​Krasniqi: Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve që organizuan sulmin

Aktuale

​Krasniqi: Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve që organizuan sulmin

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 12:40
Memli krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të fillojë hetim për të vërtetuar përfshirjen e shtetit serb në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Ai deklaroi se Kosova duhet të kërkojë ekstradimin e terroristëve që organizuan sulmin. Krasniqi tha se PDK e mbështetë propozimin për rezolutë të përbashkët të partive politike, për të dënuar sulmin terrorist të së dielës në veri.

Në seancë plenare, kreu i PDK-së u shpreh se organizimi i këtij sulmi terrorist, adresën kryesore e ka në Beograd.

Krasniqi: Ne e mbështesim propozimin për një rezolutë të përbashkët

“Ne e mbështesim propozimin për një rezolutë të përbashkët të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për të dënuar sulmin terrorist ndaj vendit tonë. Sot para se gjithash nuk do të flasim për betejat e brendshme politike, sepse e kemi një temë më të rëndësishme përpara. E Kosova sot është nën sulm dhe ne të gjithë pa përjashtim duhet të jemi në krye të detyrave dhe përgjegjësive tona. Mposhtja e grupit terrorist në Banjskë të Zveçanit nuk është përfundimi i qëllimeve dhe synimeve të Serbisë karshi Kosovës, e që është destabilizimi i skajshëm i vendit tonë. Për mua dhe Partinë Demokratike të Kosovës është krejtësisht e qartë që organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi republikën tonë, adresën kryesore e ka në Beograd”, deklaroi ai.

Më tej, Krasniqi shtoi se Kosova duhet të kërkojë ekstradimin e terroristëve që organizuan sulmin e së dielës.

Krasniqi: Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve serbë

“Konfirmimi i përfshirjes së Milan Radojiçiq në këtë aksion, armatimi i sofistikuar dhe i shumtë i terroristëve, strehimi më pas i tyre në Serbi, lartësimi i tyre si heronj, përfshirë shpalljen e ditës së djeshme atje si ditë të zie, tregojnë për lidhjen e fortë të këtij grupi terrorist me shtetin serb. Prandaj sot para se gjithash është tejet e rëndësishme që Kosova të kërkojë ekstradimin e terroristëve që planifikuan, organizuan sulmin mbi shtetin tonë. Në këtë aspekt kërkojmë edhe mbështetjen e aleatëve tanë që duhet të rrisin presionin mbi Serbinë për t’i dorëzuar ata. Sepse ata duhet të marrin dënimin e merituar për krimin që realizuan në Kosovë. Heroi ynë i rënë, rreshteri Afrim Bunjaku meriton drejtësi dhe është detyra jonë morale që të sigurojmë përgjegjësit që të përballen me pasojat”, shtoi ai.

Po ashtu, kreu i PDK-së i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të fillojë hetim ndërkombëtar emergjent për të vërtetur përfshirjen e shtetit serb në këtë sulm terrorist.

Krasniqi: I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të fillojë hetim për sulmin terrorist

“I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të nis një hetim ndërkombëtar emergjent për të vërtetuar përfshirjen e shtetit serb në sulmin terrorist ndaj Kosovës. Ne tashmë gjithë e dimë dhe jemi të bindur por duam me fakte të bindet edhe bashkësia ndërkombëtare. Sepse pa u zbardhur e vërteta e plot e këtij rasti, Serbia nuk mund të të jetë palë e besuar në asnjë lloj procesi përpara. Është jetike që bashkësia ndërkombëtare ta njoh agresionin e vazhdueshëm të Serbisë mbi Kosovës, pasi kjo po vazhdon të cenojë integritetin dhe sovranitetin tonë territorial”, përfundoi Krasniqi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat