​Sulmi terrorist, Vrajolli: Rreziku më i madh që nga paslufta, u ndihmua nga qarqe serbe

Aktuale

​Sulmi terrorist, Vrajolli: Rreziku më i madh që nga paslufta, u ndihmua nga qarqe serbe

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 10:24
Mentor Vrajolli

Drejtori ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli, vlerëson se ngjarja e rëndë që ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku mbeti i vrarë një polic e të plagosur dy të tjerë, është më e rrezikshmja që ka pasur vendi që nga paslufta e tutje.

Në një intervistë për KosovaPress, Vrajolli thotë se ka qenë përgjegjësi e KFOR-it të ruajë atë pjesë të vendit, sipas tij ky i fundit ka qenë një ndërmjetësues në këtë rast.

Derisa thotë se e gjitha ishte organizim nga qarqe të ndryshme serbe, ai thekson se edhe qasja e butë ndaj Perëndimit karshi Serbisë ka ndikuar në këtë mes.

Vrajolli: Kjo mund të konsiderohet një ndër trazirat që ka pasur Kosova edhe pas luftës

“Kjo mund të konsiderohet një ndër trazirat që ka pas Kosova edhe pas luftës, ndoshta jo në nivel të njëjtë me atë të 2004-ës për faktin se ka pasur tendencë të hapur dhe të strukturuar për të vënë në risk komplet rendin ligjor, kushtetues të Republikës së Kosovës”, thekson ai.

Ndonëse, Manastiri i Banjskës u distancua nga aktet e grupit që sulmuan në veri, Vrajolli thotë se një ndihmë në këtë organizim erdhi edhe nga pjesa serbe e kufirit.

Vrajolli: Kjo që ka ndodhur është ndihmuar nga qarqe të shumta dhe të ndryshme

“Kjo që ka ndodhur është ndihmuar nga shumë qarqe të ndryshme. Është çështje e PK-së t’i identifikojë se kush brenda Kosovës i ka mbështetur ato. Sipas të gjitha gjasave një ndihmë e madhe ka ardhur edhe nga ana tjetër e kufirit, në pjesën serbe të kufirit. Kështu, është pak më e vështirë që të mblidhen të dhëna nga PK, megjithatë institucionet e Kosovës duhet të kërkojnë me vendosmëri që komuniteti ndërkombëtar të ushtrojë një trysni të madhe në raport me Serbinë, që të jetë bashkëpunuese e plotë në zbardhjen e këtij incidenti. Pasi, mendoj që edhe për komunitetin ndërkombëtar është me rëndësi të zbardhet ky incident, për shkak se ka pasur tendencë të pastër për të destabilizuar jo vetëm Kosovën por edhe ndoshta rajonin në përgjithësi”, vijon Vrajolli.

Me publikimin e disa videove ku shihen terroristët serbë teksa ikin malit nga Manastiri i Banjskës, janë rritur zërat se KFOR-i mund të ketë qenë ndërmjetësues.

E një gjë të tillë nuk e mohon drejtori i QKSS-së.

Vrajolli: KFOR-i ka qenë ndërmjetës për pjesën tjetër të grupit që janë larguar 

“Si duket ka pasur një negocim të brendshëm me këtë grupin që ka qenë i përfshirë, me gjasë KFOR-i ka qenë një ndër ndërmjetësuesit, nuk është thënë asgjë publike, megjithatë nga prononcimet e këtij grupit të pelegrinëve të cilët kanë qenë të ngujuar gjatë periudhës sa ka zgjatë kjo trazirë. Disa nga ta ishin prononcuar se KFOR-i kishte qenë brenda dhe i kishte identifikuar këta pelegrinët në kohën kur këta pjesëtarë të armatosur edhe më tutje gjendeshin brenda manastirit dhe nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim në raport me grupin, por me gjasa ky ka qenë momenti kur është negociuar me këta persona”, thotë Vrajolli.

Vrajolli thotë se KFOR-i ka përgjegjësinë më të madhe në veri të vendit.

Vrajolli: KFOR-i këtë përgjegjësi duhet të ushtrojë në mënyrë më të përpiktë

“Përgjegjësia duhet të gjendet në të gjitha institucionet e sigurisë. Dhe një ndër institucionet e sigurisë që ka një rol më të madh në pjesën veriore është KFOR-i. Policia e Kosovës ka nevojë për asistencë shtesë, sidomos sa i përket ruajtës së kufirit, në këtë rast mendoj KFOR-i këtë përgjegjësi duhet të ushtrojë në mënyrë më të përpiktë”, thotë mes tjerash Vrajolli.

Sipas tij, qasja e Perëndimit ndaj Serbisë duhet të ndryshojë.

Vrajolli: Në situatën e fundit është vërejtur qartë se Serbia ka qenë në një pozicion më të favorshëm sesa Kosova: 

“Në situatën e fundit është vërejtur qartë se Serbia ka qenë në një pozicion më të favorshëm sesa Kosova në raport me ndërkombëtarët, për faktin se shumë veprime që do duhej të konsideroheshin si të pa tolerueshme, komuniteti ndërkombëtar nuk i ka trajtuar si të tilla”, përfundon ai.

Ndryshe, në orët e para të mëngjesit të së 24 shtatorit është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa polici tjetër Alban Rashiti dhe një tjetër kanë mbetur të plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore.

Kujtojmë se Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armësh në Manastirin e Banjskës ku terroristët u strehuan.

Autoritetet në Kosovë kanë nxjerrë prova që implikojnë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq si udhëheqës të këtij grupi terrorist. Radojiçiq është i sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat