Ambasadori gjerman: Gjermania ia ka bërë të qartë këtë Serbisë

Aktuale

Ambasadori gjerman: Gjermania ia ka bërë të qartë këtë Serbisë

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 20:38
Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka folur sërish për sulmin terrorist të grupit të armatosur serb kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë e përleshjeve me armë, mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Rohde është shprehur se ky ka qenë sulm vrastar dhe qyqar kundër policëve në detyrë, teksa ka bërë të ditur se Gjermania ka kërkuar nga Serbia që t’i përkrah hetimet transparente dhe t’i sjellë në llogaridhënie përgjegjësit.

“Bashkimi Evropian e ka klasifikuar si sulm terrorist, i dërguari ynë për Ballkanin Perëndimor e ka quajtur ashtu, edhe unë vetë e kam përdorur atë term. Ka qenë sulm vrastar, qyqar kundër policëve në detyrë si dhe kemi kërkuar dënimin e kryesëve të tillë. Shpresojmë që edhe kjo të ndodh. Ne kemi kërkuar qartë nga Serbia që t’i përkrah hetimet transparente si dhe t’i sjellë përgjegjësit në llogaridhënie. Unë jam tërësisht kundër shpërqëndrimit të procesit të dialogut me anë të sulmit terrorist”, ka thënë ai.

Diplomati gjerman ka theksuar se sërish duhet një zgjidhje politike, ndërkohë që ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezën e dialogut.

“Prapë na duhet zgjidhja politike si dhe jam I bindur se shumica e njerëzve, qofshin ata shqiptarë apo serbë të Kosovës, boshnjakë a të tjerë, duan të jetojnë në paqe, apo siç e ka deklaruar Qeveria e Kosovës kur e ka marrë pushtetin  “Punë dhe drejtësi”. Kur ke klimë konstante të krizave, atëherë nuk ndihmohet askush, as shumicat as pakicat. Nuk e di cfarë do të ndodhë, por vetëm mund ta përsëris që nuk mund të bëhen kërkesa absolute. E kuptoj plotësisht qëndrimin që ky sulm vërtetë nuk lejon më atë vazhdimin e zakonshëm si dhe kemi parë shumë komente. E kam parë të dërguarin e posacëm Lajcak, që ka thënë se masat duhet të hiqen.  Pra ka një ndryshim, por për ne ekuacioni themelor dhe këtë e ka thënë edhe ministrja ime të premtën, mund tëe mos keni dëshirë ta dëgjoni, por Prishtina dhe Beogradi duhet të vazhdojnë të flasin mes vete dhe të fillojnë implementimin e marrëveshjeve”, ka thënë ambasadori gjerman për RTK.

Më tej Rohde ka thënë qartë që i Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e kanë përkrahjen e plotë të tyre.

“Për ne lehtësuesi Lajcak dhe përfaqësuesi I lartë Borrell e kanë mbështetjen tonë. Kanë bërë përpjekje të mëdha këto vite si dhe nuk mendoj që është e mencur të goditet ndërmjetësuesi. Për momentin kemi një situatë të vështirë, por të jeni të sigurtë që Lajçaku e ka përkrahjen e plotë të BEsë”, përfundoi Rohde.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat