Rexhaj: Është në interes të Kosovës që ne të mos jemi bllokues të dialogut

Aktuale

Rexhaj: Është në interes të Kosovës që ne të mos jemi bllokues të dialogut

Më: 13 tetor 2023 Në ora: 06:34
Deputeti Arber Rexhaj

Deputeti Arber Rexhaj nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk është në interes të Kosovës që të jetë pala bllokuese në dialog me Serbinë.

Në emisionin DPT te Fidani, ai ka thënë se në dialog duhet kthyer, megjithatë “jo sikur nuk ka ndodhur asgjë”, duke iu referuar sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

“Mendoj që duhet t’i hiqen masat Kosovës, t’i vendosen Serbisë. Mirëpo, në interes të Kosovës është që ne të mos jemi bllokues të dialogut. Mirëpo, nuk po them të kthehemi në dialog sikur nuk ka ndodh asgjë”.

Ai tha se në VV diskutimet janë transparente, ndaj ka treguar se janë tri qëndrime të ndryshme lidhur me dialogun dhe kthimit në tryezë.

“Brenda Vetëvendosjes janë tri mendime: të prishet dialogu, të mos ulemi në tavolinë pa u largu sanksionet dhe të mos jemi bllokues të dialogut”.

“Ne të mos jemi pala bllokuese sepse me Serbinë përherë do të kemi punë”.

Rexhaj është shprehur kritik edhe ndaj komunitetit ndërkombëtar, për mosreagimin ndaj Serbisë në raport me sulmin terrorist.

“Dorën në zemër jam kritik ngapak edhe me aleatët tanë, për arsye shumë objektive. Pra, nuk po shoh ende ndonjëfarë mase. Nuk po them sanksione sepse ato duhet të votohen, aty mund të jenë disa shtete të cilat e bllokojnë, mirëpo nuk po shoh masa që iu kanë vendos Serbisë. E si mund të shkojmë tash në dialog me ta?”.

Kjo, tha deputeti Rexhaj, do të bënte Kosovën të dukej palë naive, jo konstruktive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat