Drejtori i Policisë: Rreshteri Afrim Bunjaku humbi jetën nga shpërthimi i një mine të telekomanduar, shfaq pamjet

Aktuale

Drejtori i Policisë: Rreshteri Afrim Bunjaku humbi jetën nga shpërthimi i një mine të telekomanduar, shfaq pamjet

Më: 1 tetor 2023 Në ora: 16:40
Pamje nga sulmi terrorist

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se rreshteri Afrim Bunjaku ka humbur jetën nga shpërthimi i një mine që ka shpërthyer me teledirigjim.

Hoxha thotë se nuk qëndrojnë pohimet e Serbisë se qëllimi nuk ka qenë vrasja e policëve të Kosovës.

“Vrasja ka ndodhur me minë anti-këmëbsorike, të detonuar me tele-dirigjues dhe bateri elektrike që është përdorur nga grupi. Kanë vazhduar sulmet me raketahedhës në dhe afër manastirit, diku 300-400 metra nga vendi ku u vra rreshter Afrimi”, ka thënë Hoxha.

Image
Pamje nga sulmi terrorist

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë thotë se pamjet janë marrë nga kamerat e autoblindave të Policisë së Kosovës.

“Momenti i sulmit, dhe hedhjes nga pjesa e epërme edhe pastaj fati ka qenë në anën tonë dhe nuk është qëlluar direkt blinda…Ora 4:21 e mëngjesit. Goditja me zollë”, tha Hoxha derisa prezenton videon e sulmit.

Image
Pamje nga sulmi terrorist

“Kolegët tanë vazhdojnë dhe dalin përtej barrikadës së parë. Veturat anash kanë qenë të policisë që kanë qenë të sulmuara që kanë mbetur në vendin e ngjarjes”, ka thënë Hoxha më tutje.

“Vetura që është përdorur nga rreshteri Bunjaku dhe një veturë tjetër e njësitit të Policisë kufitare”, tha ai duke shtuar se për këtë arsye nevojiten njësitet e specializuara.

“Sulmi fillestar është bërë fillimisht me eksploziv, si pasojë e këtij sulmi ka ndërruar jetë rreshteri policor Afrim Bunjaku, i stacionit policor në Zveçan. Pra, nuk u sulmua Policia Speciale sepse nuk ka qenë atje, por patrulla policore e rendit publik”.

“Jemi ballafaquar me kritika të padrejta se po dërgojmë Njësinë speciale në pjesën veriore, por e kemi ditur se një ditë do të ballafaqohemi me një lloj të tillë kërcënimi. Policët tanë janë në rrezik të vazhdueshëm atje. Policët e rendit kishin shkuar për të verifikuar se çfarë ndodhi me kamionin, nëse ka pësuar ndonjë aksident apo si është puna, në moment kur ka shkuar është përdorur eksplozivi”, ka thënë Hoxha.

Image
Pamje nga sulmi terrorist
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat