Kurti në Ditën Kombëtare të Boshnjakëve: Jam krenar dhe njëkohësisht mirënjohës për boshnjakët dhe kontributin e tyre

Aktuale

Kurti në Ditën Kombëtare të Boshnjakëve: Jam krenar dhe njëkohësisht mirënjohës për boshnjakët dhe kontributin e tyre

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 16:33
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në tryezën e rrumbullakët, me rastin e Ditës Kombëtare të Boshnjakëve, ngjarje kjo që filloi me një minutë heshtje, në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, Heroit të Republikës, Afrim Bunjaku që më 24 shtator ra në krye të detyrës.

Në fjalën e tij para të pranishmëve të këtij komuniteti, kryeministri u shpreh i lumtur që ishte sot në mesin e tyre, duke falënderuar njëkohësisht zëvendëskryeministren Rexhepi e cila siç tha ai, na bashkoi dhe mund të flasin për tema që shqetësojnë të gjithë shoqërinë tonë dhe rrjedhimisht të gjithë ne.

Kryeministri Kurti teksa kujtoi sulmin e fundit terrorist të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, tha se të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të fundit ku sulmi terrorist në vendin tonë vërtetoi se dyshimet dhe pretendimet tona të vazhdueshme janë të vërteta dhe se kjo lloj politike ka ndjekur Serbinë që nga vitet 1990.

"Policia jonë dhe Republika jonë treguan vendosmëri, profesionalizëm, atdhedashuri, por mbi të gjitha guxim në luftën kundër rendit kushtetues, krimit dhe terrorizmit. Polici ynë Afrim Bunjaku humbi jetën heroikisht, por edhe tregoi se dashuria dhe sakrifica për atdheun është mbi të gjitha. Kështu na bashkoi të gjithëve dhe na bëri më të fortë. Kjo është arsyeja pse ai do të mbahet mend përgjithmonë’’, u shpreh kryeministri.
 

Kryeministri Kurti tha se është për jetesën e përbashkët dhe mirëqenien e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë duke investuar çdo ditë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë, punësimin, ndihmën ndaj kategorive sociale dhe barazinë mes të gjithë popujve në vendin tonë.

"Unë jam krenar dhe njëkohësisht mirënjohës ndaj boshnjakëve dhe për kontributin e tyre, si dhe angazhimin në çështje të rëndësishme brenda vendit dhe shoqërisë sonë. Përfaqësuesit politikë të boshnjakëve janë sot pjesë përbërëse e qeverisë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në marrjen e vendimeve të rëndësishme për zhvillimin e përgjithshëm’’, u shpreh ai.

Kryeministri përmendi shpërndarjen e 3 milionë euro për komunitetet joshumicë në Kosovë, të cilat përmes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim ua ndajnë organizatave joqeveritare dhe bizneseve të vogla me qëllim të rritjes së punësimit.

Në Pejë dhe Dragash do të fillojnë projektet infrastrukturore dhe ndërtimi i rrugëve me rëndësi për komunitetin boshnjak. Për këtë kemi ndarë 8 milionë euro. Më pas, kemi ofruar një program praktike për të rinjtë, në mesin e të cilëve 9 për qind janë boshnjakë.

Ndërsa ndërtojmë një të ardhme të përbashkët, ne duhet të ruajmë dhe të vazhdojmë të kultivojmë traditën. Për këtë arsye dhe vitin e kaluar unë dhe Emilija morëm pjesë në hapjen e Qendrës Kulturore Boshnjake në Prizren. E në gusht të këtij viti ishim në Prizren për ndërtimin e teleferikut, si dhe ndërtimin e rrugëve lokale në Zhupë.

"Ju përgëzoj për Ditën e Boshnjakëve dhe ju uroj gjithë të mirat”, përfundoi ai.

Fjala e plotë e kryeministri Kurti:

E nderuara zëvendëskryeministre, znj.Rexhepi,

I nderuari akademik Mustafa Ceriq, fitues i Çmimit të UNESCO-s për Paqe, lobues  dhe mik i madh  i Republikës së Kosovës,

Të nderuar përfaqësues të komunitetit boshnjak,

Të nderuar qytetarë, zonja dhe zotërinj,

Mirë se vini. Jam i lumtur që jemi sot këtu, brenda ndërtesës së Qeverisë, mes kolegëve dhe miqve. I jam mirënjohës Emilisë  që na bashkoi dhe që mund të diskutojmë tema të cilat kanë të bëjnë me  tërë  shoqërinë tonë dhe rrjedhimisht, me  të gjithë ne.

Të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve të fundit. Sulmi terrorist dhe kriminal ndaj vendit tonë dëshmoi të vërteta dyshimet dhe pretendimet tona të vazhdueshme. Municioni dhe pajisjet ushtarake që gjetëm brenda Manastirit të Banjskës vetëm sa konfirmojnë vendosmërinë e provuar prej kohësh të Serbisë për të shkatërruar para se të ndërtojë urat e paqes, dhe kështu edhe   vendosmërinë  e Presidentit të Serbisë për të mos respektuar Marrëveshjen kornizë të dakorduar  në Bruksel. Fatkeqësisht, kjo lloj politike ka ndjekur Serbinë që nga vitet 1990.

Policia jonë  dhe Republika jonë treguan vendosmëri, profesionalizëm, atdhedashuri, por mbi të gjitha guxim në luftën kundër rendit kushtetues, krimit dhe terrorizmit. Polici ynë Afrim Bunjaku humbi jetën heroikisht, por edhe tregoi se dashuria dhe sakrifica për atdheun është mbi të gjitha. Kështu na bashkoi të gjithëve dhe na bëri më të fortë. Kjo është arsyeja pse ai do të mbahet mend përgjithmonë.

Unë angazhohem  për jetë të  përbashkët dhe mirëqenie të  të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Investoj çdo ditë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë, punësimin, ndihmën ndaj kategorive sociale dhe barazinë ndërmjet  të gjithë popujve në shtetin  tonë.

Unë jam krenar dhe njëkohësisht mirënjohës ndaj   boshnjakëve dhe për  kontributin e tyre, si dhe angazhimin në çështje të rëndësishme brenda vendit dhe shoqërisë sonë. Përfaqësuesit politikë të boshnjakëve janë sot pjesë përbërëse e qeverisë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në marrjen e vendimeve të rëndësishme për zhvillimin e përgjithshëm.

Qeveria jonë ka demonstruar para së gjithash rëndësinë e shtetit ligjor, zhvillimin e demokracisë dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Ne kemi arritur rezultate të rëndësishme në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, të  lirisë së medias dhe të parlamentarizmit. Këto rezultate janë një hap i rëndësishëm drejt një të nesërme më të mirë dhe mbi të gjitha janë tregues se kjo shoqëri vërtet mundet.

Republika e Kosovës është shtet, por edhe shembull se  progresi ekonomik dhe demokratik shkojnë së bashku. Qeveria jonë beson se nuk mund të ketë demokraci pa të drejtat e njeriut, sundim të ligjit  dhe  pluralizm politik.

Po ashtu, ne kujdesemi për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Kështu kemi ndarë  3 milionë euro për komunitetet joshumicë në Kosovë, të cilat përmes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim ua ndajmë organizatave joqeveritare dhe bizneseve të vogla me qëllim të rritjes së punësimit.

Në Pejë dhe në  Dragash do të fillojnë projektet infrastrukturore dhe ndërtimi i rrugëve me rëndësi për komunitetin boshnjak. Për këtë kemi ndarë 8 milionë euro. Më pas, kemi ofruar një program praktike për të rinjtë, në mesin e të cilëve 9 për qind janë boshnjakë. Në  kolegjin, tani shtetëror  ndërkombëtar në Mitrovicë, ka të diplomuar nga komuniteti boshnjak, si dhe nga radhët e komunitete të tjera. Atë  e kemi mbështetur me 270 mijë euro. Krahas kësaj , kam iniciuar takime të rregullta me zyrtarë komunalë nga radhët , dhe deri më tani në disa takime të tilla kemi biseduar për problemet e përditshme si dhe për mundësitë për ndihmë të drejtpërdrejtë   nga Qeveria. Përfundimisht  , më 1 nëntor, kur fillon regjistrimi, çdo shtëpi do të mund të kërkojë të ketë një zyrtar regjistrimi nga komuniteti të cilit i përket, në mënyrë që të gjithë të ndjehen ashtu siç vetë janë   dhe t'i ofrojnë shtetit informacione  më të sakta  për komunitetin nga vijnë.

Ndërsa ndërtojmë një të ardhme të përbashkët, ne duhet të ruajmë dhe të vazhdojmë të kultivojmë traditën. Për këtë arsye, qysh në  vitin e kaluar, unë dhe Emilija morëm pjesë në hapjen e Qendrës Kulturore Boshnjake në Prizren. E në gusht të këtij viti ishim në Prizren në lidhje me ndërtimin e teleferikut, si dhe ndërtimin e rrugëve lokale në Zhupë.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për mirëqenien dhe barazinë e të gjithë qytetarëve të Republikës sonë.

Zonja dhe zotërinj,
Shpreh mirënjohjen time për bashkëpunimin dhe përkushtimin tuaj, si dhe për rolin tuaj të çmuar  për Kosovën, atdheun tonë të përbashkët.Të vazhdojmë të kultivojmë diversitetin si pasuri, duke kërkuar solidaritet me të gjithë dhe barazi që nuk lejon  që askush, askund të diskriminohet.

Më lejoni t'ju uroj suksese, zhvillim dhe prosperitet  me rastin e festës suaj kombëtare.

Ju uroj  Ditën e Boshnjakëve dhe ju dëshiroj  gjithë të mirat!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat