Pamje: 200 ushtarët britanikë arrijnë në Kosovë - vjen njoftimi i fundit nga NATO

Aktuale

Pamje: 200 ushtarët britanikë arrijnë në Kosovë - vjen njoftimi i fundit nga NATO

Më: 6 tetor 2023 Në ora: 19:55
Ushtarët britanikë arrijnë në Kosovë

Kontingjenti i parë prej 200 ushtarëve britanikë ka arritur në Kosovë të premten, ka njoftuar misoni paqeruajtës i Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR).

Në njoftimin zyrtar thuhet se dislokimi vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon.

“Ushtarët nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit po i bashkohen një kontingjenti prej 400 trupash të Mbretërisë së Bashkuar tashmë në Kosovë. Qeveria rumune të martën (3 tetor) njoftoi se po dërgonte gjithashtu rreth 100 trupa shtesë për të forcuar KFOR-in”, ka njoftuar KFOR-i.

Tutje thuhet se ky është hap i matur për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat të cilat i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së, për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.

“Dislokimi bazohet në një kërkesë të Komandantit Suprem të Aleatëve të NATO-s për Evropë dhe u miratua nga Aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut. NATO ka udhëhequr një operacion paqeruajtës në Kosovë që nga viti 1999 në përputhje me mandatin e saj, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. KFOR-i aktualisht përbëhet nga mbi 4,500 trupa të kontribuar nga 27 aleatë dhe partnerë të NATO-s”.

Ndërkohë edhe Gjermania pritet t’i dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë, në prill të vitit të ardhshëm. Kështu ka thënë një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, të premten. Sipas tij, vendimi nuk ka të bëjë asgjë me tensionet aktuale në veri të Kosovës dhe se trupat do të shërbejnë si kompensim për tërheqjen e trupave austriake në kuadër të KFOR-it.

Image

Ai ka thënë se trupat shtesë nuk do ta rrisin numrin total të trupave të KFOR-it në Kosovë.

KFOR-i ka rreth 4.500 trupa në Kosovë nga 27 shtete të NATO-s dhe shtetet partnere.

Ndryshe më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit. Si pasojë mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat