Goxhaj tregon pse u dënua Salih Mustafa me 26 vjet burgim

Aktuale

Goxhaj tregon pse u dënua Salih Mustafa me 26 vjet burgim

Më: 11 tetor 2023 Në ora: 18:56
Dritan Goxhaj

Ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, ka deklaruar se ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa është dënuar nga Gjykata Speciale me 26 vjet burgim për shkak të “dëshmive të rreme”.

“Dëshmitë e tyre të rreme i kanë dhënë 26 vjet burg Salih Mustafës, pra dëshmitë e tyre të rreme kanë rrezikuar jetën e një tjetri. Unë i cilësoj të rreme ato dëshmi, për arsye që dëshmitarët as nuk kanë parë as nuk kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së , as nuk kanë qenë në Kosovë kur ka ndodhur ngjarja,  edhe në rast se mund të ia ketë treguar dikush prapë dëshmia është e rreme sepse personi nuk ka qenë aty kur ka ndodhur rasti”, ka deklaruar ai.

Goxhaj ka bërë një postim në faqen e tij të Facebook-ut më 1 janar të vitit 2023, në të cilin ka përmendur emrat e disa dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi në gjyqin ndaj Salih Mustafës.

Ai i ka cilësuar këta dëshmitarë si të rremë.

Kërkesa për paraburgosje dhe ekstradim të tij [Dritan Goxhaj], në Hagë sipas tij, është nisur mbi bazën e këtij postimi në Facebook.

“E ka nisur mbi bazën e një shkrimi të bërë në faqen time të Facebook-ut e datës më 1 janar të vitit 2023, shkrim në të cilin kam nxjerrë emrat e disa dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi në gjyqin ndaj Salih Mustafës, i cili më pas u dënua mbi dëshmitë e këtyre personave, të cilët unë i akuzoj si dëshmitarë të rremë në këtë proces gjyqësor. Me këtë bazë mbi këtë shkrim opsion të cilësuar edhe në urdhrin e arrestit e firmosur nga gjyqtari i cë3shtjes është kërkuar ndalimi im në Republikën e Shqipërisë dhe ekstradimi im drejt Dhomave të Specializuara në Hagë”, ka deklaruar ai.

Goxhaj ka shprehur bindjen se postimi i tij nuk ka cenuar dëshmitarët, pasi thotë se pengimi i drejtësisë do të ishte në rastin kur ndonjë person do të ishte penguar të japë dëshminë e tij për një çështje gjyqësore.

Për më tepër, ai ka theksuar se shkrimi në Facebook është bërë në janar, ndërsa gjykata ka dhënë dënimin në dhjetor të vitit të kaluar, prandaj sipas tij, nuk ka ndonjë ndikim mbi dëshmitarët.

“Nuk besoj se kam cenuar dëshmitarët në postimin tim, për arsye sepse pengimi i drejtësisë domethënë që kur ti e pengon personin të jap dëshminë e tij e pengon zyrtarin që të marrë dëshminë ndërkohë shkrimi ka ndodhur pas kjo gjykatë e ka  dhënë dënimin në tetor të vitit që shkoj, dhe shkrimi ka ndodhur në janar. Nuk ka  ndonjë pengesë as të autoriteteve dhe as të dëshmitarëve”, ka thënë ai.

Sipas tij, këta dëshmitarë nuk kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së dhe nuk kanë qenë në Kosovë kur ka ndodhur ngjarja për të cilën janë dëshmitarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat