Spanca: Pavarësisht sfidave, auditimi ka vlerë thelbësore në dobi të qytetarëve

Aktuale

Spanca: Pavarësisht sfidave, auditimi ka vlerë thelbësore në dobi të qytetarëve

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 11:58
Vlora Spanca

Auditimi i organizatave buxhetore është një proces me sfida, por pavarësisht vështirësive sjell vlera thelbësore që fondet publike të administrohen në dobi të qytetarëve. Kështu u tha në konferencën “Roli i Institucioneve Supreme të Auditimit në dobi të qytetarëve”, me rastin e 20 vjetorit të themelimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).

Auditorja e Përgjithshme në Zyrën Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca tha se roli i auditimit është thelbësor, meqë sipas saj transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve publike çdo herë e më shumë bëhet më e domosdoshme.

“Transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve publike çdo herë e më shumë bëhet më e domosdoshme, prandaj roli i auditimit është padyshim thelbësor. Auditimi është një proces i përcjellë me sfida, por pavarësisht vështirësive, sjell vlerë thelbësore që fondet publike të administrohen në dobi të qytetarëve e me këtë edhe rrit besimin e publikut në ata që i administrojnë fondet e besuara. Që nga themelimi ZKA ka pasur një zhvillim të hovshëm si në aspektin organizativ ashtu edhe në atë profesional. Tani ZKA numëron rreth 170 punonjës prej tyre rreth 87 për qind janë staf auditues”, tha Spanca.

Ajo shtoi se përmes auditimit për temën “Efektiviteti i Institucioneve për trajtimin e rasteve të dhunës në familje”, është vendosur në qendër të vëmendjes së Qeverisë, Kuvendit dhe qytetarëve nevoja për të adresuar dukurinë e dhunës në familje.

Tutje, Spanca tha se auditimi për temën “Programi i Trajtimit të Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike”, ka ndikuar në përshpejtimin e përditësimit te Udhëzimit Administrativ, derisa shtoi se kjo u lehtësoi qytetarëve procedura e aplikimit.

“Rezultatet e auditimit të performancës “Programi i Trajtimit të Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike” përmes së cilit është përshpejtuar përditësimi i Udhëzuesit administrativ me anë të të cilit qytetarëve u është lehtësuar procedura e aplikimit dhe mundësia për të përfituar nga programi tani është e barabartë për të gjithë. Po ashtu, nëse rekomandimet e dhëna merren seriozisht dhe zbatohen, atëherë, qytetarët përfitojnë përshpejtim të vlerësimit të aplikacioneve dhe mundësi të vlerësimit të saktë dhe meritorë për secilin rast. Qytetarët mund të përfitojnë vetëm për rastet të cilat realisht nuk trajtohen në institucionet shëndetësore publike, gjë që mundëson përfitim nga ky subvencionim për një numër të madh të qytetarëve”, potencoi Spanca.

Ndërkaq, përmes një video mesazhi, drejtori i përgjithshëm i Iniciativës për Zhvillim, Einar Gorrisen tha se ka ndjekur zhvillimin e Zyrës së Auditimit të Kosovës, derisa shtoi se ka vërejtur zhvillime të suksesshme.

"Ndikimi i auditmit në përmirësimin e financave publike ngre një temë shumë të rëndësishme. Shpresojmë që do të sigurojmë që auditimet tona do të çojnë në ndryshime shoqërinë tonë dhe jo vetëm të kemi si raporte të tilla. Nga eksperienca ime kjo kërkon marrjen në konsideratë të shumë gjërave gjatë auditimit, për shembull fillimin me selektimin e temave nga shoqëria civile dhe trajtimin e rekomandimeve të auditimit...Kam pasur privilegjin të punoj m ISA-në në të gjithë botën. Kam ndjekur zhvillimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, dhe kam parë zhvillime dhe kam parë të zhvillohet një institucion auditimi i suksesshëm", tha Gorrisen.

Ndërsa, auditori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Gene Dodaro vuri në pah rëndësinë e avancimit të teknologjisë informatike, duke thënë se në këtë mënyrë mund të rritet siguria kibernetike.

Ai shtoi se pandemia Covid-19 nxori në pah se institucionet supreme të auditimit kanë shumë sfida, derisa shtoi se duhet përgatitur më mirë ndaj situatave urgjente.

Ndryshe, në kuadër të 20 vjetorit të themelimit të ZKA-së, nga ky institucion u zotuan se do të vazhdojnë të mbajnë standarde të larta, kjo ngase sipas tyre janë gardianë të llogaridhënies, transparencës dhe mbrojtës të fondeve publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat