Osmani ia bën me dije QUINT-it: Nëse s’merren masa ndaj Serbisë, mund të ketë përsëritje të veprimeve terroriste

Aktuale

Osmani ia bën me dije QUINT-it: Nëse s’merren masa ndaj Serbisë, mund të ketë përsëritje të veprimeve terroriste

Më: 29 shtator 2023 Në ora: 15:54
Pamje nga takimi i Vjosa Osmanit me ambasadorët e QUINT-it

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar mëngjesin e sotëm ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe të Bashkimit Evropian, me të cilët ka diskutuar për situatën në veri të vendit, pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Koosvës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Përmes një komunikate për media, Zyra e Presidencës njofton se presidentja Osmani ka theksuar se duhet të kërkohet llogaridhënie nga Serbia për veprimet e saj kundër Kosovës.

Sipas saj, mungesa e masave ndëshkuese, mund të keqpërdoret nga pala serbe dhe të ketë përsëritje të veprimeve terroriste.

“Presidentja ka bërë të ditur se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara në menaxhimin e situatës aktuale dhe për të ndihmuar në arritjen e ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Sipas Presidentes Osmani, duhet të kërkohet llogaridhënie nga Serbia për veprimet e saj kundër Kosovës, duke ia bërë të qartë se duhet të ndalojë financimin, mbështetjen dhe shtytjen e grupeve kriminale për veprime terroriste.

“Mungesa e masave të tilla mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë dhe për rrjedhojë mund të kemi përsëritje të veprimeve terroriste”, ka nënvizuar Presidentja Osmani”, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat