Millanoviq: Jam ndër të vetmit që s’jam shqiptar, dhe kam bërë thirrje në New York për ta pranuar Kosovën

Aktuale

Millanoviq: Jam ndër të vetmit që s’jam shqiptar, dhe kam bërë thirrje në New York për ta pranuar Kosovën

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 15:25
Zoran Milanoviq

President i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka thënë se shtetet e Bashkimit Evropian po tregohen të pasinqerta në raport me Kosovën.

Në një konferencë për media në Tiranë krah presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, Milanoviq ka deklaruar se është i vetmi joshqiptar që po kërkon që Kosova të njihej si shtet, pasi siç thotë ai, vendet evropiane nuk e përmendin.

“Fakt është që jam ndër të vetmit që nuk jam shqiptar, dhe kam bërë thirrjen në New York për ta pranuar Kosovën. Kjo është tema për të cilën foli edhe zoti president. Këtë fakt e di e gjithë Evropa, por nuk do ta përmendi. Kjo nuk është shumë e mirë dhe e sinqertë. Kjo është e padobishme e madje e dëmshme për ne. Kemi 12 vjet që dëgjojmë argumente të njëjta e ndërsa koha kalon, pengesat bëhen më të vështira. Shuma pak gjëra po bëhen”, ka thënë presidenti kroat të mërkurën.

Milanoviq tutje ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq duhet të vihet nën presion për të dhënë përgjigje për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Sipas presidentit kroat, sanksionet nuk kanë vlerë pasi vetëm do ta ndihmonin Vuçiqin të mobilizojë votat.

“Para dy javësh kam thënë që Serbia dhe Vuçiqi na ka borxh një përgjigje. Këtë e kam thënë edhe në Zagreb. Në dallim nga viti 1914 kur një i ri ka vrarë trashëgimtarin e frontit austro-hungarez dhe gruan e tij, nuk ka mundur të krijohej lidhja mes tij dhe bashkëpunëtorët në Serbi, dhe ka shkaktuar një luftë botërore. Autori kishte një armë të kontrabanduar nga Serbia. Sot kemi fakte dhe dëshmi, njerëz që i kanë përjetuar. Vuçiqi nuk është përgjigjur ende. Por sanksionet nuk sjellin asgjë që do sillnin ndryshimin e qëndrimit politik. Këto sanksione vetëm do i ndihmonin pushtetarët të mobilizojnë votuesit. Kur i them këto gjëra duket sikur po shkel veten në bisht. Vuçiqi duhet të jetë nën presion për të na dhënë përgjigje. Prandaj mendoj që këto vendime nuk do i marrë Kroacia, por do t’i marrin të tjerët”, ka shtuar ai.

Milanoviq ka kritikuar BE-në edhe për faktin se nuk e ka përcjellë siç duhet progresin e Shqipërisë “në të gjithë aspektet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat