Çfarë është pezullimi i vizave nga Komisioni Evropian?

Aktuale

Çfarë është pezullimi i vizave nga Komisioni Evropian?

Më: 17 tetor 2023 Në ora: 14:13
Komisioni Evropian

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka kërcënuar Kosovën se do t’i ndalohet lëvizja e lirë pa viza në zonën Schengen po që se nuk mbahet fjala e dhënë.

Visar Xani, njohës i çështjeve politike dhe evropiane, ka shkruar se çka në realitet është pezullimi i vizave nga Komisioni Evropian.

“Mekanizmi i Pezullimit të Vizave është përcaktuar në Nenin 8 të Rregullores së Vizave. Qëllimi i tij kryesor është të mundësojë një pezullim të përkohshëm të përjashtimit nga viza në rast të një rritje të papritur dhe të konsiderueshme të migrimit të parregullt ose rreziqeve të sigurisë (për BE)”, ka shkruar ai në Facebook.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë qëndrimit në Tiranë ka ripërsëritur deklaratën për rishikimin e procesit të vizave për Kosovën.

“Presim nga autoritetet serbe e kosovare për riorganizim të zgjedhjeve, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, njohjen e asociacionit plotësisht dhe totalisht. Pres që Vuçiqi të jetë përgjegjës dhe pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar. E them me qartësi ju kemi besuar për vizat, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respekt për fjalën e dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që palët të ecin përpara dhe është kushti i paqes në të gjithë zonën”, ka thënë sot Macroni.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP, lidhur me deklaratën e Macronit në Tiranë për vizat, tha se me këtë “ai e ka kërcënuar Kosovën me zhbërjen e vendimit të vizave”.

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Macron foli për vizat në Tiranë duke e ndërlidhur situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë konferencës për media në Shqipëri, ai tha se ka ndjekur rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që të dyja palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën.

Kosova – sikurse edhe vendet e tjera që gëzojnë lëvizje të lirë – do të jetë nën llupën e BE-së. Blloku ka mekanizma ndëshkues nëse vëren që qytetarët e një vendi joanëtar keqpërdorin lëvizjen pa viza. Më 16 maj, Komisioni Evropian tha se Serbia po e rrezikon këtë regjim, për shkak të lehtësimit të procedurave për dhënien e shtetësisë të të huajve. Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është marrë tashmë në instancat më të larta të BE-së, por pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat