Trajkoviq: Do të ishte katastrofike për popullin serb nëse Lista Serbe do të mbijetonte politikisht

Aktuale

Trajkoviq: Do të ishte katastrofike për popullin serb nëse Lista Serbe do të mbijetonte politikisht

Më: 29 shtator 2023 Në ora: 16:23
Rada Trajkoviq

Politikania nga Kosova Rada Trajkoviq tha sot se do të ishte katastrofike për popullin serb në Kosovë dhe Serbinë nëse Lista Serbe do të mbijetonte politikisht.

Në një intervistë për agjencinë Beta, Trajkoviq tha se Lista Serbe realisht kurrë nuk ka pasur mbështetjen e popullit serb në Kosovë.

“Lista Serbe ka marrë vota për shkak të shantazhit dhe terrorit që ka bërë ndaj serbëve. Ajo parti është degë e Aleksandër Vuçiqit, e cila u pranua nga liderët shqiptarë dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, sepse roli i vetëm i Listës Serbe ishte zbatimi i të gjitha marrëveshjeve nga Brukseli pa diskutim përmes pjesëmarrjes në institucionet e Kosovës”, tha ajo.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me Listën Serbe duke marrë parasysh pjesëmarrjen e nënkryetarit të saj Milan Radoiçiq në konfliktet e armatosura në Banjska, Trajkoviq tha se kjo do të varet edhe nga qëndrimi i shtetit të Serbisë ndaj Radoiçiqit.

“Do të ishte shumë katastrofike për popullin serb në Kosovë dhe shtetin e Serbisë nëse Lista Serbe mbijetonte politikisht. Nëse Beogradi nuk e sanksionon efektivisht Radoiçiqin, fati i Listës Serbe dhe qeverisë së Vuçiqit do të vuloset. Me inkursionin e armatosur në veri të Kosovës, Radoiçiq u paraqit si përfaqësues i një organizate terroriste të ngjashme me Hamasin”, theksoi Trajkoviq.

E pyetur për të komentuar për faktin se Radoiçiq deri më 24 shtator ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i Presidentit Vuçiq për çështjen e Kosovës, Trajkoviq tha se Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në vendimet e personelit në Agjencinë e Inteligjencës së Sigurisë (BIA) dhe në agjencitë ushtarake serbe të inteligjencës.

“Radoiçiq dhe Veselinoviq emëruan “personel” në agjencitë e sigurisë që ishin përgjegjës jo vetëm për zonën e Kosovës, por edhe për pjesën tjetër të Serbisë. Ndikimi i tyre mes njerëzve të rëndësishëm në sistemin e sigurisë ishte i madh dhe rekomandimi i tyre do të thoshte shumë për Vuçiqin dhe kryeministren Ana Brnabiq”, tha ajo.

Duke komentuar dorëheqjen e Milan Radoiçiqit nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe, Trajkoviq tha se anëtarët e Listës Serbe nuk kanë “forca të mjaftueshme” që të distancohen nga Radoiçiq dhe ta përjashtojnë atë nga partia.

“Lista Serbe nuk ka devijuar nga Radoiçiqi, i cili në thelb do t’u krijonte mundësinë për të mbijetuar në ndonjë segment në skenën politike të Kosovës. Lista Serbe nuk u ka dhënë mundësi serbëve në Kosovë të distancohen nga Radoiçiq dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt”, ka vlerësuar ajo.

Fatkeqësia më e madhe për popullin serb do të ishte, shtoi ajo, nëse Lista Serbe, pas gjithçkaje që ka bërë në dhjetë vitet e fundit dhe pas ngjarjeve në Banjskë, do të mbijetonte politikisht.

“Pas Listës Serbe nuk ka asnjë institucion serb në Kosovë që nuk është i kompromentuar”, ka thënë ajo.

E pyetur se cilat do të jenë pasojat për popullin serb në Kosovë pas ngjarjeve në Banjskë, Trajkoviq tha se kjo do të varet nga mesazhet e Beogradit.

“Opozita duhet të ofrojë mbështetje maksimale për serbët në Kosovë, por fati i tyre në këtë moment varet më së shumti nga Aleksandar Vuçiq. Vuçiq duhet të ndalet me një fushatë që nuk i shërben qëllimit të qetësimit të pasioneve, sepse frika dhe antagonizmi po vërshojnë nga të gjitha anët në Kosovë. Kur një zonë i jepet mafies dhe njerëzve të papërgjegjshëm, asgjë nuk mbetet pas”, tha ajo.

Duke komentuar qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ndaj veriut të Kosovës, Trajkoviq ka thënë se Kurti para bashkësisë ndërkombëtare është rehabilituar nga Milan Radoiçiq dhe ata, siç ka thënë ajo, që qëndrojnë pas tij.

“Radoiçiq dhe eprorët e tij e ndihmuan Kurtin të rehabilitohej para bashkësisë ndërkombëtare. Kurti perceptohej nga Perëndimi si problem deri më 24 shtator, por tani është në proces rehabilitimi. Gjithçka që po ndodh tani në veri të Kosovës është nën kontrollin më të rreptë të faktorëve ndërkombëtarë dhe për këtë besoj se nuk do të lejojnë që situata të përkeqësohet, se do të formohet Asociacioni  i Komunave Serbe dhe se populli serb nuk do të detyrohet të largohet nga Kosova”, ka përfunduar Trajkoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat