Anëtarësimi në Këshill të Evropës, dy juristë eminentë po qëndrojnë në Kosovë

Aktuale

Anëtarësimi në Këshill të Evropës, dy juristë eminentë po qëndrojnë në Kosovë

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 10:32
Këshill të Evropës

Në Kosovë janë duke qëndruar dy juristë të Këshillit të Evropës, të cilët po analizojnë ligjet dhe kushtetutën nëse ato janë në përputhje me standardet, vlerat dhe normat e këtij institucioni evropian.

Të njëjtit po mbajnë takime dhe po intervistojnë përfaqësues të ministrive përkatëse dhe institucioneve të pavarura për të marrë informacione për gjendjen e legjislacionit në rrafshin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të minoriteteve.

Kjo analizë pritet të rezultojë në një raport që do t’i dërgohet raportueses për Kosovën në Këshill të Evropës, Dora Bakoyannis, e cila ka obligim të hartojë raportin final.

Këto zhvillime për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, i mirëpret deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.

Ajo thotë, se presin që raporti të jetë pozitiv për vendin, pasi Kosova edhe në bazë të raporteve ndërkombëtare, ka legjislacionin e rregulluar mirë për të drejtat e njeriut dhe komunitetet.

“Kjo analizë do të rezultojë në një raport i cili i dërgohet raportueses së Kosovës, e cila e ka obligim që të hartojë raportin final. Ne besojmë se gjatë vizitës së këtyre juristëve, të cilët do të do kenë kontakte edhe me përfaqësues të ministrive përkatëse dhe institucioneve të pavarura, të cilat janë përgjegjëse.

Ata do të marrin informacione të mjaftueshme të cilat do të përcaktojnë sesa jemi afër me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës me Këshillin Evropian. Në bazë të vlerësimeve që i kemi dhe analizave që janë bërë edhe në raport me vendet e rajonit dhe kornizën e Bashkimit Evropian, ne kemi ligjet të cilat janë në nivel jashtëzakonisht të mirë, në rrafshin e të drejtave të njeriut, të drejtave të minoriteteve dhe të drejtave të tjera që kërkohen të plotësohen si standarde për vendet që synojnë të anëtarësohen në Këshill të Evropës.

Pritjet tona janë që raporti të jetë pozitiv dhe Kosova mos të ketë nevojë të ndryshojë bazën e saj ligjore”, thotë ajo.

Në anën tjetër, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, thotë për KosovaPress, se vizita e juristëve eminentë të KiE-së, është më shumë teknike dhe se të njëjtit pritet të bëjnë vlerësimin e përputhshmërisë së sistemit juridik të Kosovës me standardet e Këshillit të Evropës.

Ai shton se Kosova sa i përket legjislacionit ka avancuar, mirëpo thekson çalimin në implementimin e tij. Fetoshi përmend si sfida që do të theksohen në raport moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit dhe vonesat në miratimin e Kodit civil.

Krahas këtyre, ai nënvizon edhe problemet politike që do të shfaqen për anëtarësimin e Kosovës në KiE, sidomos edhe në rrethanat aktuale të dialogut Kosovë-Serbi dhe masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

“Nëse i referohemi raporteve të Bashkimit Evropian, Kosova sa i përket legjislacionit ka avancuar edhe pse në raportin e progresit përmendet fakti që çalon në drejtim të implementimit të kornizës ligjore, e cila është në masën e madhe në përputhje me acquis të BE-së.

Ndërkohë, besoj se mund të kemi problem me dy çështje. E para me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket Manastirit të Deçanit dhe e dyta nëse mund të problematizohet çështja e mos votimit ende të Kodit civil.

Por, për të gjitha këto pengesa më e madhe për ecjen e mëtejmë të procesit të anëtarësimit në Këshill të Evropës, është ngecja dhe faza në të cilën ndodhemi në dialogun me Serbinë. Siç e kemi vërejtur edhe në të kaluarën, besoj se të gjitha proceset në drejtim të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe njohjeve të reja, janë peng i suksesit të procesit të dialogut me Serbinë”, thekson Fetoshi.

Megjithatë, deputetja e mazhoranës thotë se kjo fazë e anëtarësimit të Kosovës në KiE, është plotësisht teknike dhe nuk mund të ketë ndikime politike.

Ajo shton se janë të përgatitur për lobim te vendet anëtare të KiE-së, për anëtarësim të Kosovës.

“Në këtë fazë jo, në fazën e votimit kur shtetet votojnë, atëherë jemi të angazhuar që të lobojmë te shtetet anëtare. Atëherë mund të ketë ndikime politike, ndërsa në këtë periudhë janë komplet vlerësime profesionale dhe apolitike”, thekson deputetja Pacolli.

Deri më tani, juristët eminentë kanë takuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe kabinetin e saj, deputetë të komisioneve përkatëse parlamentare, përfaqësues të shoqërisë civile etj..

Më 12 maj të vitit 2022, Kosova paraqiti kërkesën për anëtarësim në Këshill të Evropës, ndërsa Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, në nivel të ambasadorëve, ka vendosur më 24 prill të këtij viti të përcjellë këtë kërkesë për procedurë të mëtejshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Raporti për përputhshmërinë legjislative dhe kushtetuese të Kosovës me Këshillin Evropës, pritet të shkojë për votim në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, dhe pastaj në Komitetin e Ministrave për votim, por kësaj radhe në nivel të ministrave të Punëve të Jashtme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat