​Haradinaj: Zhvillimet në dialog kanë shkuar në drejtim të gabuar për fajin e Kurtit

Aktuale

​Haradinaj: Zhvillimet në dialog kanë shkuar në drejtim të gabuar për fajin e Kurtit

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 13:47
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se për shkak të tij zhvillimet në dialogun me Serbinë kanë shkuar në drejtim të gabuar.

Haradinaj tha se sikur kryeministri Kurti, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca të kishin zgjedhur Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrëveshja me Serbinë do të ishte arritur me kohë dhe terroristët nuk do të mund të kalon kufirin me Kosovën.

Ai në Kuvendin e Kosovës e quajti mashtrues Kurtin që ka zgjedhur për ndërmjetësim të dialogut, përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarin Miroslav Lajçak, derisa tash i akuzon të njëjtit.

“Sikurse Kurti, Osmani dhe Konjufca të kishin zgjedhur Uashingtonin dy vjet më herët do të kishim marrëveshjen për njohjen me Serbinë në kohë. Sikur të pranonte planin për tabelat në veri të amerikanëve, jo të Borrellit dhe Lajçakut, por të amerikanëve, sekretarit Blinken do të kishim veriun e integruar dhe nuk do të kishim përballje me terroristët. Do të kishim partneritetin për paqe të nënshkruar dhe Kosovës në proces të anëtarësimit në NATO. Do të patrullohej vija e gjelbër e kufirit me Serbinë nga KFOR-i së bashku me ushtrinë e Kosovës dhe policinë tonë. S’do të kishte mundësi asnjë terrorist të kalonte kufirin dhe të rrezikonin Kosovën. Do të ishim anëtarë të Këshillit të Evropës dhe do të ishim në proces të anëtarësimit në OKB. Pyetni pak veten a do të kishte ndodh kështu nëse do të ishte vepruar në kohë ashtu. Tani Kurti fajëson Borrellin dhe Lajçakun që vet i ka zgjedhur, nuk e ka zgjedh Uashingtonin në kohë. Ju lutem mashtrimi nuk kalon, jemi mashtruar se dy vjet nga mashtruesi. Nuk kalon mashtrimi. Zhvillimet kanë shkuar në drejtimin e gabuar për fajin e këtij njeri”, tha Haradinaj.

Derisa nënvizoi sërish se sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ishte sponsorizuar nga Serbia dhe se mori përgjigjen e mirë nga institucionet tona të sigurisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat