Për shkak të sulmit të 24 shtatorit në Banjskë harrohen zgjedhjet në veri

Aktuale

Për shkak të sulmit të 24 shtatorit në Banjskë harrohen zgjedhjet në veri

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 15:35
Foto ilustrim

Zgjedhjet e reja në katër komunat veriore kanë mbetur nën hijen e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Para se të ndodhte ky sulm flitej shpesh për to, mirëpo më nuk janë përmendur.

Për t’i hapur rrugë një procesi të ri zgjedhor në Veri është hartuar një udhëzim administrativ, i cili topin e gjuan te serbët nëse duan të fillojnë procedurat për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë, por deri tash nuk ka pasur lëvizje.

Për t’u mbajtur zgjedhjet e reja në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok janë dy rrugë – dorëheqja e kryetarëve aktualë dhe nënshkrimi i një peticioni nga qytetarët atje. Ky i fundit është përkrahur më shumë nga krerët e shtetit dhe si rrjedhojë është investuar më shumë në të.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kishte krijuar një grup për hartimin e udhëzimit administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit nga funksioni. Ky udhëzim është hartuar dhe që nga 5 shtatori gjendet në Gazetën Zyrtare.

Tashmë u takon qytetarëve, kryesisht serbë, në Veri që të nisin procedurat për nënshkrimin e një peticioni që do t’i shkarkonte kryetarët shqiptarë që fituan në zgjedhjet e 23 prillit, ku pjesëmarrja ishte tejet e ulët.

Media ka dërguar qe disa ditë pyetje në adresë të KQZ’së dhe MAPL’së nëse kanë pranuar ndonjë njoftim, por deri tash nuk kanë kthyer përgjigje.

Mirëpo, që nga sulmi terrorist në Banjskë, çështja e zgjedhjeve është lënë mënjanë, përderisa para 24 shtatorit përmendeshin shpesh.

Dje në emisionin “Majtas jo Djathtas” në T7, ministri i MAPL’së, Elbert Krasniqi tha se nga komunikimi që ka pasur me serbët lokalë në komunat veriore, kryetarët shqiptarë nuk janë pengesë për ta dhe të njëjtit nuk janë të interesuar që të kthehen ish-përfaqësuesit që kanë qenë në komunat veriore.

“Tash nuk besoj që qytetarët atje në veri të vendit tonë kanë këtë brengë që katër kryetarë, dy në zyret e komunës dhe dy në zyrat alternative, janë pengesa kryesore. Me sa kam mundur të kuptoj me serbët lokalë nga komunikimi i vazhdueshëm qytetarët nuk janë shumë të interesuar që të kthehen ata përfaqësues. Nuk janë pengesë Lulzim Hetemi etj”, tha ai.

Ai tha se e “kanë kuptuar që kryetarët janë legjitimë, kanë ardh nga një proces kushtetues dhe ligjor, por legjitimiteti i tyre është më i zbehtë se pjesëmarrja e qytetarëve ishte më e vogël”.

Pavarësisht që nuk është dhënë ndonjë datë e përafërt se kur do të mund të mbahen zgjedhjet e reja, Lista Serbe ende nuk ka dhënë garanci që merr pjesë në to.

Ata që nga largimi nga institucionet kanë këmbëngulur në krijimin e asociacionit dhe tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Çfarë ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit?

Më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit, në orët e para pas mesnatës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të armatosur, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, një polic u plagos dhe një tjetër u lëndua.

Pas sulmit, terroristët hynë në hapësirat e manastirit të Banjskës dhe prej aty vazhduan për orë të tëra të shtënat mes tyre dhe Policisë së Kosovës.

Më pas, rreth orës 18:00, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës e mori në kontroll Manastirin e Banjskës, ku arrestoi disa sulmues, mirëpo shumica ikën maleve dhe dyshohet që kanë kaluar në Serbi.

Deri më tani është konfirmuar që edhe tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë, mirëpo ministri Sveçla ka thënë se ka indikacione që numri i tyre është më i madh.

Autoritetet e Kosovës që nga dita e sulmit, vazhdimisht kanë deklaruar që grupi terrorist është përkrahur financiarisht, logjistikisht dhe është armatosur nga Beogradi zyrtar. Ministri Sveçla ka publikuar disa dokumente dhe pamje, me të cilat thotë se dëshmohet lidhja zyrtare e shtetit të Serbisë me sulmin e 24 shtatorit.

Njëra nga dëshmitë ishin pamjet nga droni ku shihej ish nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojiçiq, i cili më pas mori mbi supe përgjegjësinë e sulmit terrorist.

Ai tha se ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike.

“Kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit dhe akti nuk ka të bëjë me aktivitetet e mëparshme politike. Nuk kam njoftuar askënd nga autoritetet e Republikës së Serbisë, as strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës”, thuhej në letrën e Radojiçiq.

Takimi pa rezultate i 14 shtatorit

Takimi i fundit mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq u mbajt më 14 shkurt, por nuk prodhoi rezultate.

Menjëherë pas përfundimit të takimit, të dy dolën para gazetarëve dhe mes të tjerash folën edhe për zgjedhjet në Veri.

Fillimisht, Aleksandar Vuçiq tha se nëse kryetarët japin dorëheqje ai do të bëjë “çmos” që t’i bindë serbët të marrin pjesë në zgjedhjet e reja të parakohshme.

“Nëse kryetarët shqiptarë japin dorëheqjen, do të bëj çmos që serbët të marrin pjesë në zgjedhje”, tha ai.

Ndërsa Kurti tha se nuk do të kërkojë dorëheqjen e kryetarëve aktualë, derisa këmbënguli që peticioni është rruga demokratike dhe ligjore.

“Unë jam i interesuar për zgjedhje të parakohshme sa më parë, mirëpo nuk mund ta detyrosh askënd në dorëheqje në emër të askujt, kjo duhet të bëhet duke e respektuar udhëzimin administrativ që thotë se duhet organizuar peticioni me 20 për qind të nënshkrimeve të trupit elektoral në komunën përkatëse, në mënyrë që pastaj të organizohet votimit drejt përfundimit të mandatit të kryetarit. Kjo është rruga ligjore, demokratike nga poshtë, imponimet nga lartë nuk janë demokratike dhe as të mirëseardhura”, tha Kurti.

Për të njëjtën çështje foli edhe përfaqësuesi i lartë i BE’së, Josep Borrell. Ai e përsëriti deklaratën se dorëheqja e kryetarëve aktualë është mënyra më e mirë dhe më e shpejtë, derisa për peticionin tha se nuk është i sigurt.

“Zgjedhjet mund të shpallen përmes dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në Veri të Kosovës ose përmes mbledhjes së nënshkrimeve nga serbët e Kosovës për t’i shkarkuar kryetarët. Më lejoni që ta sqarojë se BE e sheh dorëheqjen e kryetarëve, të cilët janë zgjedhur vetëm nga 3 për qind e popullsisë, si mënyrën më të mirë dhe më të shpejtë për të mbajtur zgjedhje të parakohshme. Procedura tjetër, kërkimi i nënshkrimeve, nuk është e sigurt. Serbët e Kosovës pritet që të tregojnë konstruktivitet dhe të angazhohen, pa kushte, në procesin zgjedhor, ata duhet të marrin pjesë… dhe mirëpres garancinë që mora sot nga presidenti Vuçiq për këtë. Nëse nuk ka progres në zgjedhje, rreziku”, tha Borrell.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat