Ministria e Mbrojtjes: Personi i apostrofuar se mbështeti Hamasin nuk është pjesë e FSK-së

Aktuale

Ministria e Mbrojtjes: Personi i apostrofuar se mbështeti Hamasin nuk është pjesë e FSK-së

Më: 11 tetor 2023 Në ora: 19:31
FSK

Ministria e Mbrojtjes së Kosovës, ka reaguar pas publikimit të një artikulli në një nga mediat në Kosovë, se një pjesëtarë i FSK-së, ka shprehur respekt për Hamasin, në një artikull ku thuhet se janë vrarë 40 foshnje izraelite nga ky grup.

Në reagimin e ministrisë thuhet se personi i apostrofuar nuk është pjesë e FSK-së që pesë vite.

Po ashtu nga ministria u është bërë thirrje medieve që verifikojnë lajmet që kanë të bëjnë me Ushtrinë e Kosovës.

Reagimi i plotë:

Gazeta METRO publikon lajm të rremë për FSK-së rreth reagimeve për luftën Izrael – Palestinë

Njoftojmë qytetarët dhe mediat se sot (11.10.2023) në portalin “Gazeta Metro” është botuar një lajm i pa vërtetë, tendencioz, i njëanshëm dhe mbi të gjitha i dëmshëm me titull “Pjesëtari i FSK’së i del kundër shtetit të Kosovës, përkrah masakrën e terroristëve të Hamasit ku ishin 40 foshnje”. Gazeta nuk mjaftohet që shpif me titullin e pa vërtetë, por për më tepër shpifjen e thellon edhe me tej kur bën “thellimin” e lajmit se: “Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka komentuar në lajmin ku në Izrael dje u vranë të paktën 40 foshnje, duke shprehur respekt për Hamasin, që sipas tij kanë qenë profesionalist në këtë masakër.

Njoftojmë mediat dhe qytetarët se emri i lakuar i qytetarit Hajzer Shyti, në portalin METRO, nuk ka të bëjë fare me FSK-në, i apostrofuari është demobilizuar prej FSK-së para 5 (pesë) viteve.

Prandaj nuk e kemi të qartë motivin e gazetës për të shpifur, keq informuar dhe për të njollosur emrin e ushtrisë së Kosovës, uniformën, stemën e ushtrisë dhe flamurin e shtetit tonë, të publikuara në foto si iliustrim i lajmit në artikullin e lartpërmendur.

Prandaj lusim mediat që, çdo herë e aq më tepër në rrethana të jashtëzakonshme të verifikojnë lajmet e rreme që kanë të bëjnë me imazhin e ushtrisë e të shtetit. Të kenë kujdes të mos japin lajme të pa verifikuara, se kështu i bëjnë shërbim vetëm atyre që nuk e duan shtetin e Kosovës dhe sigurinë e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat