Qori: Kërkesa e Ramës që KFOR ta marrë kontrollin e veriut, poshtërsia më e madhe ndaj Kosovës

Aktuale

Qori: Kërkesa e Ramës që KFOR ta marrë kontrollin e veriut, poshtërsia më e madhe ndaj Kosovës

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 17:04
Arlind Qori

Aktivisti nga Shqipëria, Arlind Qori, ka analizuar konferencën e sotme të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, që e mbajti për situatën aktuale pas sulmit terrorist në Kosovë.

Qori thotë se përveç dënimit të pritshëm të agresionit ndaj Kosovës dhe identifikimit të Qeverisë së Serbisë me agresorët, pati edhe disa elemente në këtë konferencë që ai i quajti problematikë.

Një prej tyre ishte deklarata e Ramës që KFOR të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Qori thotë se Rama hoqi një paralele të rrezikshme, për të cilën tha se është poshtërsia më e madhe ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës.

“Rama bëri thirrje që KFOR-i të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Jo të ruajë seriozisht kufirin nga depërtimi i grupeve të terrorit e krimit, as të ndihmojë Policinë e Kosovës në ruajtjen e rendit në veri, por marrjen e pushtetit material në veri. Për analogji, kjo është çka KFOR-i bëri në Kosovë kur dëboi ushtrinë dhe policinë e regjimit të Millosheviçit. Duke hequr këtë paralele, Rama po i ofron veriut të Kosovës në raport me shtetin e Kosovës atë që fitoi Kosova në raport me Serbinë më 1999. Nëse kjo nuk është budallallepsje nga padija, është poshtërsia më e madhe ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës”, tha aktivisti i Lëvizjës BASHKË.

Ai kritikoi edhe thirrjen e Ramës ndaj Kosovës për kthimin pa kushte në tryezën e dialogut me Vuçiçin, duke theksuar nevojën e krijimit të Asociacionit.

Sipas tij, Rama solli një opsion të ndryshëm edhe prej Kosovës e BE-së sa i takon themelimit të Asociacionit.

Postimi i plotë:

Nga konferenca e tanishme për media e Edi Ramës, e fokusuar mbi situatën në Kosovë, përveç dënimit të pritshëm të agresionit ndaj Kosovës dhe identifikimit të qeverisë së Serbisë me agresorët, mund të shkëputen disa elementë problematikë.

1. Rama përmendi kusuret e shumta të qeverisë së Kosovës për ngecjen e dialogut. Pra fajin e ka pasur vetëm Kosova dhe aspak Serbia. Afërmendsh kjo nuk justifikon agresionin e armatosur ndaj Kosovës, por Rama jep mesazhin e nënkuptuar se kontekstin për agresionin e ka përftuar vetë viktima. Pra fajin, qoftë edhe pjesërisht, e ka viktima.

2. Rama bëri thirrje që KFOR-i të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Jo të ruajë seriozisht kufirin nga depërtimi i grupeve të terrorit e krimit, as të ndihmojë Policinë e Kosovës në ruajtjen e rendit në veri, por marrjen e pushtetit material në veri. Për analogji, kjo është çka KFOR-i bëri në Kosovë kur dëboi ushtrinë dhe policinë e regjimit të Millosheviçit. Duke hequr këtë paralele, Rama po i ofron veriut të Kosovës në raport me shtetin e Kosovës atë që fitoi Kosova në raport me Serbinë më 1999. Nëse kjo nuk është budallallepsje nga padija, është poshtërsia më e madhe ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës.

3. Rama bëri thirrje për kthimin pa kushte në tryezën e dialogut me Vuçiçin, duke theksuar nevojën e krijimit të Asociacionit. Gjithsesi debati mbi Asociacionin nuk ka qenë më a duhet të bëhet, por si dhe me ç’hapa duhet të bëhet. Pra Asociacioni (brenda detyrimeve kushtetuese) do të bëhet me KUSHTIN që Serbia të njohë Kosovën apo me SHPRESËN që Serbia do ta njohë Kosovën? Qëndrimi i qeverisë së Kosovës ka qenë opsioni i parë. Përfaqësuesit e BE kanë zgjedhur opsionin e dytë. Kurse Vuçiçi ka dalë me opsionin e tretë: Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën as de jure, as de facto. Se për çfarë do të dialogohet në këto kushte, nuk e kuptoj!

4. Rama përsëriti parimin se kur i bën bisht një marrëveshjeje (të mirë?!), mund të marrësh një më të keqe. Këtu ka dy probleme. Marrëveshjen e Ohrit e ka nënshkruar Kurti, por nuk e ka nënshkruar Vuçiçi. Po ashtu, pse e njëjta logjikë nuk vlen për Serbinë që të mos shpresojë marrëveshje më të mirë për veten?!

5. Edhe kësaj here, si lord anglez, Rama i ka konsideruar konfliktet ballkanike si hajvanllëk të së shkuarës. Afërmendsh askush nuk e do luftën në vetvete, por shekulli XX nuk ka lindur nga budallallëku i popujve të paqytetëruar të Ballkanit, por nga një kompleksitet faktorësh historikë, socialë e gjeopolitikë. Për pasojë paqja permanente nuk është thjesht çështje e vullnetit të mirë, por një përgjigje shumëplanëshe e problemeve të së shkuarës e të tashmes.

6. Në fund, si për t’i hedhur pak piper nënçmimi kulturor kritikëve të tij nga Kosova, Rama është tallur me shqiptimin Vuqiq (më thonë që jam vëllai i VuQiQit) të emrit të presidentit të Serbisë nga një pjesë e qytetarëve të Kosovës. Me arrogancën e një “çuni Tirane” i ka treguar drejtshkrimin zyrtar qytetarëve të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat