Selmanaj: Sveçla rrezikon ta pengojë procesin hetimor – del thotë “e gjeta një provë”

Aktuale

Selmanaj: Sveçla rrezikon ta pengojë procesin hetimor – del thotë “e gjeta një provë”

Më: 11 tetor 2023 Në ora: 21:42
Driton Selmanaj

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se është i befasuar me zgjatjen e hetimeve për agresionin në Banjskë.

Selmanaj u shpreh i befasuar edhe me faktorin ndërkombëtar, pasi siç tha, ka pritur një angazhim më të madh për adresimin e këtij problemi.

“Ky ka qenë operacion i strukturuar mirë i shtetit të Serbisë. Ky nuk është vetëm grup kriminal, por agjenda kriminale e Serbisë ndaj Kosovës e ka realizuar këtë”, tha ai në Rubikon.

Ai kritikoi edhe prezantimin e provave të grupit terrorist nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pasi tha se ai e ka marrë rolin e hetuesit.

“Jam krejtësisht kundër që ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka marrë rolin e hetuesit. Del e thotë ‘e gjeta një provë’. Kjo është skandaloze sepse nuk është punë e politikës të zbulojë prova, është punë e hetuesisë”.

“Rreziku është që t’i pengojë provat, e pengon procesin hetimor nëse i zbulon ato. Aty është një proces hetimor i njerëzve profesionalë”, tha Selmanaj.

Më tej, Selmanaj tha se Serbia asnjëherë s’e ka dashur integrimin e serbëve të Kosovës, por ka dashur që në një moment të thonë se shqiptarët dhe serbë s’mund të jetojnë bashkë dhe as s’mund të rrinë në institucione të njëjta e të bëjnë jetë të dinjitetshme bashkë.

“Ne ia krijuam situatën që ata të dalin prej institucioneve, të mos marrin pjesë në zgjedhje dhe hapi i fundit i tyre ka qenë që ushtarakisht ta marrin veriun”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat