Kryesuesi i Këshillit Prokurorial takohet me shefin e ri të EULEX-it

Aktuale

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial takohet me shefin e ri të EULEX-it

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 16:53
Pamje nga takimi

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka zhvilluar një takim me shefin e ri të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Barbano.

Kryesuesi Maloku, falënderoi shefin e EULEX-it, Barbano, për vizitën e tij në Këshillin Prokurorial dhe e përgëzoi për mandatin e tij, duke theksuar së sistemi prokurorial është i përkushtuar për koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me këtë mision për të garantuar fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë, bazuar në praktikat dhe standardet më të mira të BE-së.

Me këtë rast, shefi i EULEX-it, shprehu falënderimin e tij për pritjen e bërë dhe gatishmërinë e misionit që udhëheq për të ofruar edhe më tutje mbështetjen dhe ndihmën e nevojshme për sistemin prokurorial, në mënyrë që të ketë angazhim të përbashkët për avancimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

“Po ashtu, gjatë takimit të sotëm, është diskutuar që sistemi prokurorial i Kosovës duhet të qëndrojë i pacenuar ndaj çfarëdolloj ndërhyrjeje politike dhe ndaj çfarëdolloj ndërhyrjeje tjetër qoftë brenda apo jashtë sistemit prokurorial, në mënyrë që të realizojë si duhet misionin e tij të pavarur, të paanshëm dhe transparent në të gjitha angazhimet e tij dhe në përputhje me mandatin ligjor dhe kushtetues”, thuhet në komunikatën e KPK-së.

Në kuadër të këtij takimi, për shkak të rëndësisë së bashkëpunimit në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar, të dyja palët u pajtuan që të ecet më tutje në rrugën përpara dhe të ketë angazhim të shtuar për tejkalimin e sfidave për realizmin  e misioneve të përcaktuara për rritjen e objektivave që ndikojnë në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat