​Hoti-Boletinit të RTK-së: Qysh ndihesh kur gjysma e punëtorëve kërkojnë shkarkimin tuaj?

Aktuale

​Hoti-Boletinit të RTK-së: Qysh ndihesh kur gjysma e punëtorëve kërkojnë shkarkimin tuaj?

Më: 4 tetor 2023 Në ora: 16:38
Foto nga Komisioni

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka kritika Bordin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) për gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Gjatë shqyrtimit të këtij raporti në Komisionin për Buxhet, Hoti ka kërkuar shpjegime nga kryetari i Bordit të transmetuesit publik, Besnik Boletini, për peticionin e nënshkruar nga 361 punëtorë, të cilët po kërkojnë dorëheqjen e tij të menjëhershme.

Mes tjerash, Hoti ka pyetur kryetarin e Bordit të RTK-së, si ndihesh kur gjysma e punëtorëve kërkojnë shkarkimin tuaj.

Hoti: Janë gjysma e punëtorëve që kërkojnë shkarkimin tuaj. Veç po dua me ditë ti qysh ndihesh?

“Dua të pyes edhe për peticionin e nisur dhe shqetësimin që kanë shpreh 361 punëtorët e RTK-së. Si dhe biseda me kandidatët gjatë konkurseve. Këto gjithmonë sipas e-mail zyrtare të sindikatës. Janë gjysma e punëtorëve që kanë dal hapur që kërkojnë shkarkimin tuaj. Veç po dua me e ditë ti qysh ndihesh? Nuk po them që kanë të drejtë apo jo, por gjysma e punëtorëve kanë nënshkruar për largimin tënd. Diçka nuk është në rregull aty, ndoshta ti je në të drejtën tende, por ndoshta nuk po arrin me përcjellë mesazhin e reformave. Ti nuk je adekuat për të përcjellë mesazhin e reformave. Kjo është serioze, shkon përtej çdo mos pajtimi personal. Unë jam shumë i pakënaqur me degradimin që ia keni bë RTK-së. Duhet me gjet formë të komunikoni me punëtorë”, tha Hoti.

Për deputetin Hoti, ajo që është edhe më shqetësuese, është se Bordi ka dëmtuar funksionimin e mediumit publik.

Hoti: Ajo që më ka shqetësuar, është se keni dëmtuar funksionimin e mediumit publik

“Në raportin financiar keni raportuar se të hyrat keni pas 2.3 milionë euro më pak, ky nuk është vendim i juaji, është vendim i themeluesit që ka financuar më pak se vitet e kaluara. Por, ajo që më ka shqetësuar është që ju keni shkurtuar nëpër pozicione që për mendimin tim e kanë dëmtuar funksionimin e mediumit publik, sepse nëse shihni ku keni shkurtuar, minus 1.1 milion euro mallra dhe shërbime dhe nëse sheh tabelën e mallrave janë kryesisht programe, skema të ndryshme programore që janë shkurtuar por jo pozicionet tjera. Shpenzimet kapitale janë shkurtuar për 500 mijë euro dhe pagat e shtesat janë shkurtuar për 700 mijë përafërsisht, kjo shuma prej 700 mijë, 450 mijë është kontrata kolektive”, tha Hoti.

Kryetari i Bordit, Besnik Boletini iu përgjigj Hotit, duke thënë se RTK është në proces të reformës dhe se do të ketë ndryshime.

Sa i përket peticionit, Boletini tha se është e drejtë e punëtorëve, pa dashur të komentojë më shumë.

Boletini: Sa i përket peticionit është e drejtë e punëtoreve, nuk kam koment

“Sa i përket çështjes së pakënaqësive, ne jemi ne një proces të reformës, që do të ketë ndryshime. Çështjet e ngritura nga kryetarit të sindikatës dhe ish kandidatit për drejtor që ndoshta i ka mbetur merak që nuk është bërë, nuk janë të vërteta aspak ato pretendime për biseda informative. Sa i përket peticionit është e drejtë e punëtoreve, nuk kam koment, e vlerësoj si të tillë. Kuvendi të voton, Kuvendi të shkarkon. Është në kompetencë të Kuvendit. Nuk jam merr me të”, tha Boletini.

Kurse, drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka mohuar se kanë bërë shkurtime sa i përket kontratës kolektive.

Ahmetxhekaj: Ne nuk kemi bërë shkurtime sa i përket kontratës kolektive

“Ne nuk kemi bërë shkurtime sa i përket Kontratës Kolektive, të gjitha detyrimet që kanë dal nga kontrata kolektive në fuqi i kemi zbatuar, duke përfshirë shujtën, ndihmat solidare, dhe kjo dëshmohet shume lehtë. Këto janë klasifikuar si pagë e përgjithshme dhe nuk kanë dal si zë i veçantë buxhetor, por kjo mund të konfirmohet në secilën instancë që ne nuk i kemi ikur detyrimeve”, tha Ahmetxhekaj.

Mes tjerash, Hoti ka ngritur edhe çështjen e dënimeve nga Inspektorati i Punës ndaj këtij mediumi.

Për këtë, Ahmetxhekaj tha se janë vetë RTK-ja që e ka ftuar Inspektoratin për të inspektuar kushtet e punës dhe objektin.

Ankesa ndaj këtij mediumi pati edhe deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj.

Lekaj tha se duhet të fillojë procedurat për shkarkimin e Bordit me të gjitha këto gjetje, sipas tij, ka ardhur koha që të shkoni në shtëpi.

Lekaj: Duhet të fillojnë procedurat për shkarkimin e Bordit, ka ardhur koha që të shkoni në shtëpi

“Mendoj që nga të gjitha këto është edhe më shqetësuese përpos auditimit, keq menaxhimi, kemi edhe Sindikatën e Pavarur të RTK-së me 361 nënshkrime që të shkarkohet kryesuesi i Bordit, që kanë dhënë arsyeshmërinë... Sindikata e ka dhënë, për besë. Për mu nuk ka mbet asgjë tjetër më. Mendoj që ky Komision e them mendimin tim, duhet ta merr seriozisht këtë peticion. Duhet të fillojë procedurat për shkarkimin e Bordit me të gjitha këto gjetje, ka ardhur koha që të shkoni në shtëpi”, tha Lekaj.

Para dy javësh Sindikata e transmetuesit publik në RTK ka njoftuar 361 punëtorë të këtij mediumi i janë përgjigjur pozitivisht peticionit të Sindikatave për shkarkimin e kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat