Sulmi terrorist në veri, Anton Quni tregon kush qëndron pas këtij aksioni

Aktuale

Sulmi terrorist në veri, Anton Quni tregon kush qëndron pas këtij aksioni

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 17:14
Anton Quni

Një grup kriminelësh serb të dielën sulmuan Policinë e Kosovës.

Sulmi ndodhi në mëngjesin e hershëm, në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë u vra rreshteri Afrim Bunjaku, një zyrtarë policor u plagos dhe dy të tjerë u lënduan.

Të martën , ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se nuk kanë bilanc të saktë për terroristët e vrarë, duke shtuar se kanë indikacione që janë më shumë se tre.

Anton Quni, anëtari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka folur lidhur me këtë ngjarje tragjike që ndodhi në veri të vendit tonë.

Quni në një intervistë tha se krejt ky sulm ka qenë i planifikuar nga serbët.

Ai thotë se sulmuesit kanë qenë të përgatitur nga një shtet me përvojë në sulme.

Mbrapa kësaj trazire në veri, sipas Qunit, qëndron vetëm Serbia.

 “Po vetë natyra dhe karakteri i këtij formacioni paramilitar terroristë nga pamjet, faktet që janë mbledh deri më tani janë tregues që bëhet fjalë për një përgatitje të gjatë e udhëhequr nga profesionistë me një teknikë të sofistikuar të cilat mundët me i siguruar vetëm një shtet që ka përvojë në këtë fushë.  Mbrapa këtij formacioni terroristë qëndron Serbia me kapacitetet e saja të inteligjencës ushtarake, policore duke ju ofruar instruksione ekspertizë, e ambiente”, u shpreh Quni.

Quni thotë se zinxhiri komandues i sulmuesve do të bëhet i ditur pas përgjigjeve të organeve të hetuesisë.

“Shumë shpejtë do të marrin përgjigje nga organet e hetuesisë pasi të procedohen të arrestuarit, do të kuptohet i tërë zinxhiri komandues, periudha se sa ata kanë qëndruar në Serbi ku janë e kush i ka përgatitur. Do të tregojnë edhe për mundësinë e largimit të tyre”, tha Quni.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni ka thënë se Lista Serbe është në shërbim të kauzës kriminale të Radojçiqit për ta destabilizuar Kosovën.

Ai tha se të gjitha shërbimet e Radojçiqit duhet të neutralizohen pasi është në ndjekje.

“Të gjithë e dimë që Radojçiq nuk është në shërbim të Listës Serbe por kjo parti është në shërbim të kauzës së tij kriminale terroriste për ta destabilizuar Kosovën, kur është në ndjeke një personalitet që ka mundësi të tilla atëherë do të duhen të neutralizohen të gjitha shërbimet e tij nga burimet financiare mbështetja personel, krahu politik i tij etj”, tha Quni.

Quni thotë se afërsia mes Vuçiqit dhe Radojçiqit tregon implikimit e drejtpërdrejtë të Serbisë brenda Kosovës.

“Kur e kemi parasysh afërsinë e Radojçiqit me Vuçiqin ky është edhe një tregues i implikimit të drejtpërdrejtë të Serbisë brenda Kosovës është një ndërhyrje e shtetit fqinjë në ndërhyrjen nacionale të Kosovës”, tha ai.

Kanë kaluar katër ditë që nga sulmi terrorist i serbëve ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Tani situata është e qetë.

Por se a mund të përshkallëzohet sërish veriu, ka folur Anton Quni, deputet i LDK-së.

Quni tha se mund të përballemi sërish me situata të nivelit më të lartë.

Ai deklaroi se Kosova duhet të jetë e kujdesshme dhe të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtar.

“Situatat e tilla nuk përjashtohen në të ardhmen duhet të jemi edhe më të kujdesshëm ashtu siç analizojmë ne këto veprime ashtu analizohet edhe nga pala serbe, nëse planifikojnë në të ardhmen ndonjë veprimet të natyrës së tillë me siguri do të jenë në ndonjë nivel më të lartë, por ne kemi kuadro dhe mundësi me bashkëpunimin me partnerët tanë do e mundësojë që njësitë tona të menaxhojnë edhe situata të tilla”, tregoi Quni.

Ish-komandanti i UÇK-së, Anton Quni ka folur për sasinë e armëve që ka konfiskuar policia në sulmin e së dielës në veri.

Quni ka treguar se si kanë mundur t’i sigurojnë sulmuesit arsenalin e armëve.

“Ato mundën me u siguruar vetëm nga burimet ushtarake duke filluar nga armët artilerike, kishte mina hedhës 82 e 60 milimetra edhe disa armë të sofistikuar që nuk gjinden në tregun e zi e të lirë siç është granat hedhësi automatik e me 93 këto të gjitha janë pajisjet të cilat i posedon ushtria e Serbisë, por edhe disa dokumente janë gjetur kur është bërë pranim dorëzimi nga kazermat ushtarake tek njësitë terroriste”, thotë Quni.

Ai thotë se hetimet e autoriteteve kosovare do ta zbulojnë të vërtetën se a janë përfshirë pelegrinët në këtë akt.

“Sa ka qenë një bashkëpunim në mes të njësitit terroristë dhe autoritetit të Manastirit dhe ata pelegrinë që ishin aty a është koincidencë apo diçka e planifikuar, hetimet në të ardhmen do e sqarojnë por prezenca e pelegrinëve ka qenë rrezik për vetë ata por fal menaxhimit të njësive policore është evituar një rrezik i tillë”, përfundoi Quni.

Ndërkohë, kjo ngjarje që ndodhi të dielën është dënuar ashpër nga të gjithë, duke përfshirë edhe spektrin ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat