Spahiu: Nëse nuk arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi, mund të ketë suspendim të vizave

Aktuale

Spahiu: Nëse nuk arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi, mund të ketë suspendim të vizave

Më: 17 tetor 2023 Në ora: 21:18
Nexhmedin Spahiu

Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, thotë se nëse nuk përmbyllet brenda këtij viti marrëveshja Kosovë-Serbi, atëherë do jetë mundësi suspendimi i liberalizimit të vizave.

Madje, Spahiu e quajti paralajmërim, kërcënimin e sotëm nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili ka thënë se Kosovës do t’i ndalohet lëvizja e lirë pa viza në zonën Schengen, “po që se nuk mbahet fjala e dhënë”.

“Kërcënimi i Macron ishte edhe paralajmërim. Bashkimi Evropian e ka menduar që brenda këtij viti do të kryhet puna Kosovë-Serbi. Kjo ka shumë rëndësi për popullin e Kosovës, sepse një përfundim i punës me Serbinë, për Kosovën hapen shumë perspektiva e shumë shtigje. Prandaj, nëse ne perspektivë nuk është marrëveshja të kryhet brenda këtij viti, atëherë ekziston mundësia që liberalizimi i vizave të suspendohet. Kam frikën që pa u krijuar një entuziazëm për jetë më të mirë në Kosovë, gjysma e popullatës do ta lëshojë Kosovën. Kjo ndoshta nuk është problem i madh për Bashkimi Evropian, por është problem I madh për Kosovën”, deklaroi Spahiu.

Kujtojmë se Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, sot nga Tirana ka kërcënuar Kosovën se do t’i ndalohet lëvizja e lirë pa viza në zonën Schengen “po që se nuk mbahet fjala e dhënë”.

Njëherit, ka thënë se pret përgjegjësi edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat