Arsenal armësh e pamje nga ushtrimet e grupit terrorist në pronën e Radoiçiqit – të gjitha dëshmitë e siguruara deri më tani nga shteti i Kosovës

Aktuale

Arsenal armësh e pamje nga ushtrimet e grupit terrorist në pronën e Radoiçiqit – të gjitha dëshmitë e siguruara deri më tani nga shteti i Kosovës

Më: 2 tetor 2023 Në ora: 08:47
Foto nga vendi i ngjarjes

Janë bërë një javë nga sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës, që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, ku i vrarë mbeti rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagos zyrtari tjetër policor Alban Rashiti.

Që nga ajo e ditë (e diel) e deri më tani Policia e Kosovës ka vazhduar me operacionet e saja ku ka konfiskuar arsenal armësh në zonën ku ndodhi sulmi, duke përfshirë këtu: granatahedhës, antiplumb, karikator me fishekë, kapela ushtarake, dorëza, pushkë gjuetie, snjaper, radiolidhje etj.

Të gjitha këto sipas Policisë së Kosovës i takonin grupit të armatosur terroristë i cili përbëhej nga më shumë se 30 veta, të cilët pas sulmit u fshehën në Manastirin e Banjskës.

Përveç armëve policia konfiskoi edhe një veturë rëndë të blinduar, dy vetura dhe një makineri e rëndë (bager).

Të dielën e 1 tetorit, Policia e Kosovës dhe MPB-ja shpalosën fakte të reja që ndërlidhen me sulmin terrorist të 24 shtatorit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla shpalosen detaje të tjera lidhur me gjetjen në vazhdimësi të armëve të ndryshme, organizimin, trajnimin dhe përgatitjen e grupit terrorist në malet e Serbisë, për të sulmuar territorin dhe Policinë e Republikës së Kosovës.

Nga dëshmitë e konfiskuara prej grupit terrorist, posaçërisht nga dronët e tyre janë nxjerrë  pamje reale ku shihen anëtarët e grupit terroristë duke kryer përgatitje, trajnime si dhe duke stimuluar operacione të sulmeve të ndryshme.

Sveçla potencoi se “çdo ditë kemi dëshmuar me fakte të patjetërsueshme lidhjen e shtetit serb, Vuçiqit, me sulmin në fshatin Banjskë të Zveçanit. Ky organizim terrorist kishte vetëm një qëllim, aneksimin e veriut të Republikës së Kosovës. Në këtë tentim-aneksim të veriut të Kosovës, janë të angazhuar drejtpërdrejt Presidenti Aleksandar Vuçiq, Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsilloviq”.

Ndërsa drejtori i PK-së, ndër të tjera theksoi se, “bazuar në të dhënat e siguruara rezulton se qendra e grupit terrorist, ka qenë Kopauniku në Serbi, përkatësisht hapësira që është pronë e Millan Radoiçiq, ndërsa ushtrimet ushtarake, janë mbajtur në një ndër poligonet më të mëdha të ushtrisë serbe, që ndodhet në vendin e njohur si Pasuljanske Livade dhe atë së paku katër ditë para sulmit në fshatin Banjskë. Sipas të dhënave të siguruara në këtë fazë të hetimit është vërtetuar ndërlidhja e qëndrimit të grupit terrorist në Kopaunik, Pasuljanske Livade  (poligoni i ushtrisë serbe) dhe në Banjskë në Kosovë. Poligoni Posuljanske Livade është terren stërvitor ushtarak i ushtrisë serbe që ndodhet në territorin e komunave Paraqin, Despotovac dhe Boljevac në Serbi”.

Në prezantimin e këtyre fakteve të reja, u tha se sulmi fillestar i grupit terrorist sipas të dhënave të siguruara është bërë fillimisht me eksploziv, ku si pasoj e tij ka ndërruar jetë Rreshteri Policor i stacionit policor të Zveçanit, dhe pas këtij sulmi me eksploziv kishte filluar njëkohësisht edhe sulmi me armatimin të rëndë në drejtim të zyrtarëve tjerë policorë që ishin në vendngjarje.

“Përmes videos dëshmohen sulmet fillestare të grupit terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Sulmet siç shihen janë bërë me armë të ndryshme duke filluar nga zolla dhe armë tjera të rënda”, kanë njoftuar nga Policia e Kosovës.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili ka deklaruar se sulmet e serbëve në fshatin Banjskë të Zveçanit u kryen nën planifikimin e plotë të shtetit të Serbisë.

Tutje Kurti ka shtuar se, terroristët ishin trajnuar në Pasuljanske Livade, që është një nga bazat kryesore të ushtrisë serb.

“Terroristët që kryen sulmet janë trajnuar në Pasuljanske Livade, një nga bazat kryesore të ushtrisë serbe. 4 ditë para sulmeve. Stërvitje të tjera u zhvilluan në bazën e Kopaonikut. Sulmet gëzonin mbështetjen dhe planifikimin e plotë të shtetit serb”, ka shkruar Kurti.

Pas vrasjes së policit, rreth 30 persona të armatosur rëndë dhe të maskuar u fshehën në Manastirin e fshatit Banjska të Zveçanit, për të vazhduar sërish me sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

Nga gjuajtjet me armë zjarri u vranë edhe tre sulmues serbë. Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës u dënua fuqishëm nga ndërkombëtarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat