Gazeta franceze me artikull për sulmin terrorist në Banjskë: Operacion serb i dështuar i sojit rus në Krime

Aktuale

Gazeta franceze me artikull për sulmin terrorist në Banjskë: Operacion serb i dështuar i sojit rus në Krime

Më: 14 tetor 2023 Në ora: 20:58
Foto ilustrim

“Të stërarmatosur, në uniforma të pashënjuara, sikurse forcat ruse gjatë aneksimit të gadishullit ukrainas më 2014, një komando serb provoi në fund të shtatorit t’ia mësyente veriut të një territori ballkanik me shumicë shqiptare”.

Kështu e nis artikullin e saj gazeta prestigjioze dhe më e besueshmja franceze “Le Monde” kushtuar sulmit paramilitar dhe terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

“Le Monde” shkrimin e saj e fillon me bisedën me një shitës të fshatit i cili ia rikujton ngjarjet e asaj nate; prej fillimit të sulmit të formacionit paramilitar mbi rreshterin shqiptar, Afrim Bunjakun, i cili mbeti i vrarë nga sulmet.

“Gruaja ime erdhi midis natës duke më thënë se shpërtheu. Në fillim, menduam që ishin veç kontrabandues, por shpejt e kuptuam që ishte më keq. Ani pse jam burrë, isha tejet, tejet i frikësuar”, ka thënë shitësi i cili refuzoi t’ia tregojë emrin gazetës franceeze.

Shitësi ia thotë prerë “Le Monde”-s që “njëjtë sikur 95% e fshatit, nuk dyshuam asgjë më shumë” duke ia përshkruar komandon (Radojiçiqin) si “grup kriminal”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, s’ka asnjë dilemë teksa bisedon me gazetën: “Objektivi kryesor i tyre ishte pushtimi i terrirorit të veriut, për të provuar të ndajnë rajonin e veriut prej pjesës tjetër të Kosovës”.

Maqedonci i referohet të gjeturave të autoriteteve vendore pas neutralizimit të grupit paramilitar, e ku shton se “kemi gjetur harta që tregojnë se aty duhet të kenë qenë tre zona operacionale me nga më shumë se 200 veta të përfshirë”.

“Le Monde” rikujton tërë arsenalin ushtarak të konfiskuar nga Policia e Kosovës me më shumë se 40 RPG raketa anti-tank, gati 200 granada-hedhësa, dhjetëra pushkë automatike, mina, mbi 80 mijë copë municion.

“Nuk mendoj se diçka e tillë është e mundur pa një lidhje me qeverinë serbe”, ka thënë Ejup Maqedonci; ndërsa edhe armët, shumica prej tyre, janë të prodhuara në fabrika shtetërore serbe; e madje disa prej tyre vetëm ca kohë para sulmit të 24 shtatorit.

Akuzimi dhe lirimi i menjëhershëm i Radojiçiqit

“Në moshën 45-vjeçare, me flokë të prera dhe mjekër treditore, zoti Radoicic është një burrë në hije, i cili ka ruajtur prej kohësh një reputacion të squfurt në veri të Kosovës. Zyrtarisht shef i kompanive të ndërtimit dhe hoteleve, ai ka qenë që nga fundi i vitit 2021 nën sanksionet amerikane për përfshirjen e tij në ‘korrupsion’ endemik të kësaj zone, në veri të qytetit të Mitrovicës, të ndarë mes dy komuniteteve”, shkruan “Le Monde”.

“Trafikantët kanë lulëzuar atje prej vitesh, duke përfituar nga vakuumi ligjor i krijuar nga konfliktet e sovranitetit midis Beogradit dhe Prishtinës. Ai gjithashtu dyshohet se ka luajtur një rol në vrasjen e Oliver Ivanoviç, një kundërshtar i zotit Vuçiç që u qëllua për vdekje në vitin 2018, pasi denoncoi kontrollin e mafias mbi minoritetin serb. Prishtina ka transmetuar gjerësisht pamjet e vilës së saj luksoze buzë liqenit”.

“Është e qartë se ai nuk është një ‘luftëtar i lirisë’, por një Pablo Escobar,” Le Monde e citon Xhelal Sveçla.

Gazeta franceze tregon se u ka dërguar kërkesë për intervistë Milan Radojiçiqit dhe avokatit të tij Goran Petronijeviq, por që të njëjtën nuk u kanë kthyer përgjigje.

“Pas arrestimit për dyzet e tetë orë, z. Radoiçiq u lirua me kusht më 4 tetor nga një gjykatë në Beograd, me arsyetimin se ai i kishte pranuar të gjitha faktet me të cilat akuzohej. Ky publikim përshkruhet si "për të ardhur keq" deri në Elysee, ndërkohë që diplomatët perëndimorë ende presin që Beogradi t'u prezantojë atyre një version të besueshëm të ngjarjeve”.

“Por deri më tani, zoti Vuçiq, i cili thotë se dëshiron të anëtarësohet në BE pa i prishur lidhjet e tij historike me Moskën, preferon të luajë kartën nacionaliste. Teksa dënojnë vdekjen e policit shqiptar, autoritetet në Beograd kanë bërë heronj nga tre sulmuesit serbë të vrarë në përleshje. U shpall ditë zie kombëtare dhe në varrimin e tyre morën pjesë qindra njerëz. Në Mitrovicën Veriore, shpalljet e suvatuara në muret e qytetit festojnë burrat “që vdiqën, me trimëri të madhe, në luftën për atdheun e tyre”, ka shkruar gazeta franceze “Le Monde”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat