Prokurorja e Specializuar Kimberly West nënshkruan deklaratën solemne, për punën në Gjykatën Speciale në Hagë

Aktuale

Prokurorja e Specializuar Kimberly West nënshkruan deklaratën solemne, për punën në Gjykatën Speciale në Hagë

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 13:38
Kimberly West

Prokurorja e Specializuar Kimberly West nënshkroi sot një deklaratë solemne se ajo do t’i ushtrojë funksionet e saj në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe me ndërgjegje, transmeton Reporteri.net.

Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, kjo është në përputhje me Nenin 36 të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

West u përzgjodh për postin e Prokurores së Specializuar në qershor 2023 pas një procedure të organizuar nga Bashkimi Evropian.

Ish-prokurorja federale amerikane, Kimberly West, është emëruar prokurore e specializuar në Gjykatën Speciale të Hagës, e cila heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

West do të marrë detyrën që më parë u krye nga Jack Smith, i cili u largua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në nëntor të vitit 2022, për të marrë një pozicion si prokuror për hetimet ndaj ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Ajo do të jetë prokurorja e tretë e specializuar, pas Jack Smith dhe David Schwendiman.

West është një prokurore amerikane me përvojë të gjerë si në hetimet për krime në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar.

West është Prokurorja e Specializuar e tretë, pas Xhek Smithit (Jack Smith), i cili shërbeu si Prokuror i Specializuar në periudhën nga viti 2018 deri në 2022, dhe Dejvid Shvendimanit (David Schwendiman), i cili shërbeu nga viti 2016 deri në 2018.

Më herët, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësja Ekaterina Trendafilova i shprehu urimet e saj prokuroren e re, ku tha se ajo “padyshim që do t’i shërbejë më së miri Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe do të kontribuojë qenësishëm për përmbushjen efikase të mandatit të kësaj zyre”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë – të njohura ndryshe si Gjykata Speciale për Krime Lufte, heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime fillimisht ishin përmendur në një raport të Këshillit të Evropës, që ishte hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty. Raporti i hapi rrugën themelimit të Speciales përmes votimit në Kuvendin e Kosovës më 2015./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat