Mes përplasjeve dhe akuzave, Konjufca mbyll seancën parlamentare - opozita paralajmëron qeverinë për këtë gjë

Aktuale

Mes përplasjeve dhe akuzave, Konjufca mbyll seancën parlamentare - opozita paralajmëron qeverinë për këtë gjë

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 07:33 Përditësuar në ora: 17:26 më 12.10.2023
Glauk Konjufca

​Miratohet Projektligji për KPMSHCK-në, opozita paralajmëron se do ta dërgojë në Kushtetuese

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK). Megjithatë, partitë opozitare paralajmëruan ekzekutivin se të njëjtin do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas tyre bie ndesh me Kushtetutën e vendit.

Pro projektligjit votuan 59 deputetë, ndërsa abstenuan katër të tjerë, përfshirë kryetarin Kuvendit, Glauk Konjufca.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se Projektligji për KPMSHCK-në është anti kushtetues.

Tahiri: Projektligji për KPMSHCK-në është anti kushtetues

“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës është një lloj gjykate e shërbyesve civil ku i ankimojnë të drejtat e tyre kur atyre iu shkelen. Qoftë kur largohen prej pune apo degradohen në pozita. Prandaj, kjo mënyrë e ndërhyrjes në këtë projektligj është jo kushtetuese dhe rrjedhimisht jemi të bindur se e bënë jokushteutes këtë ligj. Prandaj qeveria të tërheq prapa dhe mos të procedohet më tutje. Përndryshe në javën tjetër ne do të procedojmë në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.

Pas kësaj deputetët opozitarë lëshuan sallën plenare, derisa mazhoranca miratoi edhe Projektligjin për ndryshime klimatike.

Krahas kësaj, Kuvendi miratoi edhe dy anëtarë, Florent Mehmeti dhe Saliu Gashi-Loku në Komisionin e Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, emëruan edhe Isa Hasani në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit(OShP).

Pas përmbylljes së këtyre pikave të rendit të ditës, kryetari i Kuvendi ndërpreu punimet e seancës së sotme plenare.

Konjufca ia liron udhëheqjen e seancës partive opozitare, Kuvendi nuk dihet nëse do të vazhdoje punimet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ia ka liruar vendin për të udhëhequr me seancën partive opozitare, pas kritikave të deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu.

Pas kritikave të deputetes, Konjufca tha se pajtohet plotësisht me deputeten Musliu.

“Pajtohem plotësisht me kërkesën tuaj. Seancën pra ta udhëheq ose nënkryetari i Kuvendit i PDK-së, nga ana e juaj ose i LDK-së”, tha Konjufca.

Pas kësaj, ende nuk është e qartë nëse do të vazhdojë seanca, apo njëri nga nënkryetarët e kuvendit nga radhët e opozitës do ta mbyll, për të vazhduar në ndonjë ditë tjetër.

Zemaj e quan për keqardhje mungesën e pushtetit në seancën e sotme

Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka quajtur për keqardhje që shumica parlamentare, konkretisht, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka shkuar për të marrë pjesë në seancën e sotme për Policinë e Kosovës.

“Kjo sjellje, u bë normë e praktikë e tyre, e mbrapshtë. Kjo sjellje është e papranueshme”, ka thënë Zemaj.

“Nëse kërkesa e opozitës është e papranueshme, a është i pranueshëm peticioni i më shumë se 62 policëve të Kosovës që ne ua kemi marrë nënshkrimet?”, ka pyetur Zemaj në Kuvendin e Kosovës, duke shpalosur edhe peticionin me nënshkrime.

Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Zemaj, ka thënë se gjendja e policëve vazhdon të rëndohet.

“Debati duhet të zhvillohet këtu, është e domosdoshme”, u shpreh ai.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se partia në pushtet nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të ftuar për sot ku është paraparë të shqyrtohet propozim-rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Kusari-Lila ka thënë se si parti nuk do të marrin pjesë në seancën e ftuar nga PDK-ja.

“Arsyeja për këtë konferencë është që para opinionit publik të shpalosim qëndrimin e GP të LVV-së për mospjesëmarrje në seancën e jashtëzakonshme të ftuar nga PDK-ja. Që nga java e kaluar Grupi Parlamentar i PDK-së ka tentuar ta ndërrojë rendin e ditës së seancës për ta futur një pikë. Ne vlerësojmë që tendenca dhe qëllimi i PDK-së dhe AAK-së, që nuk votojnë asgjë, nuk ka të bëjë me gjendjen dhe statusin e policisë, por ka të bëjë me arsyetimin se kinse Qeveria nuk është duke bërë sa duhet”, ka thënë Kusari-Lila.

Haliti: VV-ja është çuar në krahë të majtë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë sot se Vetëvendosje nuk është duke marrë pjesë as në mbledhjet e komisionit e as në seancat e Kuvendit të Kosovës.

“Unë dua të ju them të gjithëve që VV-ja ishe çuar në krahë në majtë. Nuk e di pse e kanë këtë vendim të sotëm sepse edhe në Komision nuk erdhën, për Politikën të Jashtme, nuk erdh as zv.kryeministri që pat me votu por as pjesëmarrësit në Komision përjashtuar kryetares që e nënshkroi pjesëmarrjen dhe pastaj në kundërshtim me rregullat i kërkoj atij djalit me e fshi atë”, ka thënë ai.

Kritika Haliti parti edhe pjesëmarrjen në takime jashtë vendit të zyrtarëve të shtetit pa pjesëmarrjen e opozitës.

“Tani unë nuk e di ndoshta duhet me marrë juristë por këto çështje janë të përcaktuara dhe të paracaktuara. Komisionet funksionojnë baraz me opozitën. Nuk mundet pozita me shku në emër të parlamentit kurkun si Komision pa opozitën. Z.kryetar kujdes në këtë çështje. Komisionet kanë kryetar e dy nënkryetar dhe përfaqësimi duhet të jetë kështu dhe pastaj përfaqësimi i opozitës”, ka thënë Haliti.

Hoti për bojkotin e pushtetit: Cenim i rendit kushtetues

Deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti, në seancën e sotme, ka thënë se është cenuar demokracia parlamentare në Kosovë.

Ai përmendi tri instrumente që opozita i ka në dorë dhe sipas tij që të trija po cenohet drejtëpërdrejtë nga vendimet e shumicës.…

“Situata e sotme ka kulmuar me një pozicion që besoj që cenohet demokracia parlamentare në Kosovë. Janë tri instrumente që i ka opozita në dorë: seanca e jashtëzakonshme, komisionet parlamentare dhe pyetjet parlamentare të deputetëve. Të tria këto, në dy javët e fundit janë cenuar drejtëpërdrejtë me vendime të shumicës.

Pak ju mbaj përgjegjës juve [Konjufcën] dhe kryesinë e Kuvendit, ju duhet të uleni të diskutoni këtë situatë, kjo është e patolerueshme. Nuk është veprim i thjeshtë parlamentar mosprezenca e mazhorancës sot këtu ose veprim i thjeshtë i kryeministrit mos e u përgjigj në pyetjet parlamentare, ose pamundësimi i konstituimit të komisionit hetimor. Ky është cenim i rendit kushtetues”, tha ai.

Ai tha se Konjufca duhet t’i japë rrugë kësaj çështje ose të shpërbëhet Kuvendi.

Deputetja e LDK-së: Mazhoranca shpërfilli nevojën për mbështetjen financiare të merituar të Policisë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, e ka quajtur pamje turpëruese mungesën e mazhorancës në seancën e jashtëzakonshme në të cilën pritet të shqyrtohet propozim-rezoluta për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Krasniqi ka deklaruar se mazhoranca shpërfilli nevojën për mbështetjen financiare të merituar të Policisë së Kosovës.

“Për më tepër, ky pushtet i dënon policët me mosmbështetjen e merituar edhe në kohën kur ata sakrifikohen për sigurinë e vendit”, ka shkruar ndër të tjerash Krasniqi.

Tahiri: Nuk mjaftojnë fotot në Facebook e llafet e mira për Policinë

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se kjo mazhorancë i ikin përgjegjësisë që ka lidhur me Policinë e Kosovës,

Sipas tij, nuk mjafton me foto në Facebook e me llafe të mira, por duhet të mbështetet Policia.

“Ky është vendi që sot duhet mu mbështet Policia e Kosovës. Nuk mjafton me foto në Facebook e me llafe të mira. Tash e një periudhë të gjatë kërkojmë që të paktën sigurimi shëndetësor të buxhetohet nga 1 janari 2024. Kuvendi i Kosovës të marrë përsipër një seancë”.

“Është e papranueshme ikja nga përgjegjësia, i ikin mbështetjes qe duhet t’i japin Policisë së Kosovës. Po ju japim kohe deri ditën e hënën, dhe nga java e ardhshme konsiderojmë që duhet të merret parasysh qe seancat e jashtëzakonshme të mbahen”.

“Krejt ky degjenerim që po ndodh i thirrur nga Albin Kurti, duhet të marre fund. Sot vendi ynë më shumë se kurrë do duhej me tregu unitet. Janë njerëzit e parë që jetën e tyre e vënë në rrezik. Me nejt duar kryq e me bojkotuar seancë, është turp i madh”, shtoi Tahiri.

Sot Kuvendi diskuton për mbështetjen urgjente financiare të Policisë

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sot në një seancë të jashtëzakonshme.

Në seancën që pritet të fillojë në orën 11:00 është vetëm një pikë në rendin e ditës, ku do të bëhet shqyrtimi i i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.

Kjo kërkesë për seancë të jashtëzakonshme është bërë nga shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës , Abelard Tahiri, në emër të deputetëve nënshkrues.

Dokumenti përmban edhe nënshkrimet e 33 deputetëve të: Grupit Parlamentar të PDK-së, të LDK-së dhe AAK-së.

Kjo kërkesë ka ardhur pas situatës së krijuar në Banjskë, si pasojë e të cilës mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Gjatë atij aksioni, u shpërfaqën mungesat që kanë policët në punën e tyre, si mospagimi i shtesave të rrezikut, mungesa e Ligjit të Sigurimit Shëndetësor dhe çështje të tjera.

Pas bojkotit të VV’së, opozita vendos fletë në çdo karrige të pushtetit ku shkruan “E harruat Policinë”

Pas vendimit të Vetëvendosjes që mos të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme ku pritet të miratohet Rezoluta për mbështjetje të Policisë, opozita ka ndërmarrë një aksion simbolik.

Deputetet e opozitës kanë vendosur nga një fletë në secilën karrige të deputetëve e kabinetit qeveritar, ku shkruan “E harruat Policinë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat