“Është burim i krizave në Ballkan”, ish-shefi i AKI’së flet për një qendër ruse të spiunazhit në Nish që mund të fshihet prapa sulmit terrorist

Aktuale

“Është burim i krizave në Ballkan”, ish-shefi i AKI’së flet për një qendër ruse të spiunazhit në Nish që mund të fshihet prapa sulmit terrorist

Më: 5 tetor 2023 Në ora: 01:00
Burim Ramadani

Ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani, ka folur për një qendër ruse të spiunazhit në Nish, që sipas tij, fshihet edhe prapa sulmit terrorist nga Serbia ndaj Kosovës.

Sipas Ramadanit, kjo qendër është themeluar me propozim të tash Ministrit të Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu dhe se konsiderohet të jetë burimi i operacioneve destabilizuese në Ballkan.

“Në bazë të fakteve dhe diskutimeve publike që ka ndodhur në krejt botën, madje në vitin 2015 edhe Ndihmës Sekretari i Shtetit Amerikan e ka quajtur atë qendër të spiunazhit dhe të aktiviteteve ilegale ose joligjore ndaj shteteve në rajon”.

“Me rëndësi të rikthehet vëmendja te se kush e ka propozu qendrën ruse serbe të spiunazhit në Nish, është (Sergei) Shoigu, Ministër i Mbrojtjes i Rusisë tash. Dhe kush ka qenë homologu i tij në Serbi, është Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq. Pra, një Shoigu që po i shërben Putinit në këtë luftë të tmerrshme ndaj Ukrainës dhe një Ivica Daçiq që i ka shërby luftërave të tmerrshme të Millosheviqit. Pra, po flasim për të njëjtën kategori, të njëjtat agjenda, të njëjtat synime”, deklaroi Ramadani.

Vendosja e saj pikërisht në Nish, Ramadani tha se është veprim strategjik i Rusisë. Ndonëse parimisht ka synim të trajnojë ekspertë në rastin e katastrofave natyrore por jo vetëm, ish-shefi i AKI-së tha se në thelb kjo qendër i shërben vetëm Rusisë.

“Ajo është vendosur në Nish se për kah aspekti territorial mund të prekë jo vetëm Kosovën dhe Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut, por edhe Bullgarinë, Rumaninë. Në atë qendër, zyrtarë që punojnë nga Rusia kanë imunitet diplomatik, pra nuk mund të ndiqen për veprat e tyre në Serbi dhe ajo qendër nuk i ka shërbyer asnjëherë asnjë shteti tjetër. Sepse ajo thirret si qendër që do t’i trajnojë zjarrfikësit, kërkim shpëtuesit të të gjitha shteteve dhe do t’u dalë në ndihmë në rast të vërshimeve apo të tjera. Shqipëria ka pasur vërshime, Serbia i ka ndihmu por jo qendra, sepse ka tjetër synim”.

Me plot bindje, Ramadani tha se nga kjo qendër kanë buruar shumë kriza rajonale, përfshirë këtu edhe qëllimi për hapjen e një fronti të ri të luftës në Ballkan, duke sulmuar Kosovën.

“Unë jam i bindur që kjo qendër ruse e spiunazhit në Nish është qendra e cila i buron krizat e stabilitetit rajonal, e cila ka planifiku atentatin ndaj Kryeministrit të Malit të Zi, në vitin 2016, qendra e cila është prapa sulmeve kibernetike ndaj Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Bosnjës dhe njëkohësisht është qendër e cila ka ndërlidhje të drejtpërdrejt edhe në funksionalizimin e ideve të kryengritjeve lokale, të grupeve paramilitare, sepse është përvoja ruse”, tha Ramadani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat