“Jam i bindur se edhe ju do t’ia dilni”, Fatmir Sejdiu kujton Martti Ahtisaarin

Aktuale

“Jam i bindur se edhe ju do t’ia dilni”, Fatmir Sejdiu kujton Martti Ahtisaarin

Më: 16 tetor 2023 Në ora: 12:29
Ish presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Martti Ahtisaari

Ish presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka publikuar një shkrim për ish presidentin e Finlandës, Martti Ahtisaari, që ndërroi jetë të hënën e 16 tetorit.

“Me dhembje të madhe mora lajmin për vdekjen e presidentit Martti Ahtisaari. Lajmi për vdekjen, është rast i veçuar i kujtimit dhe falënderimit përjetësisht për presidentin  Ahtisaari, me të cilën punuam bashkë në procesin e bisedimeve në Vjenë.”

Ai ka përmendur bisedimet në Vjenë.

“Kam shumë kujtime nga takimet me presidentin Ahtisaari, Emisarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, diplomatin, që luajti rol kyç në procesin e bisedimeve në Vjenë. Këto bisedime  hapën rrugën për shpalljen e Pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës, më 17 shkurt 2008. Janë të paharrueshme bisedimet e Vjenës 2006-2007 dhe veçmas takimet me Emisarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, laureatin e shumë shpërblimeve dhe të dekoratave në mesin e të cilave edhe të Çmimit Nobel për Paqe, Presidentin e Finlandës Martti Ahtisaari.”

Ai ka thënë se ka pasur njohuri edhe më parë për aftësitë e Ahtisaarit prej burrështetasi të mençur dhe diplomati të kalibrit të rrallë.

Sejdiu ka shkruar se ka qenë i veçantë angazhimi lidhur me Kosovën në takimet me Millosheviqin.

“I veçantë ka qenë edhe angazhimi lidhur me Kosovën në takimet me Millosheviqin. I qartë, i prerë dhe pa dilemë, sikur edhe misionarët amerikanë Ollbrajt, Hollbruck dhe Komandanti i NATO-së Ëesley K. Clark. Millosheviqit i kishte treguar se ai duhet të heqë dorë nga dhuna dhe terrori në Kosovë, në të kundërtën do të bartë pasoja të rënda ai dhe vendi i tij.”

“Në përgatitje të rifillimit të bisedimeve, Martti Ahtisaari, bashkë me anëtarë të ekipit të tij, për pak ditë erdhi në Prishtinë. Saktësisht me 1 mars 2006. Biseda qe jashtëzakonisht përmbajtësore dhe e pa rezerva. Kryetema, bisedimet. Presidenti Ahtisaari në disa pika themelore e shtroi idenë e tij lidhur me to si dhe dinamikën që ai e mendonte për të  përmbyllur procesin e bisedimeve në afat optimal. E dija se i njihte zhvillimet në Kosovë e sidomos ato që i kishim përjetuar deri me intervenimin ndërkombëtar.”

Ai përmendi edhe miratimin e Dokumentit për Martti Ahtisaarin, ku shpreheshin “Qëndrimet e Delegacionit të Kosovës të mbështetura në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për Rikonfirmimin e Vullnetit Politik të Popullit të Kosovës shtet të pavarur dhe Sovran”.

“Dua të përmendi se që në nëntor të vitit 2005 Delegacioni i Kosovës kishte miratuar Dokumentin për Martti Ahtisaarin, Emisarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Statusin final të Kosovës.  Në atë Dokument, që në fillim shprehen “Qëndrimet e Delegacionit të Kosovës të mbështetura në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për Rikonfirmimin e Vullnetit Politik të Popullit të Kosovës shtet të pavarur dhe Sovran, miratuar më 17 Nëntor 2005.”

Sejdiu thotë se Ahtisaari, që në takimin e parë, përcolli me shumë vëmendje mendimet e tij.

“Përveç bisedës për temën bosht, pra bisedimet lidhur me statusin politik të Kosovës, për të cilën pa fije dyshimi e besoja se është thellësisht dhe shumë sinqerisht i angazhuar, presidenti Ahtisaari  m’u drejtua hapur, përafërsisht më këto fjalë: “ Z. President, unë e kam pranuar këtë angazhim nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së me përkushtimin më të madh, andaj edhe nuk kam kohë për të humbur. Qëllimi im është që të përfundojmë këtë proces si duhet”. Me fjalë të tjera, mesazhi i tij ishte që të shpejtohet procesi i bisedimeve, për çka realisht edhe ne ishim të interesuar.”

Pas përfundimit të këtij takimi, Sejdiu thotë se e ka përcjellur deri në dalje të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

“Ai mu drejtua: “Jam i bindur se edhe ju do t’ia dilni…”.  Ishte kjo një mbështetje e madhe për popullin dhe vendin që kish hyrë dhe po bënte hapat final për pavarësinë.”

Ai u ka shprehur ngushëllime familjes, popullit finlandez, miqve por edhe Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat