Quni: Njësia në veri ishte përgatitur për luftë urbane, do të sfidonte edhe KFOR-in

Aktuale

Quni: Njësia në veri ishte përgatitur për luftë urbane, do të sfidonte edhe KFOR-in

Më: 5 tetor 2023 Në ora: 21:59
Anton Quni

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Anton Quni, tha se bazuar në përgatitjet që i kishte njësia terroriste në veri, kjo njësi ishte e përgatitur për luftë urbane.

Quni tha se qëllimi i tyre ka qenë të vendosen në qendër të qytetit, në pjesën veriore të Mitrovicës, derisa shtoi se do ta sfidonte edhe KFOR-in.

“Ne flasim këtu për një mobilizim total të qytetarëve të pjesës veriore. Të gjithë ata që janë të aftë të vihen nën armë, të ofrojnë rezistencë duke filluar nga sabotimet, vëzhgimi, mbledhja e informatave etj. deri tek hapja e zjarrit ndaj pjesëtarëve të njësive tona. Sipas pamjeve, uniformave armatimi etj vërehet se kjo njësi ka qenë e përgatitur më shumë për luftë urbane. Të vendosen brenda qytetit si qendër kryesore, pjesa veriore e Mitrovicës në ato ndërtesat, objektet e forta dhe qytezat tjera ku krijohen parakushtet për këtë njësi, për një qëndrueshmëri sepse e kanë një mbrojtje fizike të mirë, e kanë një pamje të mirë, një kontroll të terenit dhe kanë mbështetje të mirë të qytetarëve të cilët u ofrojnë shërbime të ndryshme filluar nga strehimi, kujdesi, mbledhja e informatave, deri tek mbështetja mjekësore, në ambulanta, spitale etj. Furnizimi me rrymë, karburante, ushqime edhe kjo situatë do të ishte sfiduese jo vetëm për institucionet tona por edhe për kapacitetet e KFOR-it”, tha Quni.

Quni tha se në situatë kur grupet terroriste do të ishin të gatshme që edhe me forcën e armës të arrinin qëllimin e tyre, sipas tij do të vinte deri tek një marrëveshje për autonomi të pjesës veriore me të drejta ekzekutive.

“Tani në një situatë të tillë kur ata janë të armatosur, të gatshëm që edhe me forcën e armës të arrijnë qëllimet e tyre, janë njësitë e Policisë së Kosovës në situata të tilla ku parashihet se do të ketë shkëmbim zjarri në përmasa më të mëdha, humbje nga të dyja palët, pastaj tensionim dhe ngritje të tensioneve nacionale dhe ndëretnike. Pastaj KFOR-i do të detyrohej me ndërhy, por kur do të ndërhynte KFOR-i, derisa të merreshin vendimet e radhës, do të ndërhynte aty ku do të ishte i paraqitur ai kontakti i parë ndëretnik, i palëve luftuese, do të thotë në ndarje etnike dhe në momentin që këto forca ishin vendos në atë zonë, deri në vendimin e radhës politik, ushatarak etj. këto me vendime politike duke shpallë referendume të karakterit të ndryshëm për ta shprehur kinse vullnetin e qytetarëve, por që tani janë në presionin e njësive terroriste etj. kinse në mënyrë demokratike të vendosin që këtë territor ta shkëpusin nga tërësia e Kosovës e pastaj të krijohen kushtet e bisedimeve nga kërkesa më e lartë edhe të vijnë tek qëllimi …qëllimi i këtij operacioni është që me kriju favore për akterët politikë me fillu nga kërkesat maksimale që pastaj me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar të arrijnë deri te një marrëveshje për autonomi me të drejta ekzekutive, apo ndonjë organizmi i natyrës kantoneve, pjesë përbërëse, feredale, konfederate etj.”, tha Quni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat