Murati takon drejtuesit FMN-së dhe BB-së: Rrita ekonomik është solide

Aktuale

Murati takon drejtuesit FMN-së dhe BB-së: Rrita ekonomik është solide

Më: 11 tetor 2023 Në ora: 13:36
Foto ilustrim

“Përkundër vështirësive që vijnë nga ambienti i jashtëm, vlerësimet më të fundit tregojnë se rritja ekonomike në Kosovë gjatë vitit 2023 do të jetë solide”. Kështu ka deklaruar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë takimeve që ka zhvilluar me përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ministri Murati gjatë takimeve vjetore të BB-së dhe FMN-së që po mbahen në Marakesh të Marokos, është takuar me Bo Li, zëvendësdrejtor Menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Alfred Kammer, drejtor për Evropë nga FMN, si dhe Antonella Bassani, zëvendëse Presidente për regjionin e Evropës dhe Azisë nga Banka Botërore.

Në këto takime, siç thuhet në një komunikatë për medie lëshuar nga MFPT janë diskutuar një sërë çështjesh që lidhen me ecuritë e fundit ekonomike e fiskale, pritjet për vitin e ardhshëm dhe vitet në vijim si dhe për bashkëpunimin midis Ministrisë së Financave, Punë dhe Transfereve dhe FMN-së e Bankës Botërore.

Ministri Murati i informoi përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore për përformancën e mbledhjes së të hyrave buxhetore, me theks të veçantë tek të hyrat tatimore.

Ai tha se ky është viti i tretë me radhë ku të hyrat tatimore kanë rritje dyshifrore, kjo falë aktivitetit të shtuar ekonomik dhe rritjes së eficiencës në mbledhjen e tatimeve.

Gjatë takimeve, sipas njoftimit të MFPT-së, është diskutuar edhe portfoliot e projekteve aktive dhe atyre në proces, “ku përfaqësuesit falënderuan ministrin Murati për angazhimin e tij të drejtpërdrejt në përshpejtimin e ekzekutimit të projekteve ekzistuese”.

Së fundmi, përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe FMN kanë theksuar se projektet që janë negociuar dhe paraqitur në Kuvend për votim janë kredibile dhe me ndikim të konsiderueshëm për ekonominë e Kosovës, prandaj edhe votimi i tyre nga Kuvendi i Kosovës është tejet i rëndësishëm, njofton MFPT.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat