Kërcënimet ndaj Osmanit/ Abrashi: Arsye shtesë pse Blerim Isufaj nuk duhej të dekretohej për Kryeprokuror

Aktuale

Kërcënimet ndaj Osmanit/ Abrashi: Arsye shtesë pse Blerim Isufaj nuk duhej të dekretohej për Kryeprokuror

Më: 17 tetor 2023 Në ora: 16:26
Artan Abrashi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk e dekretoi Blerim Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit për shkak të disa shkeljeve ligjore, që zyra e saj i gjeti në procesin e përzgjedhjes së tij nga ana e Këshillit Prokurorial.

Vendimin e saj, po e mbështet deputeti i pushtetit (LVV), Artan Abrashi.

Sipas tij, Isufaj nuk përmbushi kriteret, andaj edhe nuk mori ‘bekimin’ e të pares së shtetit.

“Po besoj që i ka arsyet e veta, mirëpo pozita e kryeprokurorit është një pozitë mjaftë e ndjeshme në sistemin e drejtësisë në Kosovë në ballafaqim me krimin e organizuar në veçanti, në luftën kundër korrupsionit e cila është prioritet i këtij pushteti të ri që ka dalë nga një votë plebishitare edhe nëse presidentja konsideron që personi në fjalë nuk i përmbush ato kritere është plotësisht në të drejtën e saj që mos ta bëjë një gjë të tillë”, deklaroi ai.

Presidentja Osmani gjatë konferencës për medie pretendoi se ka marrë kërcënime për lidhje duarsh nëse s’do ta dekretonte Blerim Isufajn. Megjithatë, kryeliderja kosovare që me profesion është edhe juriste, nuk tregoi se nga kush i erdhën ato.

Deputeti, njëherit anëtar në Komisionin për Legjislacion, Artan Abrashi për Front Online thotë se kërcënimi tregon se ka njerëz brenda institucioneve që janë të lidhur me krimin.

Sipas tij, mesazhet kërcënuese janë arsye më shumë për ta mosdekretuar presidentja, Isufajn si Kryeprokuror.

“Kjo është absolutisht e papranueshme cka ka ndodh, Nëse nga njerëzit e tillë kemi kësi lloj kërcënimesh, atëherë me të vërtetë kjo është tregues se sa thellë ka depërtuar njerëzit e papërgjegjshëm që janë të lidhur me krimin e organizuar në Kosovë brenda institucioneve. Kjo i jep vetëm më shumë presidentes që mos ta bëjë një vendim të tillë, imagjinoni njerëzit e tillë kur ende s’kanë pushtet kqyre cka bëjnë, paramendo me pasë një pushtet të tillë se ku shkojnë”, tha ai.

Procesi i përzgjedhjes pati nxitur reagime të shumta edhe nga organizatat joqeveritare.

Të zhgënjyer me procesin e përzgjedhjes vitin e kaluar janë shprehur edhe Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara.

Kryeprokurorit të deritashëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill, 2022.

Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat