Kurti e ministrat nuk përgjigjen, “shpërthen” opozita: Nuk do të ketë diktaturë këtu

Aktuale

Kurti e ministrat nuk përgjigjen, “shpërthen” opozita: Nuk do të ketë diktaturë këtu

Më: 6 tetor 2023 Në ora: 07:29 Përditësuar në ora: 15:07 më 06.10.2023
Kuvendi i Kosovës

​Përfundon me polemika seanca e pyetjeve parlamentare në Kuvend

Ka përfunduar seanca e sotme plenare në Kuvendin e Kosovës, ku pyetjet parlamentare ishin pika e vetme e rendit të ditës.

Pavarësisht se nga kabineti qeveritar në fillim të seancës bënë të ditur se nuk do përgjigjen pyetjeve parlamentare të bëra nga deputetët opozitarë që nuk po votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, sërish pati polemika mes ekzekutivit dhe opozitarëve.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku e quajti autokrate qeverinë Kurti derisa e akuzoi se po shkel Kushtetutën me mospërgjigjet ndaj pyetjeve parlamentare.

Lushatku: Qeveria po shkel Kushtetutën në vend

“Kemi një tjetër dimension të qeverisë autokrate në vend. Edhe pse jemi shtet demokratik, shihet qartë se shkelet Kushtetuta dhe formalisht bëhen kinse po përgjigjen dhe kështu formalisht bëhen kinse po punojnë. Me të vërtet këta nuk i kanë marrë seriozisht përgjegjësitë që iu ka jep qytetari për të udhëhequr vendi”, tha ai.

Megjithatë, atij iu përgjigj ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se gjuha e përdorur nga deputeti Lushtaku është nën nivelin e legjislativit, derisa kërkoi nga ai dhe deputetët të tjerë opozitarë të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

Nagavci: Votoni marrëveshjet ndërkombëtare

“Deputet dole për t’i bërë tri pyetje por nuk e bërë asnjë pyetje. Gjuhën që e përdore nuk mund t’i përgjigjem unë. Megjithatë një nga marrëveshjet që ju së bashku me kolegët e juaj nuk e keni votuar është ajo mes Francës ku përfitojnë katër studentë tanë. Unë ju ftoj që të votoni dhe mos t’iu mohoni mundësinë të rinjve tanë”, tha ajo.

Në anën tjetër, ministrat në Qeverinë e Kosovës iu përgjigjen pyetjeve parlamentare që vinin kryesisht nga deputetët e mazhorancës.

​Qeveria s’iu përgjigjet pyetjeve të deputetëve që s’po votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kabinetin qeveritar kanë refuzuar t’iu përgjigjen pyetjeve parlamentare të deputetëve opozitarë, të cilët nuk po i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

Në seancën e sotme plenare në Kuvend, e cila ka pyetjet parlamentare si pikë të vetme të rendit të ditës, Kurti tha se të gjitha përgjigjet e pyetjeve i ka të përgatitura, mirëpo nuk do t’i jep të njëjtat për deputetët që nuk po votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

Kurti: Për shkak që s’po i votoni marrëveshjet ndërkombëtare nuk do të keni përgjigjen time

“Për shkak se nuk po i votoni marrëveshjet ndërkombëtare të gjithë deputetët që i bëjnë pyetjet nuk do të kenë përgjigjen time edhe pse tash e kam të përgatitur. Duhet të jemi kolegë të të njëjtit shtet dhe jemi të të njëjtit shtet nëse behet fjalë për mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesit publik dhe shtetëror. Nuk ka pasur kryeministër në Kosovën e pavarur që iu është përgjigjur më shpesh dhe më me përpikëri pyetjeve parlamentare. Nga 377 marrëveshje ndërkombëtare që unë kur isha opozitë parlamentare kanë kaluar këtu vetëm tri prej tyre nuk janë votuar, 374 janë votuar. Rrjedhimisht atëherë kur do të kemi deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës vetëm atëherë do të përgjigjem në pyetje parlamentare se sigurohem se bëhet fjalë për Parlamentin e Kosovës. Nuk mund t’i bësh pyetje parlamentare kryeministrit dhe ta dëmtosh shtetin në masën e përgjithshme 360 milionë euro nga ajo një dysinë marrëveshje ndërkombëtare që ju refuzoni të votoni”, tha ai.

Pasi nuk iu përgjigj pyetjes së saj për njohjen nga Greqia, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj kritikoi Kurtin për qasjen e tij ndaj opozitës, derisa edhe akuzoi se po e shkatërron vendin.

Kadrijaj: Albin Kurti është këtu vetëm për ta shkatërruar Kosovën

“Mirë që të kemi gjetur edhe një kauzë. Por a e ke votuar ti marrëveshjen e MSA-së. O Albin Kurti po edhe me pas ndërmend me votu kur del në këtë formë të turpshme para parlamentit. Dje je dal me një elaborat në situatën në të cilën gjendet Kosova ti e akuzon opozitën. Nuk votoj. Mos u përgjigj, pasi ti je këtu të shkatërrosh shtetin e Kosovës”, theksoi ajo.

Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, këtë veprim të kabinetit qeverisës e kualifikoi si tendencë për diktaturë dhe vendosje e kushteve ndaj të zgjedhurve të popullit.

Musliu: Ky veprim i qeverisë është tendencë për diktaturë

“Se qeveria është moti në cirk e kemi kuptuar, se ka gjeneruar gjithçka në këtë vend e kemi kuptuar. Por që shkon deri në këtë shkallë se beson askush. Me ardhë qeveria me na vendosë kushte në parlament të zgjedhurve të popullit, kjo është diktaturë. Por nuk do të lejojmë të instalohet diktatura këtu”, tha Musliu.

Në anën tjetër, ministrat vazhduan t’iu përgjigjen pyetjeve të deputetëve të mazhorancës.

Deputetët e PDK-së dhe AAK-së qe disa seanca me radhë po refuzojnë të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

Musliu: Me na qit Qeveria kushte në Kuvend është diktaturë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka shpërthyer në kritika ndaj vendimit të kryeministrit Albin Kurti de kabinetit qeveritar që të mos përgjigjen në asnjë nga pyetjet parlamentare të parashtruara nga opozita, derisa ata t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

Musliu tha se kjo është një përpjekje për ta instaluar diktuarën në Kuvendin e Kosovës.

“Me ardhë Qeveria e me na qit kushte në Parlament deputetëve të zgjedhur të popullit, kjo është diktaturë.

Kjo është diktaturë, por s’do të lejojmë që të instalohet diktatura këtu. Pyetjen parlamentare e kam bërë për Xhelal Sveçlën, por meqë Xhelal Sveçla s’ka ardhë me protestu e me ja majtë zhagun Albin Kurtit këtu, unë pyetjen s’po e bëjë, por po i bëjë thirrje Xhelal Sveçlës, mblidhe kabinetit nga ‘Belvedere’ e bire në Prishtinë, e leje policinë të qet t’i kryejnë detyrat e tyre”, ka thënë ajo.

Vitia refuzon të përgjigjet në pyetje parlamentare ndaj opozitës, shkak mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka refuzuar që të përgjigjet sot në pyetjet parlamentare të parashtruara nga opozita, në shenjë revolte për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ai refuzoi që të përgjigjet në një pyetje parlamentare të parashtruar nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

“E nderuar deputete, kemi qëndrim dhe kam qëndrim edhe timin që për shkak të mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, deri të votohen marrëveshjet ndërkombëtare nuk do të përgjigjemi në pyetjet të cilat do t‘i bëni nga deputetët që nuk i kanë votuar këto marrëveshje”, tha ai.

Ndaj kësaj deklarate, Kadrijaj tha se Qeveria nuk mund ta shantazhojë opozitën në këtë mënyrë.

“Tash e paski shpik një procedurë tjetër. Dje the që për shkak të procedurave nuk ke mundur që të sigurosh barnat për kancerin e gjirit, tash e paske shpik një procedurë të re. Ju lumtë sepse edhe ashtu kjo Qeveri është më jo transparente në raport me publikun, me pacientët, opozitën dhe faktorët ndërkombëtar,. Bëni çka doni sepse e keni gjet një rrugë, e me shantazhimet e juaja nuk mundeni me na kushtëzua”, ka thënë Kadrijaj. 

Kurti nuk u përgjigjet, LDK e AAK e lëshojnë sallën e Kuvendit

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e kanë kundërshtuar refuzimin e kryeministrit Albin Kurti që të përgjigjet ndaj deputetëve.

“Kjo vetëm në shtete diktatoriale ndodh që kryeministri të refuzojë të përgjigjet në pyetjet e deputetëve”, tha Pal Lekaj, teksa Arben Gashi i LDK-së e quajti të papranueshme refuzimin e Kurtit.

Këta të fundit lëshuan edhe seancën e Kuvendit.

Sot kuvendi me seancë të veçantë

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë një seancë të veçantë.

Aty do të ketë vetëm pyetje parlamentare. 

Për këtë seancë në këtë formë kishte vendosur Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e fundit të përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare.

Pyetjet parlamentare bëhen nga deputetët për kryeministrin, ministrat etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat