Arifi: Gjuha e Vuçiqit i ka motivuar ekstremistët serbë në Luginë, ka potencial për tensione

Aktuale

Arifi: Gjuha e Vuçiqit i ka motivuar ekstremistët serbë në Luginë, ka potencial për tensione

Më: 4 tetor 2023 Në ora: 18:00
Shqipërim Arifi

Kryetari i komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, ka thënë se gjuha e ashpër e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i ka motivuar nacionalistët e ektremistët serbë, t’i sulmojnë shqiptarët në Luginë.

Ai tha se ekziston potenciali që situata në Luginë të Preshevës të tensionohet pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

“Nuk ka sinjale por ka potencial. Kohëve të fundit ka qenë një kërcënim dhe atak verbal që i është bërë një familje shqiptare në Medvegjë, që me vite nuk ka ndodhur. Me këtë që ndodhi në veri, ka serbë të dëshpëruar, edhe nga gjuha e Beogradit, sepse Vuçiqi në javën e kaluar ka cekur se i ka ndërlidhur shqiptarët e Luginës kanë marrë pjesë në policinë e Kosovës në veri… I ka motivuar disa radikalë, ekstremistë që jetojnë në mesin e shqiptarëve në luginë për t’u hakmarrë në një formë apo tjetër”, ka thënë ai.

Arifi tha se për këtë arsye i ka dërguar letër edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nga i cili sipas tij ende nuk ka marrë ndonjë reagim.

“Mbi këtë potencial i kam alarmuar të gjithë edhe kryeministrin Kurti. Edhe pse dikush thotë që me Kurtin ti nuk komunikon mirë. Edhe pse Kurti i përzien çështjet personale me profesionale, na Lufton politikisht dhe injoron, kjo nuk vlen për mua”, ka thënë ai.

Arifi është shprehur se kthimi në dialog është mënyra më e mirë e uljes së tensioneve Kosovë – Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat