Anulohet seanca për dallavere rreth regjistrimit të studentëve në UP

Aktuale

Anulohet seanca për dallavere rreth regjistrimit të studentëve në UP

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 11:51
Foto ilustrim

Për shkak se gjykatësja Medie Bytyqi kishte pranuar raporte mjekësore nga e akuzuara Mimiza Beqiri që nuk mund të jetë e pranishme në seancë, është anuluar seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Beqiri bashkë me Behare Bajramin, Ardian Hamitin dhe Betim Ismailin, po akuzohen për falsifikimin e dokumenteve rreth regjistrimit të studentëve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në këtë rast, Bajrami po akuzohet edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” nga neni 422, par. 1 të Kodit Penal.

Anulimin e seancës së të mërkurës, e ka bërë të ditur kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Bytyqi njoftoi se arsyeja e anulimit të kësaj seance është që gjatë ditës së djeshme kishte pranuar raporte mjekësore nga e akuzuara Beqiri që nuk mund të jetë e pranishme në këtë seancë.

Sipas gjykatëses Bytyqi, palët në procedurë janë njoftuar për anulimin e seancës, ndërsa seanca e radhës nuk është caktuar ende.

Ndryshe, ky rast më parë është gjykuar nga gjykatësi Hamdi Ibrahimi, mirëpo pas avancimit të tij në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, lënda i ka kaluar gjykatëses Medie Bytyqi.

Po ashtu, në këtë rast Mimoza Beqiri dhe Behare Bajrami akuzoheshin se së bashku me Ermal Durakun, Anton Jakajn, Daut Ademajn, Ilir Muratin, Rajmonda Osmanin dhe Edona Sallahun kishin kryer veprat penale “Mashtrimi” nga neni 335, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “Lajmërim i rremë” nga neni 390, paragrafi 1 të KPRK-së, mirëpo për këto vepra penale ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 31 maj 2017, ndaj Mimoza Beqirit, Behare Bajramit, Betim Ismailit, Ardian Hamitit, Ermal Durakut, Anton Jakajt, Daut Ademajt, Ilir Muratit, Rajmonda Osmanit dhe Edona Sallahut, me arsyetimin se nga viti 2013-2014, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë falsifikuar dokumente të ndryshme.

Sipas aktakuzës, Mimoza Beqiri, Ermal Duraku, Anton Jakaj, Daut Ademaj dhe Ilir Murati, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, në vazhdimësi kanë mashtruar të dëmtuarit se do t’i regjistrojnë në fakultete të ndryshme dhe nga ta kanë përfituar shuma parash, duke filluar nga 2 mijë e 100 euro dhe 5 mijë euro për një regjistrim.

Me këtë, thuhet se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në vazhdimësi”, neni 335, paragrafi 1 i KPRK-së.

E akuzuara Behare Bajrami, sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare.

Bajrami, gjithnjë sipas aktakuzës, në bashkëveprim me të pandehurit Beqiri, Duraku, Jakaj dhe Ademaj kanë regjistruar të dëmtuarit në fakultete të ndryshme, duke përfituar shuma prej 2 mijë e 100 euro e deri në 5 mijë euro.

Bajrami në cilësinë e bibliotekares në Fakultetin e Edukimit, sipas aktakuzës, ka shfrytëzuar pozitën e saj për t’i bindur të dëmtuarit se është personi kompetent për regjistrimin e tyre në fakultete, derisa e njëjta është vërejtur nga zyrtarët e UP-së.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, neni 422 i KPRK-së.

Tutje, Prokuroria akuzon Mimoza Beqirin, Behare Bajramin dhe Raimonda Osmanin se kanë tentuar të mashtrojnë Arta Bajramin dhe Valon Imerin se do t’i regjistrojnë në Fakultetin Juridik dhe me këtë kanë kryer veprën penale “Mashtrim në tentativë”, neni 335 i KPRK-së.

Ndërsa, e akuzuara Edona Sallahu, sipas aktakuzës, duke vepruar në bazë të sugjerimeve të Mimoza Beqirit, ka raportuar rrejshëm se i ka humbur kuleta me dokumentacion e në mesin e tyre edhe ID e Fakultetit të Mjekësisë edhe pse asnjëherë nuk ka qenë e pajisur me këtë kartelë.

Sipas kësaj, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim rremë”, neni 490 i KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat