Ja si Rama, Vuçiq dhe Orban janë bërë bashkë për të ‘shpëtuar’ Serbinë pas sulmit terrorist në veri

Aktuale

Ja si Rama, Vuçiq dhe Orban janë bërë bashkë për të ‘shpëtuar’ Serbinë pas sulmit terrorist në veri

Më: 7 tetor 2023 Në ora: 14:20
Edi Rama dhe Viktor Orban

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka thënë ditën e djeshme se fajtore për tensionet e fundit në Veri i ka pikërisht Kosova dhe jo Serbia.

Madje ai kërkon që “kosovarët të ndalojnë së provokuari serbët”. Miku i presidentit serb Vuçiç dhe i kryeministrit Rama thotë se janë qesharake kërkesat e Kosovës që t’i vihen sanksione Serbisë.

“Është qesharake, është e pamundshme (t’i vihen sanksione Serbisë).

Serbët janë përballur me provokime në dy vitet e fundit rregullisht. Prandaj na duhet ta kuptojmë që…kosovarët duhet të sillen në mënyrë tjetër, mos provokoni serbët.

Provokimet çojnë në përgjigje që rezultojnë në stabilitet. Prandaj, pa Serbinë nuk ka stabilitet në Ballkan.

Pra, unë jam në favor që ta ndihmojmë Serbinë që ta stabilizojë rajonin”, tha Orban dje në takimin joformal të krerëve të qeverive të BE-së në Granada të Spanjës.

Orban-Vuçiç dhe Rama në një linjë

Pra me qëndrimin e tij, kryeministri Orban është vendosur totalisht në shërbim të rusëve e serbëve.

Orban ka afruar së fundmi dhe “besnikët” e tij të cilët po mbajnë një qëndrim anti-Perëndim me zhvillimet e fundit që kanë përfshirë botën pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.

Ndërsa SHBA-BE po shtojnë presionet mbi Hungarinë dhe Serbinë për ta detyruar të aplikojë sanksionet ndaj Rusisë, Rama  dhe Vuçiç shtyjnë në drejtimin e kundërt.

Në vend që Rama të jetë në “vijën e parë” për të detyruar Orban e Vuçiçin të largohen sa më shumë e shpejt nga Rusia, por edhe nga provokimet për Kosovën pas sulmit terrorist në Veri, ai kthehet në “rrufe pritëse”, ku shpesh ka kërkuar që Perëndimi të zbusë presionin mbi Serbinë.

Nga ana tjetër SHBA-BE ka nisur sanksionet ndaj Viktor Orban për mbështetjen e saj të fortë që po i jep Rusisë, Rama dhe Vuçiç i hapin dyert.

Orban ka zhvilluar javët e fundit takim me kryeministrin Rama ku nënshkroi disa marrëveshje ekonomike, si edhe zbarkoi edhe në Beograd ku takoi presidentin Vuçiç.

Hungaria po i shtrin thellë “tentakulat” në Tiranë dhe Beograd. Me të dyja vendet Hungaria ka në fokus ekonominë.

Pas investimeve në sektorin bankar, tregun e telefonisë dhe atë të fluturimeve ajrore, biznese hungareze po shënjestrojnë tregun e energjisë në Shqipëri.

Vitet e fundit kompanitë hungareze po mësyjnë në sektorët kyç të ekonomisë shqiptare. Përveç Wizz Air, kompanisë që ka gati 70 për qind të tregut të fluturimeve në Shqipëri, bizneset hungareze kontrollojnë dhe pjesën më të madhe të tregut të telefonisë celulare, ndërkohë që janë të pranishme edhe në sistemin bankar.

Gjithashtu në vizitën e fundit të Orban në Tiranë veç investimit në parkun diellor, Hungaria do të ndihmojë Shqipërinë edhe në menaxhimin e ujësjellësit të Tiranës.

Kujtojmë po ashtu se më 10 tetor të vitit 2022 Orban dhe presidenti Vuçiç ranë dakord që të rrisin bashkëpunimin. Ato ranë dakord për ndërtimin e një segmenti të ri të tubacionit Druzhba në mënyrë që Serbia të siguronte sërish naftën ruse.

Si alternativë, Serbia po shqyrton edhe ndërtimin e një gazsjellësi që do të kalonte përmes Maqedonisë së Veriut dhe do të shkonte në Portin e Durrësit.

Në shënjestër Kosova

Rama dhe Vuçiç ditët e fundit kanë kërkuar njëzëri që pas sulmit që ndodhi në veri nga grupi terrorist serb, KFOR duhet ta marr nën kontroll këtë pjesë të Kosovës.

“Nga ana tjetër dua ta theksoj që gjërat mund të shkojnë larg dhe mund të shkojnë shpejt. Ndaj jo vetëm niveli i përfaqësimit të komunitetit euroatlantik duhet ngritur larg dhe duhet ngritur shpejt, por duhet pasur parasysh që kjo të bëhet se përndryshe bashkë me stokun e gjithë atyre marrëveshjeve përgjithësisht të pazbatuara, vonesa në hedhjen e këtij hapi mund të sjellë dhe një stok viktimash të një konflikti të armatosur. Për të parandaluar këtë konflikt, KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë më parë, edhe në Samitin e NATO-s”, u shpreh Rama.

Prezencën e KFOR e ka kërkuar vetë me gojën e tij presidenti Aleksandër Vuçiç dhe ministri i Jashtëm serb Daçiç.

Nëse kjo është pro atyre, dihet që ky skenar nuk koordinon me interesat shqiptare. Po çfarë lojërash po luan kryeministri ynë në prapaskenë? A fshihen marrëveshje me qarqe serbe?

E themi këtë pasi në këtë mes Rama del hapur si personazhi që po i fryn zjarrit të skenarëve për ndërrimin e territoreve në zonën më të nxehtë gjatë gjithë kësaj kohe mes Serbisë dhe Kosovës. Kryeministri arriti deri aty sa quajti veriun e Kosovës si “tokë të askujt”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat