Dëshmitari i 30-të flet për strukturën komanduese të UÇK-së në Shqipëri dhe Zonën e Pashtrikut

Aktuale

Dëshmitari i 30-të flet për strukturën komanduese të UÇK-së në Shqipëri dhe Zonën e Pashtrikut

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 18:03
Michael Doyle

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle ka thënë se dëshmitari i 30-të në rastin e Thaçit dhe të tjerëve ka thënë se, një ish-pjesëtar i UÇK-së, ka dhënë dëshmi kryesisht për strukturën komanduese të UÇK-së në Shqipëri dhe në Zonën e Pashtrikut.

Këtë deklarim Doyle e ka dhënë të enjten përmes informimit javor të DhSK-së për media, ku ka folur për aktivitetet kryesore të realizuara në këtë gjykatë gjatë një jave.

Ai ka thënë se të martën kishte filluar dhënia e dëshmisë së dëshmitarit 29-të por se me kërkesë të tij trupi gjykues ka vendosur ta dëgjojë dëshminë e tij më 16 tetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pas tij, filloi dëshmia e dëshmitarit të 30-ë të thirrur nga Prokuroria. Ky është dëshmitar i mbrojtur i cili deri tani ka dhënë dëshmi kryesisht në seancë private. Sipas përmbledhjes të lexuar në sallë të gjyqit, dëshmitari është ish-anëtar i UÇK-së dëshmia e të cilit ka të bëjë, ndër të tjera, me strukturën komanduese të UÇK-së në Shqipëri dhe në zonën e Pashtrikut”, ka deklaruar Doyle.

Zëdhënësi i DhSK-së ka njoftuar se të hënën kishte dëshmuar dëshmitari Nebojsha Radosheviq, i cili ishte gazetar i agjencisë serbe të lajmeve ”Tanjug“.

“Ai ishte dëshmitari i 28-ë i thirrur nga Prokuroria deri tani. Sipas përmbledhjes së shkurtër të dëshmisë që u lexua në sallën e gjyqit, Radosheviq u mbajt i ndaluar nga anëtarë të UÇK-së në 1998, së bashku me fotografin Vlladimir Dobriçiq. Dëshmia e z. Radosheviq vazhdoi edhe të martën dhe atij i bënë pyetje Prokuroria dhe ekipet e Mbrojtjes. Gjykatësit, po ashtu, i bënë pyetje dëshmitarit”, ka deklaruar zëdhënësi Doyle.

Gjatë kësaj konference është njoftuar se në çështjen Thaçi dhe të tjerët më 10 tetor, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Prokurorisë që një dëshmitar të dëshmojë përmes videokonferencës dhe më 11 tetor miratoi pjesërisht një kërkesë tjetër të Prokurorisë që edhe një dëshmitar tjetër të dëshmojë përmes videokonferencës.

Paraprakisht zëdhënësi Michael Doyle, ka njoftuar për paraqitjen e parë para gjyqtaret të procedurës paraprake të Ismet Bahtjarit dhe të Sabit Januzit të cilët akuzohen për frikësim dhe tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë.

Sipas tij, Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi aktakuzën e tyre më 2 tetor 2023, ndërsa të akuzuarit Bahtjari dhe Januzi u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat