Bogujevci në Parlamentin e KiE-së tregon shenjat në duar të shkaktuara nga plumbat e ushtrisë serbe

Aktuale

Bogujevci në Parlamentin e KiE-së tregon shenjat në duar të shkaktuara nga plumbat e ushtrisë serbe

Më: 9 tetor 2023 Në ora: 18:56 Përditësuar në ora: 21:26 më 09.10.2023
Saranda Bogujevci

Deputeti ukrainas në KiE: Sulmi terrorist në Kosovë më kujton fillimin e pushtimit rus në Ukrainë

Deputeti ukrainas në Këshillin e Evropës, Oleksandr Merezhko, gjatë një diskutimi në Asamblenë Parlamentare, për sulmin terrorist të Serbisë në Kosovë, ka thënë se ia kujton fillimin e pushtimit rus në Ukrainë.

“Situata në Kosovë është vërtet shqetësuese dhe më kujton fillimin e pushtimit rus në Ukrainë në vitin 2014. Stili i përfshirjes duket i njohur, sikur dikush po vepron sipas modeleve të sjelljes së Putinit”, ka deklaruar ai, teksa ka thënë se Rusia po tenton të nisë një luftë tjetër në Ballkan.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që Rusia me ndihmën e përfaqësuesve të saj në Ballkan, po përpiqet të provokojë një luftë të re ballkanike për të larguar vëmendjen nga pushtimi në Ukrainë”.

Sipas tij, Serbia e ka përdorur si mjet politik çështjen e komunitetit serb në Kosovë për të nisur diçka më të madhe.

“Çdo shtet ballkanik, duke përfshirë edhe ata të krijuar si rezultat i një gjenocidi të kryer kundër tyre, meritojnë të jenë të pavarur dhe të lirë nga ndërhyrjet e jashtme. Disa shtete në Ballkan duhet të ndalojnë përdorimin e pakicave kombëtare në shtetet fqinje si një mjet politik kundër sovranitetit të atyre shteteve”, ka deklaruar ai në KiE.

Për t’u bërë Serbia anëtare e Bashkimit Evropian, Merezhko tha se duhet plotësuar disa kushte.

“Besoj se Serbia mund të bëhet anëtare e BE-së vetëm nëse shkëputet nga e kaluara e saj, do ta njohë Kosovën de-jure dhe do t’i bashkohet BE-së në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusi”.

“Nuk besoj se Vuçiq ka ndonjë iluzion për mundësinë e vendosjes së kontrollit mbi Kosovën. Mua më duket si një lojë politike. Vuçiq po përdor çështjen e njohjes së Kosovës si levë në këtë lojë”.

​Gashi në KiE: Kërkojmë hetim ndërkombëtar për kampet e trajnimit për terroristët në Serbi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka folur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, derisa është diskutuar për situatën në veri të vendit pas agresionit serb më 24 shtator.

Aty, Gashi ka thënë se Serbia qëndron prapa sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Më 24 shtator, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, në Republikën e Kosovës, është kryer një sulm terrorist, ndërsa një grup terroristësh të armatosur, të veshur me uniforma dhe maska kanë vrarë një polic dhe kanë plagosur dy të tjerë, dhe jo vetëm. Serbia, si shtet anëtar i këtij institucioni të madh, e ka përkrahur dhe e ka pajisur këtë grup paraushtarak me armë, municion dhe mjete të tjera për kryerjen e këtij akti terrorist. Serbia ende vazhdon t’i mbështesë ata, pasi të gjithë terroristët e përfshirë në këtë sulm janë të fshehur në Serbi”, ka thënë Gashi.

Gashi ka theksuar nevojën për dënim të terrorizmit derisa ka thënë se “nuk duhet të lejojmë terroristët të minojnë përparimin që kemi bërë në ndërtimin e një shoqërie paqësore të bazuar në parimet e demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës”.

Ai ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për ekzistencën e kampeve të trajnimit për terroristët në Serbi.

Gjithashtu ka kërkuar nga Serbia që të largojë trupat ushtarak nga kufiri me Kosovën.

“Për më tepër, ne bëjmë thirrje për një hetim ndërkombëtar të plotë dhe të paanshëm për ekzistencën e kampeve të trajnimit për terroristët në Serbi. Prania e objekteve të tilla nuk është vetëm një shkelje e normave ndërkombëtare, por edhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë rajonale dhe globale. Së bashku, me anëtarët e Këshillit të Evropës, ne duhet të solidarizohemi kundër terrorizmit dhe të punojmë pa u lodhur për të siguruar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë në Kosovë. I bëjmë thirrje Serbisë që të largojë trupat e saj ushtarake nga kufiri me Kosovën. Ky veprim nuk është vetëm thelbësor për stabilitetin rajonal, por edhe në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe parimet e paqes dhe sigurisë”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se “prania e trupave ushtarake në kufirin e Kosovës ka potencial të përshkallëzojë tensionet dhe të rrezikojë paqen e brishtë në rajon”.

----

Në debatin e mbajtur në Parlamentin e Këshillit të Evropës për situatën në veri të Kosovës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci i është kundërpërgjigjur anëtares serbe Biljanta Pantiq, duke ia treguar shenjat në duar që i ka nga plumbat që kishte marrë nga ushtria serbe si 13-vjeçare.

“25 vjet më parë si 13-vjeçare i kam mbijetuar një masakre të ushtrisë serbe, që atëbotë ishte udhëhequr nga njerëzit që ende udhëheqin Serbinë tash. Si 13-vjeçare unë mbeta e shtrirë në një grumbull të trupave të familjes sime me 16 plumba.

Sot kam ende këto shenja në dorë, e pjesët tjera të trupit tim. E të shoh 25 vjet pas, që vazhdimisht sulmohemi verbalisht dhe në mënyra tjera, së fundi edhe me sulm terrorist, është e papranueshme.

Mjaft është mjaft. Kurrë nuk ka pasur kërkim falje, nuk ka pasur asgjë të ndërmarrë për të sjellë drejtësi, jo vetëm për atë çfarë ka ndodhur atëherë, por edhe tash. Njerëzit që kryen sulm terrorist më 24 shtator janë në Serbi, e nuk po gjykohen”, tha Bogujevci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat