Ambasadori amerikan në Serbi: Nuk më intereson mik i kujt është Radoiçiq

Aktuale

Ambasadori amerikan në Serbi: Nuk më intereson mik i kujt është Radoiçiq

Më: 12 tetor 2023 Në ora: 23:46
Christopher Hill

Ambasadori i SHBA në Beograd, Chris Hill, ka deklaruar se i ka dëgjuar disa shpjegime nga autoritetet serbe për sulmin në Banjskë duke thënë se mendon se do të ketë më shumë (shpjegime). Ai thekson se “autoritetet serbe duhet ta kuptojnë se kjo është një çështje shumë serioze”.

“Ne kemi nevojë për paqe dhe stabilitet në Ballkan, çfarë ndodhi më 24 shtator në Banjska është pikërisht e kundërta e kësaj”, ka thënë ai.

I pyetur se a pret hetim të bazuar në ligj, pasi dihet se Radoiçiq është mik i Vuçiqit, Hill thotë se nuk i intereson kjo.

“Ne duam një hetim të plotë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, nuk më intereson nëse dikush është mik i dikujt apo jo”, thotë Hill.

“Dua të di se çfarë ka ndodhur, kush çfarë ka bërë”, thekson ai.

I pyetur nëse vërtetë Vuçiq nuk ka ditur asgjë për ngjarjet në Banjskë, ai thotë se kësaj pyetjeje do të mund t’i përgjigjet më mirë kur të shoh rezultatet e hetimit, pasi “shumë njerëz shtrojnë pyetjen se çfarë ka ditur presidenti dhe kur.”

“Nuk ka të bëjë vetëm me Serbinë dhe njerëzit në veri të Kosovës që kanë nevojë për shpjegim. Në Kosovë është edhe KFOR-i ose NATO. Ne kemi nevojë për garanci që nuk do të ndodhë më, ne kemi nevojë për paqe dhe siguri”, thotë Hill.

Hill ka thënë se SHBA-ja e kishte në sy Radoiçiqin për një kohë të gjatë duke theksuar se ndoshta ai do të akuzohet për disa vepra penale në fund.

Por, cilat do të ishin pasojat nëse në ngjarjet në Banjskë kanë qenë të përfshirë autoritetet serbe, Hill vlerëson se kjo është një pyetje hipotetike për momentin.

“Megjithatë, shtrohet pyetja se kush e ka ditur për ato ngjarje. Kjo është një nga arsyet pse ne kemi nevojë për një hetim të plotë për të hedhur dritë mbi këto gjëra”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat