Miratohet Projektligji për KPMSHCK-në, opozita paralajmëron se do ta dërgojë në Kushtetuese

Aktuale

Miratohet Projektligji për KPMSHCK-në, opozita paralajmëron se do ta dërgojë në Kushtetuese

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 17:25
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK). Megjithatë, partitë opozitare paralajmëruan ekzekutivin se të njëjtin do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas tyre bie ndesh me Kushtetutën e vendit.

Pro projektligjit votuan 59 deputetë, ndërsa abstenuan katër të tjerë, përfshirë kryetarin Kuvendit, Glauk Konjufca.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se Projektligji për KPMSHCK-në është anti kushtetues.

Tahiri: Projektligji për KPMSHCK-në është anti kushtetues

“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës është një lloj gjykate e shërbyesve civil ku i ankimojnë të drejtat e tyre kur atyre iu shkelen. Qoftë kur largohen prej pune apo degradohen në pozita. Prandaj, kjo mënyrë e ndërhyrjes në këtë projektligj është jo kushtetuese dhe rrjedhimisht jemi të bindur se e bënë jokushteutes këtë ligj. Prandaj qeveria të tërheq prapa dhe mos të procedohet më tutje. Përndryshe në javën tjetër ne do të procedojmë në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.

Pas kësaj deputetët opozitarë lëshuan sallën plenare, derisa mazhoranca miratoi edhe Projektligjin për ndryshime klimatike.

Krahas kësaj, Kuvendi miratoi edhe dy anëtarë, Florent Mehmeti dhe Saliu Gashi-Loku në Komisionin e Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, emëruan edhe Isa Hasani në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit(OShP).

Pas përmbylljes së këtyre pikave të rendit të ditës, kryetari i Kuvendi ndërpreu punimet e seancës së sotme plenare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat