Uashingtoni dhe Berlini ia kthejnë prapa ushtrinë Vuçiqit

Aktuale

Uashingtoni dhe Berlini ia kthejnë prapa ushtrinë Vuçiqit

Më: 1 tetor 2023 Në ora: 11:59
Annalena Baerbock dhe Antony Blinken

I pari për ta vlerësuar si “kalkulim diletant” akumulimin e paprecedentë të forcave ushtarake serbe ditëve të fundit në dhjetëra pozicione në afërsi të kufirit me Kosovën, ishte vetë ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Zdravko Ponos, i cili tërë lëvizjet e bëra ditëve të fundit nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i lexoi si taktikë të këtij të fundit për të pranuar telefonata nga qendrat të botës.

Për Ponos-in kjo s’ishte gjë tjetër veçse një taktizim dhe kalkulim i kotë, që për synim ka vetëm “sa për të folur” me njerëz me peshë si Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Presidenti i Serbisë, duke folur në The Financial Times u shpreh se njoftimet alarmuese amerikane që erdhën nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë për këtë “grumbullim të paprecedentë” forcash ishin “rrena të kulluara”; e ku një rresht mëposhtë thotë se prej 14 mijë trupa të vendosura sa ishin vitin e kaluar, tash janë rreth 7 mijë dhe se deri nga e hëna do ta reduktojë në 4 mijë.

Metoda “eskalo për të deeskaluar” nuk i shkoi kollaj Vuçiqit, kur ishte vetë Antony Blinken i cili ia kumtoi përmes telefonit se moslargimi i ushtrisë serbe nga kufiri do të barte nëvete konsekuenca për Serbinë, përkatësisht “masa ndëshkuese”.

The Guardian raportoi se Serbia “ka tërhequr një pjesë të trupave” duke cituar fjalët e Vuçiqit, por edhe të një zyrtari të qeverisë kosovare, emri i të cilit nuk u tha.

Të shtunën mbrëma, ambasadori gjerman në Uashington, Andreas Michaelis, e ka përshkruar situatën si një “fuqi baruti midis Evrope” dhe se “rreziku duhet të merret seriozisht”. Michaelis ka shkruar mes tjerash se Berlini dhe Uashingtoni “kanë bashkëpunuar tepër ngushtë orëve të fundit”, gjë që ka qenë “absolutisht kyçe në mënjanimin e eskalimeve të mëtejme”.

“Serbisë i duhet të veprojë menjëherë”, ka shkruar ambasadori gjerman në Uashington.

Ky grumbullim masiv i ushtrisë serbe, u përcoll me deklarime të ministrit serb të mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, i cili duke folur për mediat serbe që operojnë në Kosovë, tha se Serbia “ka reduktuar në minimum” dhe në nivel “thjesht teknik” kontaktin me KFOR-in; ngase “mosreagimi” i forcës paqeruajtëse të NATO-s, kishte ngritur dilema në Serbi “se mos është bërë thjesht një mision vëzghues e jo forcë e armatosur”.

Vuçeviq vuri në pikëpyetje krejt atë që, sipas tij, “do të duhej të ishte qëllimi” i KFOR-it dhe EULEX-it. “Atëherë çfarë qenka qëllimi i tyre...të dëgjohen me Ushtrinë e Serbisë dhe të bëjnë pyetje se çfarë po ndodh në Zonën (kufitare) e Sigurisë?”, pyeti ai.

Pyetur nga mediumi se çfarë janë përgjigjet e KFOR-it kur u shtrohen këto “ankesa”, Vuçeviq shpreht se “pak a shumë përgjigjen asisoji që i shkon në favor Kurtit”.

“Nuk kanë përgjigje – kanë përgjigje boshe teknike; që Policia e Kosovës kanë të drejtë të reagojnë ndaj një sulmi terrorist. Pak a shumë asisoji që i shkon në favor Kurtit”, tha Vuçeviq.

Ministri italian i Jashtëm, Antonio Tajani, me të nisur konflikti i armatosur mes bandësa terroriste të udhëhequr nga Radojçiq dhe njësiteve speciale policore kosovare, njoftoi se ka telefonuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Mesazhi i Tajanit ishte tejet konkret – kufiri ndërmjet Kosovë dhe Serbisë do të ngurtësohet edhe më tej; dhe atë me prezencën dhe përkushtimin e trupave italiane.

Njoftoi se në pajtim me ministrin italian të mbrojtjes, Guido Crosetto, e kishin diskutuar saktësisht këtë gjë, që kufiri Kosovë-Serbi “është përkushtim i Italisë”.

Me këtë fjali, Tajani e konkludonte tërë komunikatën e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat