej Ndrec Përlazeri?

Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë ndaj Ndrec Përlazerit dhe Lutrim Krasniqit, të cilët i akuzontë se më 11 janar 2017, kanë tentuar të vrasin Ibrahim Kazazin, i cili ishte dëshmitar në një gjykim për fajde.

Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit bashkë me Gjon Përlazerin kanë shkuar te shtëpia e të dëmtuarit, ku ai ishte duke punuar në lokalin tij dhe e kanë sulmuar me sëpatë dhe armë zjarri.

Derisa i akuzuari Ndrec Përlazeri po bënte roje në afërsi të vendit, i akuzuari Lutrim Krasniqi dhe personi në arrati, Gjon Përlazeri, kanë hyrë në lokal dhe e kanë sulmuar të dëmtuarin, Kazazi.

Tutje, në aktakuzë, thuhej se Gjon Përlazeri e ka goditur të dëmtuarin me sëpatë në trup, ndërsa i akuzuari Lutrim Krasniqi ka shtënë dy herë me armë zjarri në drejtim të të dëmtuarit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Krejt kjo ngjarje ka ndodhur me qëllim që të mos lejohet i dëmtuari Ibrahim Kazazi, të dëshmojë në një rast gjyqësor për fajde i cili ishte duke u zhvilluar në kohën e incidentit, në Gjykatën Themelore në Prizren.

I dëmtuari në këtë rast, ishte i dëmtuar dhe dëshmitar kryesor në rastin penal ndaj të akuzuarve Bërnard Përlazerit, Pal Morinës, Engjëll Thaqit, Albert Kalës, Nue Karicës, Gjon Kushninin dhe Eduard Morinës, të cilët akuzoheshin për fajde, detyrim, kanosje dhe armëmbajtje pa leje.

Ata akuzoheshin se përmes imponimit të fajdesë ndaj familjes Kazazi, kanë marrë prej tyre shuma të mëdha të parave dhe kanë tentuar t’ua marrin shtëpinë, me anë të kërcënimit me armë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat