“Lajm fantastik”, Kraki reagon pas deklaratave të fundit të Amerikës – ‘godet’ Hill-in e Escobar-in

Aktuale

“Lajm fantastik”, Kraki reagon pas deklaratave të fundit të Amerikës – ‘godet’ Hill-in e Escobar-in

Nga: A.M. Më: 30 shtator 2023 Në ora: 10:04
Nezir Kraki dhe John Kirby, foto ilustrim

Profesori në Universitetin e Parisit, Nezir Kraki ka reaguar pasi koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin për, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

Ai në një postim në Facebook tha se ky është një lajm fantastic, derisa tha se kjo deklaratë i tha fund pretendimeve të Hill-it dhe Escobar-it për Serbinë paqësore.

“Kur kam thënë me insistim se qasja e Hillit dhe Escobarit ishte antiamerikane sepse nuk ishte në vijë me interesat gjeostrategjike të Amerikës në këtë pjesë të botës, komitat e debillave ma rikujtonin se « ata e përfaqesojnë Amerikën».

Ta shohim nga sot e tutje kush dhe si përfaqëson Amerikën. Atë Amerikën e vërtetë që kurrë në plan s’e ka pasë fuqizimin e Rusisë në Ballkan përmes Serbisë. Sepse duhet të jesh injorant me talent që të mos e kuptosh se Putinit i duhet një front i ri ku Evropa e Amerika do investoheshin ushtarakisht dhe kështu ai do merrte pak frymë në Ukrainë” shkroi ndër të tjera Kraki, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Fundi i hipnozës

Lajm fantastik qe Amerika nuk u beson më përrallave të Hillit dhe Escobarit për Serbinë paqësore dhe Vuçiqin evropian.

Këta të dy kanë dështuar brutalisht në analizat dhe misionet e tyre. Kanë keqorientuar politikën e jashtme amerikane në Ballkan duke e vënë në rrezik sigurinë e mbarë Evropës dhe duke e dobësuar pozitën gjeostrategjike të Amerikës në këtë rajon. Edhe më keq, paaftësia e tyre apo më saktë mungesa e dëshirës për ta parë drejtë dhe objektivisht realitetin politik në Ballkan, e ka rrezikuar deri në zhbërje projektin më të madh dhe më të suksesshme amerikan të tri dekadave të fundit - Kosovën shtet.

Leximi i gabuar i situatës dhe dështimi në definimin e partnerëve të besueshem rezultoi me fushatën e paprecendentë të përkdheljes së Serbisë në një moment kur ajo realisht meritonte izolim e sanksione për rreshtimin e saj anti Nato dhe anti BE, sidomos në dosjen e Ukrainës. Ajo qasje rezultoi me rritjen e apetiteve ekspansioniste dhe fashiste të Vuçiqit, dhe e trimëroi atë që të bëhej tash e tutje edhe prodhues terrorizmi në Evropë.  Pasardhësi i Millosheviçit, me lejen e nënkuptuar të Hillit dhe Escobarit (por edhe të evropianëve), shkeli edhe mbi ujdinë që ishte arritur në Bruksel dhe Ohër. Nga ana tjetër, komita qesharakesh dhe argatë të dreqit u mobilizuan me shkrim dhe me gojë në shërbim të idesë absurde sipas së cilës Serbia nuk përbënte më rrezik për Kosovën dhe rajonin. Derisa Edi Rama fliste për fantazmat e luftës dhe obsesionin e Albin Kurtit për të kaluaren, disa në Prishtinë e denonconin « terrorin e Albinit ndaj serbëve në Veri » dhe kërkonin tërheqjen e policisë nga ajo pjesë.

Kur kam thënë me insistim se qasja e Hillit dhe Escobarit ishte antiamerikane sepse nuk ishte në vijë me interesat gjeostrategjike të Amerikës në këtë pjesë të botës, komitat e debillave ma rikujtonin se « ata e përfaqesojnë Amerikën».

Ta shohim nga sot e tutje kush dhe si përfaqëson Amerikën. Atë Amerikën e vërtetë që kurrë në plan s’e ka pasë fuqizimin e Rusisë në Ballkan përmes Serbisë. Sepse duhet të jesh injorant me talent që të mos e kuptosh se Putinit i duhet një front i ri ku Evropa e Amerika do investoheshin ushtarakisht dhe kështu ai do merrte pak frymë në Ukrainë.

Mos harroni, ekziston veç një version i Vuçiqit: ai është mbetje fashiste dhe gjenocidale e Millosheviqit, luftënxitës dhe urrejtës patologjik i shqiptarëve, mashtrues edhe i popullit serb dhe sidomos manipulues i serbëve të Kosovës.

Ata të cilët kanë vite që na riciklojnë këtë krijesë të Serbisë gjenocidale për ta bërë atë të duket modern dhe evropian duhet të mbajnë përgjegjësi, të paktën morale.

Kosova kalon. Kosova bëhet.

Amerika pro ruse nuk ekziston. Ekzistojnë veç amerikanë që për llogari tjera, në një moment e humbin rrugën dhe me ose pa dashje bëhen prorusë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat