Ministri gjerman: Kosova veproi arsyeshëm pas provokimit në veri

Aktuale

Ministri gjerman: Kosova veproi arsyeshëm pas provokimit në veri

Më: 4 tetor 2023 Në ora: 20:26
Cem Ozdemir

Ministri i Ushqimit dhe Bujqësisë në Gjermani, Cem Ozdemir, e ka vlerësuar të arsyeshëm reagimin e institucioneve të Kosovës pas agresionit të paprovokuar serb ndaj Policisë në veri të vendit më 24 shtator. Ai ka përcjellur qëndrimin gjerman duke theksuar se Pavarësia e Kosovës duhet të respektohet dhe se për gjendjen e komunitet serb duhet të diskutohet vetëm brenda kufijve të Kosovës.

Ozdemir ka folur pasi është pritur në takim nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Ozdemir: Qeveria dhe Policia e Kosovës reaguan arsyeshëm pas provokimit në veri

“Së pari më lejoni të shpreh ngushëllimet e mia për humbjen e jetës së zyrtarit policor gjatë këtij akti terrorist nga këta kriminelë që vranë njërin nga policët tuaj dhe plagosën të dytin. Dhe më lejoni gjithashtu të shpreh se kam vërtet respekt të thellë për reagimin shumë të arsyeshëm që qeveria juaj dhe policia juaj ka treguar në këtë akt provokimi. E di që kjo nuk është një situatë e lehtë, ndaj vizita ime këtu është përtej bashkëpunimit tonë të shkëlqyer dypalësh, por edhe një gjest solidariteti”, ka thënë ministri.

Sipas tij rruga përpara duhet të jetë drejt paqes për çka theksoi se Pavarësia e Kosovës duhet të respektohet.

Ozdemir: Pavarësia e Kosovës duhet të respektohet

“Është në duart tona të sigurohemi që historia të mos përsëritet. Prandaj, më lejoni të shpreh se është jashtëzakonisht e rëndësishme që rruga përpara të shkojë drejt paqes, rruga përpara të ecë drejt respektimit të kufijve, që pavarësia e Kosovës të respektohet dhe nëse baza është që pavarësia e Kosovës të respektohet, gjithçka mund të diskutohet. Sigurisht që është e nevojshme të flitet për gjendjen e minoritetit serb në veri, por brenda kufijve të Kosovës, kjo është shumë e rëndësishme, ky është qëndrimi ynë”, ka thënë ai.

Ndërsa ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se vizita e homologut të tij gjerman vjen në një periudhë jo të lehtë për Kosovën.

Peci: Vizita e ministrit gjerman vjen pasi një periudhe jo të lehtë për Kosovën

“Vizita e tij në Kosovë ka edhe një peshë tjetër pas një periudhe jo të lehtë për Kosovën në të cilën ne e kishim një rrezik dhe kërcënim nga sulmet në veri që erdhën nga sulmet terroriste dhe përkrahja e ministrit dhe mikut të madh të Kosovës Ozdemir ishte shumë domethënëse”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se bashkë me ministrin gjerman kanë zhvilluar disa vizita në rajonin e Dukagjinit si dhe kanë takuar fermerë, vreshtarë e verëtarë.

Peci: Nesër në Kuvend votohet një prej marrëveshje qe e kemi me autoritetet gjermane

“Përveç diskutimit për mënyrën e shpërndarjes së përvojave mes autoriteteve gjermane dhe kosovare në fusha të ndryshme që lidhet me sigurinë ushqimore, me ngritjen e cilësisë, në rritjen e prodhimtarisë dhe të gjitha këto tema, kjo vizitë e ministrit Ozdemir vije edhe pas insistimit tonë që ta kemi në Kosovë dhe pas një sërë vizitash shumë të suksesshme dhe frytdhënëse si në aspektin bilateral ashtu edhe multilateral. Për koincidencë njëra prej bashkëpunimeve që ne i kemi me autoritetet gjermane, nesër në Kuvendin e Kosovës, do ta kemi si pikë të rendit të ditës, miratimin e njërën prej marrëveshjeve që e kemi me autoritet gjermane, një projekt prej 20 milion euro në zhvillimin rural, promovimin e agroturizmit”, ka thënë Peci.

Pas këtyre vizitave, Ozdemir ka thënë se produktet e Kosovës e kanë vendin edhe jashtë shtetit.

Ozdemir: Produktet e Kosovës e kanë vendin edhe jashtë shtetit

“Kosova me të vërtetë i takon atyre vendeve që marrin drejtimin dhe ecin përpara me transformimin dhe ne si Gjermani mbështesim çdo hap atje dhe punojmë shumë ngushtë së bashku, si me shtetet e Ballkanit Perëndimor, por në veçanti edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Faleminderit deri tani për udhëtimin e shkëlqyeshëm që pata, pata mundësinë të shijoj "ajvarin", të shijoj verën kosovare, dhe jam thellësisht i bindur që produktet që po prodhoni janë të përshtatshme, se ato e kanë vendin e tyre në shtetin tuaj, por edhe jashtë shtetit tuaj”, ka thënë Ozdemir.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat