“Veriu tokë e askujt”, kritikohet Rama

Aktuale

“Veriu tokë e askujt”, kritikohet Rama

Më: 5 tetor 2023 Në ora: 21:41
Pamje nga veriu i Kosovës

Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama se “Veriu është tokë e askujt” ka qenë ajo që ngriti diskutime edhe në Kuvendin e Shqipërisë gjatë së enjtes.

Për këtë deklaratë, ish kryeministri Sali Berisha thotë se është antishqiptare, derisa njohësit e politikës nga Shqipëria thonë se kjo qasje është pakujdesi e Tiranës ndaj Prishtinës, ndërsa ata nga Prishtina thonë se është deklaratë që ka hapësirë për interpretim.

“Tokë e askujt” e ka quajtur kryeministri Edi Rama, këtë pjesë të Kosovës.

E kjo deklaratë për veriun e vendit, ka qenë më e komentuara për këto 24 orë.

Madje për të njëjtën, gjatë së enjtes pati përplasje edhe në Kuvendin e Shqipërisë mes pushtetit dhe opozitës.

Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e cilëson si antishqiptare deklaratën e Ramës.

“Nuk ka deklaratë më antishqiptare, nuk ka deklaratë më të shpifur se kjo deklaratë. Por po ju pyes unë ju: secili prej jush që jeni këtu, dhe çdo shqiptar, po përse e derdhi gjakun Afrim Bunjaku? Ku u vra ai? U vra pikërisht në veri të Kosovës, në mënyrë që aty të sundojë rendi, ligji dhe rregulli. Ku u zhvillua një betejë mes grupeve terroriste të nisura direkt nga Alekandër Vuçiqi, të kryesuara nga lejtnanti i tij Radoiçiç? Se sa ishte ‘no mans land’ e provuan falangat serbe. Shqiptarët, Evropa dhe bota e panë se si ia mbathën me të katërta, se ajo është toka e zotëve të saj”, është shprehur ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Ramës, i doli në mbrojtje ministri i tij, Taluant Balla.

“Duhet të jeni shumë të qartë se qëndrimi i Shqipërisë është një qëndrim i fortë i vendit amë natyrshëm dhe qëndrimet e kryeministrit Edi Rama janë qëndrimet e duhura në këtë kohë të vështirë”, ka deklaruar ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla.

Nga ana tjetër, analisti politik në Shqipëri, Ben Andoni thotë se qasja e fundit ka treguar realisht qasjen e Tiranës zyrtare në këto momente të vështira për Kosovën.

E Belgzim Kamberi thotë se kjo deklaratë e kryeministrit shqiptar Rama ka shumë hapësirë për interpretime dhe po përdoret për qëllime politike.

Gjatë këtij muaji, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama priten të takohen në procesin e Berlinit që do të mbahet në Tiranë me 16 tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat