​Bislimi takon Koopmanin, flasin për agresionin e Serbisë ndaj Kosovës

Aktuale

​Bislimi takon Koopmanin, flasin për agresionin e Serbisë ndaj Kosovës

Më: 5 tetor 2023 Në ora: 13:34
Pamje nga takimi

Në fillim të vizitës zyrtare në Bruksel, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u takua me drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman, me të cilin kanë biseduar për zhvillimet në veri të vendit.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se Koopman shprehu ngushëllime për agresionin ndaj Kosovës, ku të dielën e 24 shtatorit nga grupi terrorist serb u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Bëhet e ditur se Bislimi theksoi se ky ishte një sulm terrorist tashmë i faktuar me përfshirje të institucioneve të Serbisë e akt agresioni me një seri përgatitjesh të mëhershme e objektiv të qartë: shkeljen e integritetit territorial, sovranitetit të Republikës së Kosovës e tentativë për destabilizim të vendit tonë e të rajonit.

Ata biseduan edhe për projektet në bashkëpunim me Bashkimin Evropian si dhe perspektiva e zgjerimit të BE-së.

Sipas komunikatës, Bislimi theksoi se Republika e Kosovës e vlerëson lartësisht iniciativën e Komisionit të BE-së për planin e ri për zgjerim prezantuar nga presidentja e Komisionit, Von Der Leyen, si dhe pritshmëritë e Këshillit të BE-së, përfaqësuar nga Presidenti i Këshillit, z. Michel, që zgjerimi të arrihet deri më 2030.

“Kosova e sheh veten pjesë të familjes evropiane. Viti i kaluar ka qenë veçanërisht vit evropian për Kosovën ku vendi ynë ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe Këshill të Evropës, si dhe pas punës së përkushtuar të institucioneve të Republikës për arritjen e Liberalizimit të Vizave. Përtej barrierave me të cilat jemi përballur, vendi ynë ka performuar më lart edhe se vendet e tjera të rajonit veçanërisht në indikatorë ekonomikë e të sundimit të ligjit. Kjo është dëshmi e potencialit tonë për rritje e zhvillim dhe gatishmërisë për hapa të rëndësishëm në integrimin evropian, andaj është momenti që Kosovës t’i hiqen pengesat në rrugëtimin drejt BE-së”, ka thënë Bislimi.

Në këtë takim e pranishme ishte edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Rizvanolli foli mbi projektet në kuadër të Pakos për Energji e financuar nga BE-ja, si dhe impaktin e shpejtë pozitiv që po e kanë këto projekte. Sektori i energjisë është një nga sektorët ku Qeveria është përqendruar në trajtimin e barrierave të të gjitha aspekteve, andaj Pako e Energjisë si dhe projekte të tjera të financuara nga BE, Qeveria e Republikës, apo institucione tjera ndërkombëtare janë mirë të planifikuara dhe po tregojnë rezultate pozitive”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, bëhet e ditur se aty u theksua se procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në meritokraci dhe të ofrojë instrumentet e barabarta për të gjitha shtetet, me qëllim avancimin e agjendës evropiane e përmbushjen e reformave. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat