Bashkë pozitë e opozitë miratojnë rezolutën që dënon sulmin terrorist serb në Kosovë, Kurti kërkon hetim ndërkombëtar

Aktuale

Bashkë pozitë e opozitë miratojnë rezolutën që dënon sulmin terrorist serb në Kosovë, Kurti kërkon hetim ndërkombëtar

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 07:47 Përditësuar në ora: 14:05 më 28.09.2023
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi miraton Rezolutën që dënon sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot një Rezolutë me anë të së cilës dënon sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, të dielën.

Kryetari i Kuvendit Glauk Kojufca e ka paraqitur përmbajtjen e Rezolutës para deputetëve.“DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës”, thuhet në Rezolutë.

Përmbajtja e Rezolutës:

–              Duke marrë për bazë gjendjen e sigurisë nëpër të cilën po kalon vendi pas sulmit terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë ndaj sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës;

–              Duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës si dhe përcaktimin dhe angazhimin shtetëror për t’i kontribuuar paqes dhe stabilitetit në rajon;

–              Të vendosur që Republika e Kosovës të jetë vend i lirë, demokratik, paqedashës dhe atdhe i qytetarëve të saj, të cilëve ju garantohen të drejtat, liritë dhe barazia para ligjit;

–              Të përkushtuar për të luftuar dhe parandaluar me mjete kushtetuese dhe ligjore çfarëdo veprimi dhe përpjekje për të cënuar, rrezikuar apo sulmuar rendin kushtetutes të Republikës së Kosovës;

Kuvendi i Republikës së Kosovës

1.            DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës;

2.            VLERËSON punën, angazhimin dhe rezultetet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë (Eulex dhe KFOR), në aksionin e përbashkët për të smbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veri të vendit;

3.            OFRON mbështetjen e plotë dhe të parezervë për Policinë e Kosovës në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

4.            KËRKON nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë punën e përbashkët për integrimin e plotë dhe bashkëjetesën mes të gjitha komuniteteve pa dallim që jetojnë në Republikën e Kosovës;

5.            INKURAJON dhe MBËSHTET pluralizimin politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë, zhvillimi i të cilit mundëson progresin demokratik dhe rrit transparencën e llogaridhënien para këtij komuniteti dhe jetëson promovimin e interesave reale të tij në Republikën e Kosovës.

6.            KËRKON nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përmbashkëta euro-atlantike;

7.            KONSTATON nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë;

Kurti paralajmëron Vuçiqin: Lufta kundër terrorit sponzoruar nga Serbia vazhdon, do përfundojë doemos me fitoren e Kosovës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka paralajmëruar Serbinë e Aleksandar Vuçiqit se lufta e krimit dhe terrorit të sponzorizuar nga Beogradi zyrtar, do vazhdojë dhe do përfundojë padyshim me fitoren e Republikës së Kosovës.

Këtë Kurti e tha sot para të pranishmëve në Kuvendin e Kosovës, ndërsa foli për sulmin terrorist kriminal që ngjau më 24 shtator në Banjskë, ku u vra heroikisht, polici Afrim Bunjaku.

”Lufta kundër krimit e terrorit të sponzoruar nga Serbia vazhdon dhe ajo do të përfundojë doemos me fitoren e shtetit tonë të pavarur, Republikës së Kosovës, vlerave dhe interesave të saj, të qytetarëve të saj të të gjitha komuniteteve pa dallim”.

Ai mes tjerash u shpreh se i gjithë armatimi i konfiskuar, ishte arsenal armësh i prodhuar nga Serbia, ndaj dhe përgjegjësia e saj është e pashmangshme madje siç përmendi edhe për ata që nuk duan të shohin e të dëgjojnë.

”Pra, i gjithë ky armatim i konfiskuar, është prodhim i Serbisë, erdhi nga Serbia dhe ishte armatim aq i madh për nga lloji dhe sasia për një ushtri të tërë. Prandaj, fajësimi i Serbisë është i paevitueshëm dhe i pashmangshëm madje edhe për ata që nuk duan të shohin e të dëgjojnë”.

Sipas Kurtit, ajo nuk ishte vetëm një bandë e thjeshtë, por grup profesioniste me trajnime luftarake nga shteti serb.

”Bëhet fjalë për një bandë kriminale dhe terroriste e cila nuk ishte bandë e kontrabandës dhe as qytetarë që kanë kapur armët, por profesionistë me trajnime luftarake me së paku me lloje të armatimeve që origjinën e kanë nga Serbia. Serbia ua dha pajisjet ushtarake, ua kreu trajnimet luftarake dhe gjithashtu qëllimet politike e mbështetjen logjistike”.

Kurti u shpreh tutje se e gjithë kjo nuk nisi të dielën që e lëmë pas.

”Ne të gjithë e dimë së bashku se kjo nuk ka filluar të dielën e 24 shtatorit. Në Leposaviq na i rrëmbyen tre policë më 14 qershor. Kemi konfiskuar sasi të madhe të armatimit në Zveçan edhe më 23 qershor në një automjet me targa të Beogradit që ishte pronë e hekurudhave të Serbisë edhe në një shtëpi në Zveçan sërish më 5 shtator”.

”E para kësaj, kishim tri javë të 16 barrikadave në dhjetor të vitit të kaluar, sulme më 26 dhe 29 maj të këtij viti në Zveçan që lanë me dhjetëra ushtarë të KFOR-it, policë të Kosovës, e gazetarë të mediave të plagosur e të lënduar. E gjithë kjo tregon se kishim një kronikë të paralajmëruar të vrasjes së heroit tonë Afrim Bunjaku më 24 shtator”.

I pari i Qeverisë së Kosovës, u shpreh mirënjohës edhe ndaj shteteve që dënuan ashpër sulmin agresiv serb të 24 shtatorit por edhe mbështetjen që ia ofruan Kosovës.

”Me këtë rast falënderojmë të gjitha shtetet që e dënuan ashpër këtë sulm terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit si pasojë e aktit agresiv të Serbisë dhe për mbështetjen që ato na e kanë dhënë neve”.

”Falënderoj edhe të gjithë qytetarët e Republikës për solidaritetin me Policinë e Kosovës dhe institucionet tona të shtetit. Ju falënderoj edhe juve deputetë të nderuar për kontributin tuaj duke qëndruar pranë qytetarëve dhe me qëndrime të qarta dënuese ndaj Serbisë, në këto momente tejet të vështira por edhe të rëndësishme për Republikën tonë dhe të ardhmen tonë”.

”Ju falënderoj dhe lavdi, Afrim Bunjakut”.

​Abdixhiku: Koha të fitojmë betejën diplomatike ndaj Serbisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator është organizuar nga Serbia.

Abdixhiku, në seancën e sotme të Kuvendit, tha se qëllimi i këtij sulmi terrorist ishte krijimi i një realiteti të ri në veri, por që dështoi falë profesionalizmit dhe patriotizmit të institucioneve të sigurisë së Kosovës.

Abdixhiku: Sulmi në Banjskë është organizuar nga Serbia

“Këtë të diel Republika e Kosovës u bë cak i një sulmi mirë të organizuar dhe mirë paramenduar terrorist. Në krye të këtij organizimi qëndronte krimineli tashmë i shndërruar në terrorist, Milan Radonjçiq, në mbështetje të tij pa asnjë dyshim qëndronte Republika e Serbisë. Qëllimi ishte i qartë siç u kuptua nga vet sponsorizuarit terrorist, krijimi i një realiteti të ri në veri dhe për krijimin e tij duheshin edhe viktima. Ato vinin në formën e pelegrinëve vizitorë në Manastir të Banjskës si masë nxitëse të një përplasje të mëvonshme të Policisë së Kosovës me popullsinë civile në veri. Këtë skenar Kosova dhe po thuajse të gjitha shtetet e dala nga lufta e Jugosllavisë e kishin të njohur tash. Si përgjigje ndaj këtij sulmi institucionet tona të sigurisë kishin dhënë përgjigjen më adekuate të mundshme. Në bashkërendim me aleatë dhe profesionalizëm më të lartë të mundshëm e diela e nisur me tragjedi në mëngjes u shndërrua në një ditë të triumfit të së drejtës ndaj terrorit”, tha ai.

Abdixhiku tha pas triumfit ndaj këtij sulmi terrorist tani është momenti për fitore diplomatike të Kosovës në raport me Serbinë.

Ai ofroi mbështetje ndaj institucioneve, mirëpo theksoi nevojën e bashkërendimit me aleatët ndërkombëtarë, veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Abdixhiku: Jemi në moment të mirë, të bashkërendohemi me ShBA-në

“Lidhja Demokratike e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saja do të mbështesë gjithherë institucionet e Kosovës në përballje të tilla. Por tani sot na duhet mençuri. Atë që vajzat dhe djemtë tanë e fituan ditën e 24 shtatorit në Banjskë duhet të fitojmë në politikë dhe diplomaci. Tani radhën e ka beteja politike dhe këtu ndërtohen kthesat e mëdha, ne e kemi një mundësi të tillë. Është përgjegjësi e qeverisë dhe për këtë do të ketë mbështetjen pa asnjë kalkulim tonin se këtë situatë të përkthejë në avancim të pozicionit tonë ndërkombëtar. E vërteta e vetme është se gjatë dy viteve të fundit pozicioni i Kosovës ka qenë i rënduar jemi ende në masa ndërkombëtare dhe sanksione. E vërteta e vetme është se në përballje të tilla bashkërendimi me aleatë është jetik... Ne duhet të bashkërendojmë veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë pikë propozimi i djeshëm i presidentes të vendit është në vijë me qëndrimet tona si parti. Pra jemi në moment të mirë dhe moment tonin. Prandaj veprimet e ardhshme tonat janë jetike, nuk na duhet të jemi në ndikime të rastit”, shtoi Abdixhiku.

​Krasniqi: Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve që organizuan sulmin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të fillojë hetim për të vërtetuar përfshirjen e shtetit serb në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Ai deklaroi se Kosova duhet të kërkojë ekstradimin e terroristëve që organizuan sulmin. Krasniqi tha se PDK e mbështetë propozimin për rezolutë të përbashkët të partive politike, për të dënuar sulmin terrorist të së dielës në veri.

Në seancë plenare, kreu i PDK-së u shpreh se organizimi i këtij sulmi terrorist, adresën kryesore e ka në Beograd.

Krasniqi: Ne e mbështesim propozimin për një rezolutë të përbashkët

“Ne e mbështesim propozimin për një rezolutë të përbashkët të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për të dënuar sulmin terrorist ndaj vendit tonë. Sot para se gjithash nuk do të flasim për betejat e brendshme politike, sepse e kemi një temë më të rëndësishme përpara. E Kosova sot është nën sulm dhe ne të gjithë pa përjashtim duhet të jemi në krye të detyrave dhe përgjegjësive tona. Mposhtja e grupit terrorist në Banjskë të Zveçanit nuk është përfundimi i qëllimeve dhe synimeve të Serbisë karshi Kosovës, e që është destabilizimi i skajshëm i vendit tonë. Për mua dhe Partinë Demokratike të Kosovës është krejtësisht e qartë që organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi republikën tonë, adresën kryesore e ka në Beograd”, deklaroi ai.

Më tej, Krasniqi shtoi se Kosova duhet të kërkojë ekstradimin e terroristëve që organizuan sulmin e së dielës.

Krasniqi: Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve serbë

“Konfirmimi i përfshirjes së Milan Radojiçiq në këtë aksion, armatimi i sofistikuar dhe i shumtë i terroristëve, strehimi më pas i tyre në Serbi, lartësimi i tyre si heronj, përfshirë shpalljen e ditës së djeshme atje si ditë të zie, tregojnë për lidhjen e fortë të këtij grupi terrorist me shtetin serb. Prandaj sot para se gjithash është tejet e rëndësishme që Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve që planifikuan, organizuan sulmin mbi shtetin tonë. Në këtë aspekt kërkojmë edhe mbështetjen e aleatëve tanë që duhet të rrisin presionin mbi Serbinë për t’i dorëzuar ata. Sepse ata duhet të marrin dënimin e merituar për krimin që realizuan në Kosovë. Heroi ynë i rënë, rreshteri Afrim Bunjaku meriton drejtësi dhe është detyra jonë morale që të sigurojmë përgjegjësit që të përballen me pasojat”, shtoi ai.

Po ashtu, kreu i PDK-së i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të fillojë hetim ndërkombëtar emergjent për të vërtetur përfshirjen e shtetit serb në këtë sulm terrorist.

Krasniqi: I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të fillojë hetim për sulmin terrorist

“I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të nis një hetim ndërkombëtar emergjent për të vërtetuar përfshirjen e shtetit serb në sulmin terrorist ndaj Kosovës. Ne tashmë gjithë e dimë dhe jemi të bindur por duam me fakte të bindet edhe bashkësia ndërkombëtare. Sepse pa u zbardhur e vërteta e plot e këtij rasti, Serbia nuk mund të të jetë palë e besuar në asnjë lloj procesi përpara. Është jetike që bashkësia ndërkombëtare ta njoh agresionin e vazhdueshëm të Serbisë mbi Kosovës, pasi kjo po vazhdon të cenojë integritetin dhe sovranitetin tonë territorial”, përfundoi Krasniqi. 

Kurti kërkon që Serbia të ndëshkohet ndërkombëtarisht për sulmin në Banjskë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht për sulmin e të dielës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Nga foltorja e Kuvendit, ai ka theksuar se nëse Serbia nuk sanksionohet, atëherë ajo do ta përsërisë krimin

“Të dielën përjetuam një sulm agresioni të bandave kriminale e terroriste të Serbisë ndaj shtetit tonë. Sulmi i orkestruar i bandave terroriste, vrau rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosi një polic tjetër. Ishte një ditë e rëndë për vendin tonë”, ka thënë Kurti.

“Terroristët ose janë vrarë, ose janë arrestuar ose janë në ndjekje pasi që ikën. Afrim Bunjaku është heroi më i ri i Kosovës. Ai u vra në pritë. Me tu zbardhur drita, u pa që çfarëdo bande kriminale dhe terroriste nuk kanë kurrfarë shansi ndaj Policisë së Kosovës”, ka shtuar ai.

Sipas tij,  të dielën, kishte sulm terrorist dhe kriminal i cili cenoi sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Sulmuesin që po ikin duhet të dorëzohen në organet e Kosovës. Këto organizata duhet të shpallen terroriste edhe nga vendet partnere. Për këtë akt, Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht, sepse nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo do ta përsërisë krimin”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Kusari-Lila: Të tregojmë unitetin karshi sulmeve

Kuvendi i Kosovës do të votojë një rezolutë për dënimin e sulmit terrorist të së dielës në Banjskë të Zveçanit. Grupet parlamentare kanë vendosur që të ndryshohet rendi i ditës, ku në fillim të seancës plenare është kërkuar që të votohet propozimi për këtë projekt-rezolutë.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila tha se Kosova tha se mëngjesi i së dielës zbardhi të vërtetën e plotë të Serbisë e cila nisi të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi.

Kusari-Lila: Të tregojmë unitetin karshi sulmeve

“Në këto ditë sfiduese për shtetin dhe integritetin territorial për vendin tonë, në ditë të dhimbjes dhe krenarisë për Policinë e Kosovës dhe familjen Bunjaku, gjejmë forcën dhe kurajën të shikojmë përtej vijave politike dhe të tregojmë unitetin karshi sulmeve të cilat synojnë të shkatërrojnë krejt çfarë është ndërtuar me mund, djersë, gjak ndër gjenerata. E diela që lamë pas shpërfaqi një plan të organizuar dhe të dirigjuar direkt nga Beogradi, për të ndezur zjarrin e një konflikti të ri në Kosovë. Asnjë fakt nuk çon në ndonjë përfundim tjetër. Prej mjeteve logjistike, ushtarake, transportimi dhe armatimit, e tëra ishte skenar i përgatitur në kampet e trajnimit të Serbisë, për të cilat autoritetet e sigurisë dhe inteligjencës në Kosovë ka muaj që ka paralajmëruar”, deklaroi ajo.

Në seancë plenare, ajo shtoi se e njëjta Serbi që mohon ende krimet e kryera në Kosovë, zgjedh të mohojë edhe involvimin e saj në sulmet terroriste të së dielës.

Kusari-Lila: Serbia vazhdon gjuhën e urrejtjes ndaj shtetit dhe institucioneve të Kosovës

“(Serbia) Vulos mbështetjen e plotë të atij sulmi, kur shpalli ditë zie për pjesëtarët e grupit terrorist, të cilët u vranë në ballafaqim me Policinë e Kosovës. E njëjta Serbi vazhdon fushatën e dezinformimit, propagandës dhe mbajtjes së gjuhës së urrejtjes ndaj shtetit dhe institucioneve të Kosovës, duke shkelur mbi çdo parim dhe marrëveshje, të cilët ndërmjetësit ndërkombëtarë u angazhuan t’i tregojnë si marrëveshje të arritur. Tre muaj e dhjetë ditë pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës brenda territorit tonë nga grupet e njëjta dhe nga porositësit e njëjtë, Aleksandër Vuçiq dhe Aleksandër Vulin, kësaj radhe u vra një koleg i policëve të Kosovës nga grupet e njëjta kriminale”, shtoi ai.

Në këtë situatë, shefja e deputetëve të shumicës theksoi se duhet të shtohen përpjekjet për bashkërendim të betejës politike me të gjitha vendet e Bashkimit Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se në konsultim me grupet parlamentare kanë vendosur që seanca të nis me një pikë tjetër të rendit të ditës.

Konjufca: Të dënohet sulmi terrorist që u zhvillua nga grupet terroriste

Kjo pikë të jetë propozimi i një projekt-rezolute nga ana e Kuvendit të Kosovës lidhur me dënimin e sulmit terrorist që u zhvillua nga grupet terroriste që hyn nga Serbia në Kosovë më 24 shtator. Kështu që propozojë që ta hedhim në votim këtë pikë të rendit të ditës që kuvendi të fillojë këtë temë”, u tha ai.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së dielë është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore. Tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar tetë persona.

AAK-ja mbështet rezolutën që dënon sulmin terrorist, kërkon hetim ndërkombëtar

Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë që kjo parti e mbështet rezolutën e propozuar për ta dënuar sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën në Banjskë të Zvecanit.

“Ky sulm terrorist dhe terroristët që hynë në Kosovë e morën përgjigjen më të mirë që kishin mujtë me e marrë”, ka thënë Haradinaj në Kuvendin e Kosovës.

“Institucionet e sigurisë së Kosovës, policia e Kosoës, në koordinim me ndërkombëtarë, i mposhtën edhe e vërtetun që asnjëherë askush s’mundet dhe s’do të mundet me e rreziku Kosovën”.

“Një rezolutë që dënon sulmin terrorist dhe sponzorët e terrorizmit është e drejtë dhe parlamenti i Kosovës duhet ta aprovojë”.

“Në këtë rezolutë kërkoj që të përfshihet kërkesa për një hetim ndërkombëtar. Ky hetim ndërkombëtar do të ndihmonte jo vetëm zbardhjen e involvimit të Serbisë në këtë sulm terrorist ndaj Kosovës, por do të ndihmonte bashkësinë ndërkombëtare që të ndëshkojë pra sponzorët e terrorizmit dhe terroristët”.

“E vërtetë se kjo përballje, kjo fitore e ka edhe sakrificën e vet. Fitoret asnjëherë s’kanë ardhur pa sakrificë. Rreshteri i Kosovës, Afrim Bunjaku, është heroi më i ri i Kosovës. Heronj janë të gjithë policët, të gjithë ata që u përballën me terroristët”.

PDK-ja mbështet rezolutën për dënimin e sulmit terrorist, kërkon ekstradimin e terroristëve nga Serbia

Partia Demokratike e Kosovës e ka mbështetur propozimin për rezolutën për dënimin e sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës që ngjau të dielën në Banjskë të Zveçanit.

“Sot kjo nuk mund të jetë një seancë e zakonshme sic nuk mund të jenë të zakonshme as fjalimet tona. Andaj në emër të Partisë Demokraitke të Kosovës ne mbështesim propozimin për një rezolutë të përbashkët të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të dënuar sulmin terrorist në vendin tonë”, ka thënë kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, në Kuvend.

“Sot para së gjithash nuk do të flasim për betejat e brendshme politike sepse e kemi një temë më të rëndësishme përpara, Kosovën shtetin tonë. E Kosova kolegë të nderuar sot është nën sulm dhe ne të gjithë pa përjashtim duhet të jemi në krye të detyrave hde përgjegjësive tona”.

“Mposhtja e grupit terrorist në Banjskë të Zveçanit nuk është përfundimi i qëllimeve dhe synimeve të Serbisë karshi Kosovës e që është destabilizimi i skajshëm i vendit tonë. Për mua dhe Partinë Dmeokratike të Kosovës është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestirmi i uslmit terorrit mbi republikën tonë adresën kryesore e ka në Beograd”.

“Konfirmimi i përfshirjes së Milan Radojiçiqit në këtë aksion, armatimi i sofistikuar dhe i shumtë terorrist, strehimi më pas i tyre në Serbi, lartësimi i tyre si heronj nga institucionet zyrtare të Serbisë përfshirë shpalljen e ditës së djeshme atje si ditë zie tregojnë për lidhjen e fortë të këitj gurpi terrorist me shtetin serb”.

“Është e rëndësishme që Kosova të kërkojë ekstradimin e teroristëve që planifikuar që realizuan sulmin mbi shtetin tonë”.

“Në këtë aspekt kërkojmë edhe mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë  që duhet të rrisin presionin mbi Serbinë për t’i dorëzuar ata sepse ata duhet të marrin dënimin e merituar për krimin që relaizuan në Kosovë”.

Abdixhiku: Atë që ka fituar të dielën Policia në Banjskë, duhet ta fitojmë në politikë e diplomaci

“Jemi në momentin tonë”, tha Abdixhiku, duke shtuar se “LDK me te gjitha kapacitetet e saj, do të mbështesë gjithherë institucionet e Republikës në përballje të tilla”.

Siç është shprehur ai, “atë që djemtë e vajzat tona e fituan ditën e 24 shtatorit në Banjskë, duhet ta fitojmë në politikë e në diplomaci”.

“Tani radhën ka politika. Dhe këtu ndërtohen kthesat e mëdha. Ne e kemi një mundësi të tillë. Është përgjegjësi e Qeverisë, dhe për këtë do ta ketë mbështetjen pa asnjë kalkulim, që këtë kthesë ta përkthej në avancim të pozicionit tonë ndërkombëtar”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku tha se e vërteta është se gjatë dy viteve të fundit, pozicioni i Kosovës ka qenë i rënduar, duke përmendur se Kosova është ende nën masa ndërkombëtare.

Ai tha se në përballje të tilla, bashkërendimi i ngushtë me aleatë është jetik.

“E vërteta e vetme është se për Kosovën do të ishte e pafalshme, të humbet një përballje me një Serbi që mbështetë dhe strehon terroristë. Prandaj sot duhet t’i mbajmë aleatët në krah. Duhet të ecim me ta. Pra jemi në momentin tonë”, tha Abdixhiku.

Kuvendi nis seancën me një minutë heshtje për heroin Afrim Bunjaku

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar seancën plenare me një minutë heshtje për rreshterin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku. Parlamenti mblidhet për herë të parë pas aktit terrorist të së dielës nga grupet terroriste serbe në veri të vendit.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca kërkoi nga deputetët që të nderojnë heroin Afrim Bunjaku.

Konjufca: Kërkoj që ta mbajmë një minutë heshtje për Afrim Bunjakun

“Në emër të Kuvendit të Kosovës dhe të grupeve parlamentare të kërkoj që ta mbajmë një minutë heshtje për rënien e heroit tonë, Afrim Bunjaku, për rënien e rreshterit të Policisë së Kosovës, në detyrë”, tha ai.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore. Tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar disa persona. Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armatimi në Manastirin e Banjskës, ku terroristët ishin strehuar. /Sh.Pajaziti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat