Kurti për sulmuesit në veri: Serbia ua dha pajisjet ushtarake, ua kreu trajnimet luftarake dhe qëllimet politike

Aktuale

Kurti për sulmuesit në veri: Serbia ua dha pajisjet ushtarake, ua kreu trajnimet luftarake dhe qëllimet politike

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 13:38
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se armatimi ushtarak dhe trajnimet luftarake që i kishin profesionistët serbë të cilët sulmuan policinë e Kosovës të dielën në Banjskë të Zveçanit, janë që të gjitha nga Serbia.

Ai i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që ta sanksionojë Serbinë lidhur me sulmin e ndodhur në Banjskë ngase sipas tij në rast se Serbia nuk ndëshkohet atëherë ajo mund ta përsërisë krimin.

“Është e rëndësishme të theksohet se bëhet fjalë për një bandë kriminale e terroristë, që janë profesionistë me trajnime luftarake. Serbia ua dha pajisjet ushtarake, ua kreu trajnimet luftarake dhe qëllimet politike e mbështetjen logjistike”, ka thënë Kurti.

Në foltoren e Kuvendit të Kosovës, në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se sulmuesit të cilët arritën të arratisen, duhet të dorëzohen në organet e Kosovës.

“Të dielën përjetuam një sulm agresioni të bandave kriminale e terroriste të Serbisë ndaj shtetit tonë. Sulmi i orkestruar i bandave të maskuara kriminale e terroriste, vrau zyrtarin tonë policor, rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosi një polic tjetër. Ishte një ditë e rëndë për vendin tonë dhe mbarë kombin tonë.  Policisë së Kosovës do t’i mungojë një pjesëtar i përkushtuar i saj ashtu siç do t’i mungojë edhe familjes e shoqërisë por vrasja e tij u kthye në angazhim edhe më të shtuar në luftim e bandave kriminale e terroriste dhe në fitore të betejës nga Policia e Kosovës. Terroristët ose janë vrarë, ose janë arrestuar ose janë në ndjekje pasi që ikën. Afrim Bunjaku është heroi më i ri i Kosovës”, tha Kurti.

Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat